Zbulohen ambasadat në të cilat Shërbimi Informativ Shtetëror ka spiunë, që punojnë për llogari të institucionit të sekreteve. Ndoshta nga pakujdesia, Shërbimi Informativ Shtetëror ka zbuluar vetë vendet ku vendi ynë ka spiunë.

Të dhënat ndodhen të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik. Sipas dokumenteve, SHISH ka hapur një tender për “për blerje sigurimi shëndetësor”. Fondi limit është 2 milion lekë të reja dhe kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 12 muaj. Subjektet e interesuara kanë kohë deri më 31 gusht të paraqesin ofertë.

Në dokumentet që shoqërojnë këtë prokurim ndodhet edhe numri i personelit të Shërbimit Informativ të Shtetit në përfaqësitë diplomatike.

Në Kosovë është një koordinator, ndërsa ai shoqërohet nga 3 pjesëtarë të familjes. Në Belgjikë janë dy koordinator, ku njëri ka dy pjesëtarë në familje dhe tjetri një. Një tjetër punonjës i SHISH është në Serbi, i cili ka në përbërje familjare një person. SHISH ka nga një punonjës edhe në Itali e Greqi. Këta nuk kanë familjare me vete. Ndërkohë, në Maqedoni, është një tjetër punonjës, i cili ka katër pjesëtarë në familje.

Gjithsej, Shërbimi ka 7 koordinatorë, të cilët, në total, kanë 11 pjesëtarë familje. SHISH ka kërkuar që 18 personat në fjalë tu sigurohet shëndeti.

Në dokumente janë edhe grupmoshat. Kështu, nga 18 personat që ndodhen në këto seli diplomatike, 6 persona janë të moshës nga 1-18 vjeç. Dy janë të grupmoshës nga 19-39, 9 janë të grupmoshës 40-49 vjeç dhe një punonjës është i grupmoshës nga 50-65 vjeç.

Në dokumentet e tenderit janë edhe kushtet e përgjithshme çfarë përfitojnë nga shërbimi shëndetësor këta punonjës. Kështu, maksimumi vjetor është 100 mijë euro, ku sigurohet dhomë dyshe, shpenzime mjekësore, kirurgjikale, anestezistët, kujdes intensiv, ilaçet e këshilluara nga mjeku si dhe shpenzimet për materialet dhe qiraja e dhomës së operimit.

Ndërkohë, trajtimi mjekësor ambulator, pa shtrim, mbulohet në masën 4 mijë euro, ku përfshihen shpenzime për mjekim të përgjithshëm, për mjekun specialist, kujdesi parandalues, fizioterapi e kontrolluar nga mjeku, kontrolle me rreze, skaner, etj, kirurgjia ditore dhe ilaçet e këshilluara nga mjeku me maksimum 1 mijë euro.

SHISH

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com