TIRANE - U fut në sallën e operacionit për heqjen e gurit në veshka, por pas 15 vjetësh merr vesh se ajo çfarë i kishin hequr në fakt, ishte veshka. Është kjo historia e një 56-vjeçareje nga Patosi i Fierit, e cila pak ditë më parë ka denoncuar në policinë e kryeqytetit se në moshën 41-vjeçare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” “ i vodhën” veshkën në vitin 1998.

Sheqere Likaj, në një intervistë telefonike për televizionin A1 REPORT! tregon se pas disa shqetësimeve shëndetësore, shkoi në shtetin helen një vit më parë, aty ku jeton edhe vajza e saj për të kryer një vizitë. Do të ishte kjo vizitë, momenti kur 56-vjeçarja mori lajmin tronditës se nuk e kishte veshkën.

Këmbëngulja e saj dhe dëshira e madhe që ky lajm të mos ishte i vërtetë, e shtynë Sheqeren të rikonfirmonte diagnozën e mjekëve grekë dhe të kryente vizitë edhe në kryeqytet. Në fakt nga Tirana erdhi veçse konfirmimi se zonja Likaj nuk e kishte veshkën.

Zonja Likaj rrëfeu për A1 REPORT! se ka tentuar vazhdimisht të mësojë të vërtetën mbi atë që ndodhi në sallën e operacionit ku humbi veshkën, por tregon se gjithçka ka qenë e mistershme.

“Kam kërkuar kartelat për të mësuar më shumë mbi operacionin që mu bë, por më kanë thënë se nuk ekzistojnë. Doktorin që më ka operuar 15 vjet më parë se kam takuar ndonjëherë, s’ia njoh as fytyrën”, - shprehet Sheqere Likaj për A1 REPORT!.

56-vjeçarja nga Patosi tregon gjithashtu se nuk ka mundur të kontaktojë me mjekun që e operoi pasi nga spitali i thonë se nuk është më aty prej vitesh.

“Kërkoj që të më thonë të vërtetën që ai bëri në trupin tim”, insiston zonja Likaj, teksa kërkon dëmshpërblim për atë çka i shkaktoi.

Sipas Sheqeres, asnjë pjesëtar i familjes nuk ka pasur dijeni për këtë ngjarje, pasi siç tregon ajo, në kohën që u vizitua ishte bashkëshorti i saj ai i cili firmosi për operacionin. Zonja Likaj thotë se bashkëshortin e njoftuan se operacioni shkoi me sukses. “Hoqëm gurin nga veshka dhe veshka tani funksionon normalisht”, tregon ajo t’i ketë thënë bashkëshorti pas operacionit.

DENONCIMI DY DITE ME PARE, MUNGON EMRI NE REGJISTRAT E PACIENTEVE
Denoncimi i shtetases Sheqere Likaj për mungesën e një veshke nëse rezulton i vërtet do të kthehet në një në skandalet më të mëdha të shëndetësisë shqiptare. Likaj ka bërë denoncimin 2 ditë më parë pranë komisariatit numër 4 në Tiranë, hetimet kanë nisur ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar.

A1Report është interesuar sot për rastin e Sheqere Likajt në repartin e Urologjisë në Tiranë, ku në regjistrat e pacientëve ky emër mungon!

Por jashtë kamerave mjekët e urologjisë shpjegojnë, se ekziston mundësia që një pacienti t’i hiqet veshka dhe pa e ditur sepse kohë më parë është ndjekur kjo procedurë dhe për këto veprime mjekët i komunikonin me familjarët për të mos rënduar me një traumë psikologjike pacientin.

E për aq kohë sa nuk dihet se si është vepruar me pacienten Likaj, A1Report do të interesohet sërish pranë arkivës së kartelave mjekësorë në spitalin “Nënë Tereza”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)