Zbulohet flamuri i rrallë takonte
shqiptarëve në ushtrinë austriake

Zbulohet flamuri i rrallë takonte<br />shqiptarëve në ushtrinë austriake
Ajo që dëshëroj të tregoj më poshtë nuk është një përshkrim, apo shtjellim i një teme historike, siҫ ndoshta mund ta prisnin shumë lexues, por vetëm një njoftim, një njoftim i thjeshtë, i bazuar në disa dokumente shumë nxitës dhe impresionues, nga ata që të ngrënë mëndjen.

Nuk mund të thomi se dokumentet u zbuluan, ata ishin në Arkivin e Shtetit, vetëm se në kërkim të origjinës së flamujve më historikë të Shqipërisë lexova para tre javëve një raport për veprimtarinë e Biblotekës dhe Muzeut Kombëtar gjatë vitit 1930, ku në zërin DHURATA, ndër të tjera, shkruhej:

“Z Dr. Rainholld (Reinhold) – Vjenë
1 flamur të Vullnetarëvet Shqipëtarë në ushtërin e Austrijës gjatë luftës së madhe; flamuri ka shkabën me dy krerë dhe numërin 6 të regjimentit të Shqipëtarëvetë”


Ky dokument ndodhet në Fondin 149, Dosja IV-285, e vitit1931.
Githashtu është një shkresë e datës 6 korrik 1930, si më poshtë:
“M.A.
¬¬Ni 126/289
Sende të falura
Muzejës’ Kombëtare

Mënistërijës’ së Arësimitë
Qytet
Për dijënijë të së Shkëlq. Mënistërijë shënojëm’ këtu pas sendet’ të falura Muzejës’ Kombëtare ndë këto kohë të funditë.
(Mbasi rreshtohen sendet e dhuruara dhe emrat e dhuruesve, vazhdon):
Z. Dr. Rheinhold-Vjenë
1 flamur’ të të 6 tit’ Regjiment vullnetarësh Shqipëtarë ndë ushtërijën’ Ajshtro-
Hungare gjatë luftës së madhe; këtë flamur’ i-a pat’ lënë i ungji’ tijë Z. Richard
Dimmel, Kumandanti i Regjimentitë; Na u dorëzua me anën e Z. Izet Bebeziqitë.”


                                                                                                                          * * *

Ky flamur ruhet në Fondin Etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Është prej pëlhure të leshtë, i kuq me një shqiponjë të zezë në mes, një shqiponjë disi e ҫuditëshme për nga forma, që nuk ngjason me format e shqiponjave që jemi mësuar të shohim në periudhën e pavarësisë dhe fare ndryshe nga forma e shqiponjës së batalioneve të ushtrisë shqiptare të asaj kohe.

Poshtë shqiponjës është numuri 6. Anash konturohet nga një varg trekënëshash, në ide të përafërt për nga forma, me flamujt e batalioneve. Në krahë të majtë është vendi ku futej shtiza, apo liatari. Kjo është prej pëlhure pambuku, ngjyrë gri në të kaltërt. Dimensionet janë 120cm me 85 cm.

Me të jam njohur trembëdhjetë vjetë më parë. Na u dha një mendim nga historianët e ushtrisë se ky mund të ishte flamuri i njërit prej nënreparteve të batalioneve të parë të ushtrisë shqiptare, të cilët i u dorëzuan Muzeut Kombëtar nga Aqif Përmeti me urdhër të Ahmet Zogut.

Në shkresat përkatëse thuhet se u dorëzuan pesë flamuj të batalioneve, por në shkresat që kemi në dispozicion përmenden gjithmonë katër: Sulmues, Shkumbini, Erzeni dhe Vjosa. Përmendja e flamurit të pestë dhe lënia pa emër, të ngatërronte.

Gjithmonë kam qenë dyshues për këtë flamur, jo vetëm nga forma e shqiponjës, por edhe nga pëlhura e leshtë, tepër e ngjashme me pëlhurën e flamurit të Princ Vidit. Dhe ja ku erdhi e sotmja dhe enigma u zbulua. Por jo historia e plotë e tij dhe kuriozitetet që lidhen me të. Do të duhet akoma shumë punë për të shkruar jetën luftarake dhe personazhet që e bënë muzeal.

Si edhe flamujt e tjerë që ruhen në fondin ertnografik, ai u bë pjesë e këtij fondi në vitin 1946, apo 1947, në kuadër të Institutit të Shkencave. Nuk dihet se përse u neglizhua dhe mbeti i painventarizuar. Dhe të mendosh që në atë instiut punonin ikona të shkencës shqiptare, që kanë qenë punonjës edhe të Muzeut Kombëtar dhe e dinin se ҫfarë kishin!

Në vitin 2000 u bë një ndërhyrje konservuese. Mund të thomi se ruhet mirë. E vetmja e metë është ekzistenca e disa njollave prej ndryshku në pëlhurën anësore, ku kalonte shkopi. Me kimikatet që kishin në dispozicion në atë kohë ishte e rrezikshme të ndërhyhej për ta larguar.

Por edhe ta lësh është negatve, sepse ndryshku e kalb pëlhurën e pambuktë. Ka edhe disa grisje anësore, kështu që do të duhet një ndërhyrje e dytë, e lehtë, për ta shpëtuar përfundimisht. Por kjo nuk i ndalon studimet e domosdoshme, që jo vetëm do të shuajn kuriozitete të tjera, por që do ta pasurojnë edhe më, muzeologjinë shqiptare.

Shkrimi u botua në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset