2 shqiptarë kanë përfunduar në pranga në Itali pasi dyshohet se kishin transformuar një magazinë në një një serë gjigante kanabisi me plot 1920 rrënjë
Operacioni është zhvilluar mes provincave të Monzës dhe Bergamos, pas një hetimi të gjatë që kishte në fokus trafikun e drogës brenda dhe jashtë Italisë. Në qendër të skemës ishte një 43-vjeçar shqiptar, i dyshuar si pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës dhe marijuanës.
Fillimisht, policia ushtroi kontroll në banesën e tij në Brugherio, ku në një ambient të përshtatur si depo u gjetën mbi 7 kilogramë marijuanë të ndara në disa pako, gati për shitje. Ky ishte sinjali i parë që çoi hetuesit drejt një zbulimi edhe më të madh.
Nga verifikimet, rezultoi se i njëjti person kishte marrë me qira një magazinë në zonën e Bergamos, konkretisht në Ubiale Clanezzo. Aty doli në pah e gjithë skema.
Brenda magazinës, pas disa ndarjeve me kartonxhes, policia gjeti edhe 28 kilogramë të tjera marijuanë. Një pjesë ishte futur në thasë, ndërsa pjesa tjetër ishte në proces tharjeje dhe paketimi për treg.
Por surpriza më e madhe ishte në katin e poshtëm.

Aty ishin ngritur dy ambiente të kompletuara si sera profesionale, me ndriçim, ventilim, ujitje dhe sistem për uljen e lagështisë. Në total, u zbuluan 1920 bimë kanabisi të kultivuara në kushte të kontrolluara.
Gjatë kontrollit, në një ambient të përshtatur si vendqëndrim i përkohshëm, policia gjeti edhe shqiptarin tjetër, 40 vjeç, i cili rezultoi pa leje qëndrimi në Itali. Nga hetimet doli se ai ishte “krahu i djathtë” i 43-vjeçarit. Ai kujdesej për magazinën dhe merrej me gjithë procesin e punës, nga kultivimi deri te përpunimi dhe nxjerrja e lëndës narkotike.
Edhe 40-vjeçari u arrestua në flagrancë, i akuzuar për prodhim dhe posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjen.
Në vendngjarje u sekuestruan edhe pajisje të tjera që përdoren për prodhimin dhe paketimin e drogës, si llamba ngrohëse, materiale plehëruese dhe dhjetëra ambalazhe.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin dhe lidhjet e mundshme me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Komente







