Kishin kthyer shtëpinë në laborator për kultivim kanabisi, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë, shpallet në kërkim një tjetër! Pranga edhe punonjësit të OSHEE-së! Sekuestrohen 271 bimë narkotike
Një ‘shtëpi bari’ është zbuluar në Lezhë. Policia ka arrestuar Dean Gegën, 28-vjeç si dhe u shpall në kërkim Ylli Pali, 24-vjeç, ndërsa është arrestuar për shpërdorim detyre Xhovani Ndreca, 53-vjeç me detyrë faturist pranë OSHEE Kurbin.
Zbulohet një ‘shtëpi bari’ në Lezhë. Laboratori i kultivimit të bimëve narkotike përmes ngrohjes me llamba ishte ngritur në katin e parë të banesës së 24 vjeçarit Ylli Pali në Fushë Milot!
Për këtë veprimtari kriminale sipas policisë ai bashkëpunonte me Dean Gegën, 28 vjeç, banor i zonës. Ata kishin vendosur aty llamba elektrike termike dhe pajisje të tjera dhe po rrisnin 271 bimë narkotike kanabis sativa!
Kur policia mësyu për kontroll, Dean Gega u kap duke i shërbyer kanabisit, ndërsa Ylli Pali u shpall në kërkim pasi i shpëtoi arrestimit. Gjatë kontrollit, u gjeten 2.5 kilogram kanabis dhe pajisje që përdoren për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura!
Shtëpia e barit furnizohej nga një lidhje e paligjshme energjie, ndaj në prangat e policisë përfundoi edhe faturisti i OSHEE, Xhovani Ndreca, 53 vjeç! Shtëpia e barit ishte ngritur pranë një zone të banuar ku ka shumë banesa përreth, por banoret thonë se nuk kishin patur dijeni se funksiononte si e tillë.
Në këtë veprimtari kriminale dyshohet të jenë të përfshire dhe persona të tjerë, por ende nuk është arritur të identifikohen.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
Pamje nga ‘shtëpia e kanabisit’ në Fushë-Milot, e kishin marrë me qira që në 2021
Report Tv sjell pamjet nga shtëpia e kanabisit në fshatin Fushë-Milot të Kurbinit. Shtëpia ishte marrë me qira nga Dean Gega, i cili është arrestuar që në tetor të vit 2021, çka do të thotë që laboratori i kanabisit ishte ngritur muaj më parë dhe ishte bërë një investim i madh brenda.