Zef Brozi: Berisha, tragjedi për ne
shkaktoi '97, Gërdecin, 21 janarin

Zef Brozi: Berisha, tragjedi për ne<br />shkaktoi '97, Gërdecin, 21 janarin
Ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi në një intervistë për TemA shprehet se gabimi më fatal me pasoja tragjike që ka ndodhur për vendin ka qenë marrja e drejtimit të PD nga Berisha.

Sipas tij, më pas zgjedhja President e kryeministër ishte tragjedi, pasi u shkatërrua shteti nga Piramidat, në mars ‘97, në shtator ’98 dhe më pas në 8 vitet e qeverisjes së tij.

Në 25 vjetorin e fitores së parë të një partie opozitare pas 45 vitesh diktaturë, ëndrra për të qënë si gjithë Evropa u vonua nga Berisha.

Duke e akuzuar si një komunist të përkëdhelur nga diktatura, për të gjitha krimet që ka kryer dhe për bllokimin e Vettingut, Brozi thotë se Berisha nuk duhet lënë të kandidojë dhe se duhet të përballet me ndëshkimin ligjor për të këqiat e shkaktuar për vendin. Ai është kundër qeverisë teknike, kundër çadrës së vënë në vendiun ku u vranë 4 demonstrues më 21 janar, dhe thotë se duhet ta çojnë çadrën e krimit dhe në Gërdec.

Z.Brozi, erdhi 22 marsi, dita e përvjetorit të fitores plebishitare të opozitës pas 45 vitesh diktaturë komuniste dhe sistemi njëpartiak. Edhe si ish deputet  i Mirditës, çfarë ndjesie të jep ardhja e kësaj dite?
Duket si e pabesueshme që kaluan 25 vite nga ajo ditë e rëndësishme për Shqipërinë tonë të dashur. Kjo ditë më sjell edhe kujtime të veçanta mua personalisht, sepse me 22 Mars 1992 vendlindja ime e shtrenjtë Mirdita më zgjodhi deputet të saj. Prandaj përfitoj nga mundësia që po më jepni t’ju shpreh edhe njëherë mirënjohjen dhe falenderimet e mia më të përzemërta të gjithë mirditorëve pa asnjë dallim dhe kudo që ata janë, në Shqipëri e në emigracion, për besimin dhe privilegjin që më dhanë. Më jep kënaqësi të madhe fakti se insistimi dhe kërkesa që unë të isha kandidat i Partisë Demokratike, u bë nga Mirdita.

Ruaj kujtime të pashlyera nga fushata elektorale në zonën ku isha kandidat për deputet dhe ndjej keqardhje që nuk kam as fotografi nga takimet në atë muaj të bukur pranveror. Takimet në fshatra i kam bërë kryesisht jashtë dhe ruaj mbresa të jashtëzakonshme nga e takimet me banorët e atyre fshatrave të varfër ekonomikisht, por të pasur si askund tjetër në  fisnikëri, urtësi dhe çiltërsi. Ato cilësi e virtyte njerëzore që pashë tek mirditorët gjatë asaj fushate, nuk i kam konstatuar as këtu në Amerikë ku jetoj qysh nga 12 Nëntorit 1995. Dua të theksoj se qytetaria, integriteti dhe respekti që treguan të gjithë kandidatët e partive në Mirditë është një model i mrekullueshëm për gjithë Shqipërinë dhe partitë për zgjedhjet Parlamentare që do të bëhen më 18 Qershor 2017.

Në ato zgjedhje nuk kishte koalicione partiake parazgjedhore dhe 100 deputetë do të zgjidheshin me sistemin Mazhoritar, pra do votohej për individin e jo me lista sikurse është sistemi zgjedhor sot. Unë isha një ndër ata. Ndërsa 40 deputetë do të zgjidheshin me sistemin proporcianal.  Prandaj të gjitha partitë kishin propozuar si kandidatë të tyre intelektualë me reputacion të lartë, sepse çdo parti luftonte të fitonte sa më shumë vota. Në zonën time Partia Socialiste kishte propozuar Inxhinier Dod Pjetrin, Partia Republikane kishte kandidat Prof. Dr. Maranglen Gjonajn, i cili ishte edhe Dekan i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Tiranës. Ndërsa në zonën tjetër elektorale të Mirditës ishin shkrimtari Ndue Gjikaj për Partinë Demokratike dhe inxhinier Bardhok Prenga për Partinë Socialiste.

Në atë kohë unë isha pedagog dhe Zëvëndës-Dekan në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (në Dhjetor 1990 iu bashkova Lëvizjes Studentore dhe më pas kisha mbështetur Partinë Demokratike). Të gjithë ne kandidatët për deputetë në Mirditë, pavarësisht nga diferencat në bindjet politike e përkatësitë partiake, treguam respekt për njeri-tjetrin, jo fyerje apo shpifje, jo propagandë e fushatë denigruese, por prezantim të programit të partisë dhe bashkëbisedim me zgjedhësit.

Mbaj mend se në takim me banorët në fshatin e kandidatit socialist më bënë një pyetje se “çfarë mendoja për të?”. U përgjigja shumë sinqerisht dhe thashë se “kam respekt për Dodën, është intelektual i zoti e me integritet, dhe unë e kam mik”. “Veçse partinë e ka të keqe”-shtova  me humor. “Ju e keni djalin tuaj dhe duhet të votoni për të”. Me duket se me atë përgjigje mora më shume vota se sa po t’u kisha thënë mos votoni për të por  për mua.

U shënua një fitore e madhe, u vendos sistemi demokratik dhe u rrëzua komunizmi. Çfarë shpresash kishte për të ardhmen?
Natyrisht që në Shqipërinë e sapo dalë nga një diktaturë e vetëizolim i egër, shpresat dhe ëndrrat e të gjithë ne shqiptarëve ishin të mëdha, madje disa edhe naive. E keqja është se shqiptarët menduan se vendin tonë do ta ndërtojnë të huajt dhe jo puna e përkushtuar e seicilit, duke respektuar ligjet dhe rregullat e demokracisë dhe shtetit ligjor.

U arritën pritshmëritë që kishin shqiptarët pas kësaj fitoreje të forcave opozitare dhe ku nisi gabimi i qeverisjes dhe drejtimit të ri të shtetit?
Natyrisht që në këto 25 vite ka ndryshime pozitive në Shqipëri, por pritshmëritë e shqiptarëve akoma edhe sot nuk janë përmbushur. Për fat të keq gabimi dhe e keqja hodhi rrënjë që në hapat e parë të demokracisë dhe shtetit demokratik, duke nxitur shkatërrimin e gjithçkaje të ndërtuar e mbjellë me aq mund gjatë më se 45 viteve. Mbase nuk është e nevoshme të rendis gabimet se tashmë ato i dinë shqiptarët, por le të mjaftohem duke përmendur se, gabimi më fatal që i ka shkaktuar pasoja tragjike vendit tonë gjatë këtyre 25 viteve ishte se Kryetar i PD, President e më pas Kryeministër u vu një ish sekretar i Partisë së Punës, një i privilegjuar e i përkëdhelur i diktaturës komuniste, neodiktatori Sali Berisha. Unë mendoj se nëse kryetar i PD, President e Kryeministër nuk do të ishte kurrë Berisha, por intelektualë me reputacion nga shtresa e të persekutuarëve politikë, Shqipëria nuk do ishte djegur e përgjakur, por do ishte sot anëtare e Bashkimit Europian dhe me një ekonomi më të begatë për qytetarët e saj, do ishte me shtet ligjor e jo anti-shtetin berishian.

Mendoni se mund të ishin evituar sistemi mashtrues piramidal, vjedhja e votës së 26 majit, tragjedia e vitit 1997 dhe tërë përplasja e fortë politike që na la jashtë Evropës?
Me një qeverisje të ndershme dhe duke respektuar shtetin ligjor dhe zgjedhje të lira e demokratike asnjë nga këto krime të llahtarshme, që theksoni në pyetjen tuaj, nuk do të kishte ndodhur. Ato ndodhën se ish-Presidenti Berisha nuk donte zgjedhje të lira, se ai dhe shteti i tij i inkriminuar nxitën, mbrojtën dhe përfituan nga firmat mashtruese piramidale e nuk i parandaluan ato, dhe madje nuk i mbyllën edhe kur Perëndimi ua kërkoi me insistim. Zjarrvënësi dhe luftënxitësi Berisha për pushtetin e tij nuk hezitoi asnjë sekondë për të grabitur e falsifikuar zgjedhjet  më 1996-ën , as për ta futur vendin në konflikt të armatosur dhe përgjakur e shkrumbosur Shqipërinë në vitin e mbrapshtë të 1997-ës e në 1998-ën. Po të ketë pushtet dhe mjete, ai prapë do të tentonte të bënte të njejtën gjë, për t’i shpëtuar “Vetting”-ut dhe ndëshkimit në këtë vit shpresash të mëdha për Shqipërinë.

Ky përvjetor i ardhjes së të parës forcë opozitare në pushtet e gjen PD të ngujuar në çadër, duke kërcënuar me bojkot dhe penguar anëtarësimin e Shqipërisë në BE, pikërisht kundër dëshirës dhe thirrjes së shqiptarëve asokohe: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Çfarë ka ndodhur me këtë parti, e krijuar për aspirata shumë të mëdha?
Është e dhimbshme dhe fatkeqësi për vendin se sa poshtë ka rënë Partia Demokratike dhe partitë e tjera që ajo po i tërheq zvarrë pas vetes, deri edhe në akte anti-shqiptare e anti-demokratike. Opozita e mbyllur në “Çadrën e Ngujimit”, në “Çadrën e Vetmisë së Madhe”, në Vendin e Krimit të 2011-ës, me propagandën e shfrenuar anti-Amerikane, anti-Europiane dhe anti-Perëndimore, duket se nuk ka më asgjë të përbashkët me aspiratën e shqiptarëve për Shqipërinë Europiane dhe as më thirrjet studentore të1990-ës: “E duam Shqipërinë si Gjithë Europa”. Kërkesa e “Çadrës së Vetmisë” për qeveri teknike, kur ka më pak se tre muaj nga zgjedhjet e 18 Qershorit, është absurde dhe e pabazuar në realitetin ligjor e qeverisës. Mazhoranca do bënte një kompromis në dëm të Shqipërisë nëse do ta pranonte. Unë mbështes plotësisht dhe përshëndes qëndrimin e Kryeministrit Rama që tha se: “Nuk do të ketë as qeveri teknike, as shtyrje të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit”. Shqipëria sot ka nevojë për stabilitet qeverisës dhe politik. Opozita e ngujuar po kërkon ta fusë vendin në konflikt dhe anarki vetëm se kështu shpresojnë ta pengojnë Reformën në Drejtësi dhe “Vetting”-un, ta sabotojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. E gjitha kjo bëhet vetëm për të shpëtuar të inkriminuarit e opozitës së “Çadrës së Frikës” nga “Vetting”-u.

Opozitës i them: “Dilni nga Çadra e Ngujimit dhe nëse jeni vertetë për zgjedhje të lira, bashkëpunoni e kontribuoni realisht që ato të jenë të lira e të ndershme. Shkoni në Parlament e votoni Komisionet e Vetting-ut! Shkoni në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe bëni propozimet konkrete; detyrojeni mazhorancën dhe i bëni jopartiake komisionet e zgjedhjeve, komisionet e qendrave të numërimit dhe KQZ-në. Jini vigjilentë e mos lejoni që partitë (mazhorancë e opozitë) të kandidojnë persona të inkriminuar. Jini vigjilentë e mos lejoni që të shitet a blihet vota, mos lejoni që zgjedhjet të manipulohen apo falsifikohen nga kushdoqoftë, pra as nga ju si opozitë, as nga mazhoranca. Dilni e filloni fushatën zgjedhore dhe propozoni programet tuaja! Konkurrojeni mazhorancën me programe qeverisëse nëse dini e doni t’i bëni! Bojkoti i Parlamentit dhe Ngujimi tek Çadra mbi Vendin e Krimit ju kanë futur në një rrugë pa krye dhe pa rezultat”.

Por Çadra e lejuar në shkelje të ligjit dhe shtetit ligjor dëshmon se sa e rrezikshme dhe e pandershme është përvoja me partitë politike: Ato mund ta shkelin ligjin dhe të mos përgjigjen. Nëse ajo çadër do të ngrihej aty nga shoqëri civile apo edhe nga ndonjë qytetar protestues, me siguri që nuk do të lejohej. Por në Shqipërinë tonë të dashur, partitë janë edhe mbi ligjin! Deri kur ma! Deri kur Bulevardi i Qytetarëve do të lejohet të mbetet pronë e paligjshme e opozitës apo e çdo partie tjetër? Çojeni “Çadrën e Ngujimit” edhe në një vend tjetër të krimit të disa prej atyre që janë në atë çadër-në Gërdec!

Dhe vendoseni si shtatore bash aty ku me 15 Mars 2008 shpërtheu vullkani i korrupsionit Berishian që shkrumbosi më se 26 viktima dhe shkatërroi shumë shtëpi e prona. Në atë çadër janë ish-pushtetarët dhe të inkriminuar të tjerë që kryen edhe atë krim e korrupsion në Gërdec! Prokuroria dhe gjyqësori–gardianë të krimeve të këtyre ish-pushtetarëve-ua kanë dhënë atyre edhe këtë privilegj! Prandaj në atë çadër janë antiVetting-ashët dhe anti-Perëndimorët e përbetuar Saliu e Luli dhe klani i komanduar prej tyre!

Si më 22 mars 1992 dhe sot pas 25 vitesh, një njeri qeveris në PD dhe ai është Sali Berisha. Kaq shumë ia kanë borxh PD dhe shqiptarët këtij njeriu, dhe cili duhet të kishte qënë fati i tij politik?
Për të keqen e PD-së dhe gjithë opozitës që ka hyrë nën komandën e PD-së, për të keqen e Shqipërisë dhe demokracisë, por për të mirën e një klani kriminal, Saliu ka 25 vjet qe drejton, zhdrejton, zvarrit a zhbën PD-në dhe opozitën; Drejton, zhdrejton e zhbën shtet e qeveri. Ai mbetet modeli i pushtetarit që daljen në jetën personale e sheh si tragjedi, që jetën si qytetar i thjeshtë nuk e koncepton dot më. Saliu nuk duhet lejuar të kandidojë më në zgjedhjet e 18 Qershorit! Edhe nëse ai nuk e tërhiqet me vullnetin e tij nga jeta parlamentare. Sali-hapi rrugën brezit të ri të demokratëve të ndershëm e të painkriminuar.

PD dhe Shqipëria ka mijëra të tillë. Edhe fëmijët e vegjël do të falenderojnë se nuk do t’i frikësosh më me klithma në televizione e Parlament, as nuk do të dëgjojnë fjalorin tënd banal. Bëjua këtë nder të paktën fëmijëve të Shqipërisë, përfshirë edhe fëmijeve që u vrave babanë me 21 Janar 2011! Uroj dhe shpresoj që zgjedhjet e 18 Qershorit do shënojnë një hap tjetër progresiv të Shqipërisë sonë të dashur dhe deputetë do zgjidhen ndër më të mirët intelektualë që ka vendi. Sidomos sa më shumë të rinj e të reja! Sikurse tha miku i madh i vendit tonë, i nderuari Ambasadori Donald Lu: “2017-ta do të jetë një vit i mrekullueshëm për Shqipërinë”. Le të kontribojmë të gjithë ne shqiptarët kudo që jemi për të mirën e Shqipërisë sonë të dashur.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg