Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa ka publikuar disa dokumente në lidhje me drejtorin e DPSHTRR-së, Blendi Gonxhen, ku e akuzon se brenda një muaji shtoi 3 kategori shtesë patente për veten e tij.  Ajo i ka bërë thirrje prokurorisë që të nisë hetimet dhe t'i hyjë në thellësi aferave të shumta të Gonxhes. Zhupa ka publikuar dokumentet nga sistemi i patentave me të gjitha të dhënat e tij.

Postimi i plotë i Zhupës:

Dje i drejtova disa pyetje publike Gonxhes: Nëse ai ka abuzuar me detyrën për përfitime personale duke marr kategoritë e patentave për një muaj ndërkohë që është vetë drejtor i patentave? Të përgjigjej nëse ka marr kategoritë si drejtori i madh që ka në dorë t’ju bëj gjëmën nga ai i pari tek i fundit atyre që kanë detyrimin për ti dhënë kategoritë? Qytetarët që e paguajnë me taksat e tyre prisnin që Gonxhja i patentave t’ju përgjigjej pyetjeve të drejtuara publikisht.  Por të gjithë e kemi vënë re se si kryebashkiakët, deputetët, funksionarët rilindës vuajnë nga humbja e kujtesës për dënimet e marra, për shkeljen e ligjit, abuzimin me detyrë, kështu që po mundohem ta ndihmoj të kujtojë. Më poshtë dokumentet nga sistemi i patentave me të gjitha të dhënat e drejtorit të patentave Gonxhe që merr kategoritë për vete nga njerëzit që janë në vartësi dhe njerëzit që kanë të lidhur aktivitetin e tyre pikërisht nga urdhrat e tij. Po ta shikoni edhe nga dokumenti është pikërisht Drejtoria e Transportit Rrugor që drejton Gonxhe. Brenda një muaji, ditën e parë të hapjes nga karantina 11 maj deri ne 16 qershor Gonxhja i shton 3 kategori për veten e tij nga vartësit e tij. Shpresoj që këto ta ndihmojnë që t'i kthehet kujtesa dhe ti përgjigjet publikut për pyetjet e tjera të bëra publikisht.  Balluku, le të bëj sikur nuk dëgjon dhe nuk i shikon shkeljet e Gonxhes, sepse kështu do e ndajnë faturën e abuzimit me detyrën së bashku. Prokuroria ka detyrimin të nis hetimet, dhe t'i hyj në thellësi aferave të shumta të Gonxhes.