PJESA E PARE E INTERVISTES TE BOTUAR SOT NE GAZETA SHQIPTARJA.COM
“Të pres Sali Berisha në një seancë dëgjimore në Senatin Amerikan. Aty do të takohemi pas shumë vitesh, dhe aty, do të dua të të heq edhe maskën e neodiktatorit që ke vënë prej shumë vitesh”. Ata të rinj, intelektualë, pedagogë e studentë që bën revolucionin e vitit 1990, nuk do ta harrojnë kurrë figurën e juristit Zef Brozi, i zgjedhur deputet i Mirditës në zgjedhjet e marsit 1992 e më pas Kryetar i Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë. Historia e tij e “dashurisë” me
Berishën zgjati vetëm tre vite, nga ‘91 deri në ‘94. E sikurse tregon në këtë rrëfim, për vendimin “kundër” që i dha Berishës për dy gazetarët e “Koha Jonë” Aleksandër Frangaj e Martin Leka, për çështjen e “5 minoritarëve”, për gjyqin e korrupsionit ndaj Fatos Nanos, ndaj ish kreut të Kasacionit, do të fillonte një përndjekje ndoshta nga më të pabesueshmet në vitet e demokracisë, për një funksionar të lartë të shtetit. Dhunë psikologjike në shtëpi, shikas që rrethonin zyrën e tij në Kasacion, njerëz që i përndiqnin familjen, deri në falsifikime procesverbalesh, ishte historia që e ndoqi, derisa një ditë të bukur, së bashku me familjen vendosi të shkojë përgjithnjë në Amerikë, dhe të fitojë atje statusin e azilantit politik.
Në këtë intervistë do të lexoni bashkimin e tij me studentët, zgjedhjet e para dhe të vetme demokratike në shqipëri, bisedat e tij me Azem Hajdarin dhe Sali Berishën, konsideratat për përfundimin e gjyqeve të Gërdecit dhe videos Meta-Prifti; vlerësimet për sistemin e drejtësisë në vend, si i sheh ai Sali Berishën, Edi Ramën, Bamir Topin, Gazmend Oketën, Ilir Metën e Kreshnik Spahiun. A e bëjnë dot këtë vend shqiptarët? Për Zef Brozin, situata është si më poshtë...
Partia Demokratike dhe qeveria kanë shpallur festime të mëdha me rastin e 22 marsit 1992. Bëhen plot 20 vjet dhe me të drejtë përvjetorët festohen. Ku ishit ju në atë kohë? Cilat ishin idealet tuaja dhe çfarë ju bashkonte me lëvizjen studentore?
Kam mësuar nga shtypi në Shqipëri se PD po shpall festime madhështore me rastin e 22 Marsit, 1992. Edhe unë mendoj se 22 Marsi 1992 hapi rrugën e ndryshimeve demokratike në Shqipëri, ndaj është një ngjarje e rëndësishme dhe duhet kujtuar. Por më duket se kjo festomania e Berishës dhe shpenzimet marramendëse për përvjetorë të ngjarjeve politike nuk bëhen për të kujtuar në fakt thelbin e mesazheve që duhet të japin Besëlidhja e Lezhës shekuj më parë, Kongresi i Lushnjës, 22 Marsi 1992, e ngjarje të tjera. Jo, kryemjeshtri i devijimit të vëmendjes nga realiteti që përjetojnë shqiptarët, urdhëruesi i terrorit shtetëror të 21 Janarit 2011, ai që e ka mbuluar me gjak e me vellon e zisë Shqipërinë më 1997 dhe 2011, Sali Berisha, nuk lë rast pa shfrytëzuar për të shpërqëndruar vëmëndjen nga kriza e thellë politike, ekonomike, morale, pra kriza e gjithanshme që po asfikson vendin. Me festën e 22 Marsit dhe euforinë e rreme që e ka pushtuar se edhe në qershorin e 2013-ës do përsëritet fitorja e PD e 20 viteve më parë, Berisha po rropatet të krijojë përshtypjen se PD është e fortë, kur në fakt asaj vetëm emri dhe kryetari i saj i ka mbetur nga PD e 1992-it.
Qeverisja e sotme do të bënte mirë që ato para që shpenzon për festime, që më shumë mbase u ngjajnë morteve, të dëmshpërblejë ata që vuajtën dhe sakrifikuan më shumë, të dënuarit dhe të përndjekurit politikë, të ndërtojë e riparojë shkolla e punësojë qindra mijërat e papunë. Me barkun bosh që kanë shumica e shqiptarëve të festosh në mënyrën berishiane është një tallje e madhe me ta dhe me gjithë shqiptarët, përfshirë këtu edhe demokratët që nuk janë pjesë e klanit kriminal e te korruptuar të Berishës.
A nuk është domethënëse fakti se më 22 Mars 2012 në krah të Berishës nuk do jenë pjesa më e madhe e themeluesve të PD, as shumica e ish Dhjetoristave, mbase as ish-kryetari i PD i përzënë me dhunë nga PD, miku im Eduard Selami. Nuk do jetë as Presidenti, ish-nënkryetari i PD.
E si mund të festosh për 22 Marsin e 1992-it kur të gjitha idealet e asaj kohe u shkërmuan dhe nëpërkëmbën? Kur ëndrra europiane dhe një ndër objektivat kryesore të qeverisjes që doli nga ato zgjedhje jo vetëm që nuk u realizua, por Shqipëria e 2012-ës i është larguar e jo afruar familjes europiane?
Në këto festime, në krah të Berishës, me radhë të shtrënguara, do jetë sëpari klani pushtetar që po e skllaveron, shet, dhunon e mjeron Shqipërinë. Por mbase kjo do jetë dhe festa e fundit e kësaj bande pushtetare. Po të ishin gjallë Arben Broci e Azem Hajdari mbase atë ditë do të ngrinin mijëra shqiptarë për ta përmbysur këtë bandë. Bash në mes të festimeve të asaj dite. Si për të na kujtuar se festa më e madhe për Shqipërinë e sotme është shporrja dhe dërgimi para drejtësisë e kësaj klike që qeveris.
Meqënese po flitet për 22 Marsin ku unë u zgjodha deputet i Mirditës, dua t'ju shpreh mirënjohjen time më të madhe Mirditës time aq të dashur, zgjedhësve të mi dhe atyre që më shoqëruan gjatë fushatës, drejtuesve dhe anëtarëve të PD Mirditë. Falenderim të veçantë kam për ish të persekutuarit politikë të Mirditës që më dhanë mbështetjen dhe besimin e tyre, ndonëse unë nuk kisha pasur fatkeqësinë e tyre. Dhe me gjithë zemër mirditorëve u kërkoj edhe falje që nuk arrita të plotësoj shumicën e kërkesave të tyre. Por besoj se Mirdita duhet të jetë krenare që unë si bir i saj, e kam përfaqësur me dinjitet dhe integritet, bëra gjithçka munda për ta vënë Shqipërinë në binarët e demokracisë, dhe guxova e dhashë alarmin kundër diktaturës berishiane edhe pse isha pjesë e sistemit shtetëror, por që nuk u bëra pjesë në krime e korrupsion. Dhe më dhemb fakti se sot më 22 Marsin e 2012-ës Mirdita që ka aq pasuri të çmuara nëntokësore është zhytur në një varfëri të madhe; institucionet ia kanë rrëmbyer e dërguar në rrethe të tjera, skamja është e përmasave migjeniane. Pra Mirdita dhe përfaqesuesit e saj në Parlament nuk kanë asnjë motiv që të festojnë me Berishën. Shqipëria gjithashtu.
Si ju gjeti ju 22 marsi? Si u përfshitë në lëvizjen Studentore, e më pas për zgjedhjen tuaj si deputet i zonës së Mirditës?
Le te flas shkurt për pjesën tjetër të pyetjes suaj lidhur me mua. Unë kam qenë pedagog në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë që pas mbarimit të studimeve në atë fakultet më 1982. Meqënëse nuk kisha shtëpi, kam jetuar me qera në Qytetin Studenti, në Godinen 18 ku jetonin pedagogë e specializantë. Edhe haja me lata në mencën e studentëve. Pra pjesa më e madhe e kohës dhe e jetës time ishte mes studentëve. Kjo ka pasur një ndikim jashtëzakonisht pozitiv në jetën time. Ku ka më mirë se të jesh mes një ambienti me rini! Atëherë ne kishim marrëdhënie shumë të mira e korrekte me studentët mbi baza respekti reciprok. Me studentët ishim jo vetëm në auditore, por edhe në aksione, zbore, eskursione, mbrëmje, edhe në mencë.
Në vitet 1989-1990 kishim filluar të diskutonim me shoqërine tonë, pedagogë dhe studentë, disi më lirshëm për çështje politike. Ndryshimet në Evropën Lindore po ndikonin edhe tek ne.
Kundërshtinë time të parë publike kundër regjimit konsideroj fjalën në mbledhjen e Profesoratit të Fakultetit të Shkencave Politiko-Juridike në Korrik 1990. Në atë mbledhje kishte edhe nga Komiteti i Partisë dhe do të diskutohej fjala e Ramiz Alise në një Plenum që dënonte ata që kishin hyrë në ambasada. Qëllimi ishte solidarizimi me qëndrimin zyrtar.
U ngrita edhe unë, si pedagog që isha.- Nuk jam dakord me këtë qëndrim dhe etiketim që po u bëhet atyre që kanë hyrë në ambasada. Le të shohim shkaqet që i kanë shtyrë ata, që janë pjesë jona, janë njerëzit tanë. Ata nuk janë as kriminelë, as rrugaçë siç po i etiketojne. Fola me pasion edhe me shembuj nga jeta e varfër e fshatarëve të Mirditës, apo edhe nga sorollatjet që u bëhej qytetarëve në zyrat e shtetit. U ndala edhe në shkëputjen dhe diferencimin e madh që kish mes udhëheqjes dhe popullit. Dikush më ndërpreu e tha: "Ne po e kërkojmë armikun tek ata që kanë hyrë në ambasada, por e paskemi këtu dhe po na e thotë haptazi. Ky po na e vë pushtetin në gryken e topit." Natyrisht që ia dhashë përgjigjen dhe thashë: "Pushteti në grykën e topit të Zef Brozit bëhet pushtet demokratik, pushtet më i fortë për të mirën e popullit…". Pas atij fjalimi lexuesi mund të mendojë se pse nuk më akuzuan për Agjitacion e Propagandë. Për fat ky krim ishte hequr disa muaj më parë nga Kodi Penal.
Në Shtator-Nëntor 1990 debatet që bënim ne pedagogët me rrethin miqësor për ngjarjet dhe situatën politike u shtuan. Ndërsa akti i madh i Kadaresë sonë të dashur kur kërkoi azil politik në Francë, shërbeu si një thirrje ndaj rinisë dhe gjithë shqiptarëve për ndryshim, për kundërshtim të regjimit. Shpërthimi vulgar dhe akuzues kundër Kadaresë do të më revoltonte mua si mijëra të tjerë. Mbaj mend edhe si e shkarravita një artikull në "Zëri i Popullit" që e quante Kadarenë "tradhëtar etj…" por meqënëse gazeta ishte e librarisë, nuk e grisa.
Por sado që ne pedagogët dhe shtresat e tjera të inteligjencës (nëse mund të shprehem kështu) edhe filluam të diskutojmë, ne nuk kishim as kurajon, as forcën për ta përmbysur regjimin diktatorial. Kishim ideale, por ideali pa fuqinë nuk kthehet në rezultat. Por idealet e mëdha paraprijnë edhe ndryshimet e mëdha. Fuqinë këtyre idealeve ia dhanë studentët e Dhjetorit 1990! Prandaj atyre, dhe vetëm atyre duhet t'ua drejtojmë mirënjohjen tonë më të madhe për ndryshimet që pasuan, pra edhe për 22 Marsin 1992. Por ju lutem mos ua hidhni fajin ish studentëve të Dhjetorit për keq-qeverisjen që i është bërë e i bëhet Shqipërisë në këto 20 vjet.
Meqënese keni qenë një nga pedagogët pjesmarrës në takimin me Ramiz Alinë. Mund të na thoni vërtetësisht, cili ka qenë impresioni i asaj dite? Kemi shkruar shumë për dëshmitë dhe ato që janë thënë, por jo për emocionet e kohës?
E gjithë Lëvizja Studentore ka qenë një mësim i madh që rinia studentore u jepte të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe ne pedagogëve të tyre. Studentët e Dhjetorit 1990 u bënë jo vetëm lektorët e parë, lektorët e mrekullueshëm të demokracisë, por edhe luftëtarët më të guximshëm për arritjen e saj. Kur dëgjoja Azemin, Shenasiun, Bardhylin, Blendin, Ridvanin, Arbenin, Kastriotin, Mimozën, Nduen e shumë studentë të tjerë (të më falin që në këtë intervistë është e pamundur të shënoj të gjithë emrat e tyre) tek mbanin fjalime pasionante në sheshin "Studenti" e para demonstruesve më bëhej zemra mal: studentët ua kaluan pedagogëve dhe gjithe inteligjencës në gjithçka, prandaj edhe shpresat për një të ardhme më të mirë shtoheshin. Studentët e sotëm bëjnë mirë t'i kthejnë sytë nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit të '90-ës dhe të bëjnë të njëjtën gjë, mbase të realizojnë Lëvizjen Pranverore kundër tiranisë. Kështu ata do t'i bënin një shërbim të madh Shqipërisë dhe vetes së tyre.
Mbrëmja e 11 Dhjetorit 1990 ka të veçantën e saj edhe për emocionet dhe mbresat që përjetuam jo vetëm ne pjestarët e përfaqësisë studentore që po niseshim për tek takimi me kryetarin e shtetit Ramiz Alia,por edhe mijëra studentë e qytetarë që kishin mbushur Qytetin Studenti. Unë e konsideroj një privilegj të madh që studentët dhe pedagogët më bënë në atë kohë duke më zgjedhur në përfaqësinë për këtë takim. Për mua personalisht emocionet e asaj nate janë nga më të fortat dhe më të papërsëritshmet. Ja, tani që po shkruaj këto rreshta sikur më del përpara gjithçka e asaj nate. Pas mbledhjes së përfaqësisë në Godinën 15, po vinte ora të hipnim në autobuzin që po priste për të na çuar tek takimi. Vendin saktësisht nuk e dinim. Momenti kur ne po futeshim në autobus dhe përcjellja që po na bënin mijëra studentë dhe qytetarë nga Tirana e gjithë Shqipëria ishin madhështore, elektrizuese, inkurajuese dhe na përçonin emocione të fuqishme. Ata që kanë qenë atë mbrëmbje aty besoj se ashtu si unë, kanë mbresa të pashlyeshme. Të gjithë e dinim se nuk po shkonim në dasëm, as në festë. Dhe gjithçka mund të pritej nga një diktaturë që po jepte shpirt. Por bukuria dhe madhështia e asaj mbrëmje ishte se askush nuk kishte frikë, asnjë prej nesh nuk po mendonte për thashethemnajën që ishte përhapur se edhe mund të mos ktheheshim më. Zemra e përfaqësisë studentore rrihte me pulsin e mijëra vetëve që na besuan këtë mision. Shqetësimi i vetëm i secilit prej nesh ishte që ta përmbushnim me dinjitet dhe kurajo qëllimin për të cilin po bëhej ky takim. Dhe kur rinia dhe masat e gjera të popullit arrijnë ta vrasin frikën në zemrat e tyre, atëherë çdo diktaturë, e çdo kohe, pra edhe neodiktatura e sotme, nuk mund të rezistoje gjatë para protestave rinore e mbarëpopullore.
Emocion i veçantë ishte edhe kur autobuzi mori kthesën tek filologjiku dhe u drejtua nga rruga e Elbasanit dhe pas pak hyri tek Pallati i Brigadave, aty ku deri në atë kohë nuk guxonim as të ndalnim anës rrugës për të shikuar me kureshtje. Siç dihet takimi zgjati disa orë dhe për këtë është folur e shkruar jo pak prandaj nuk po ndalem. Emocionante ishte edhe kthimi natën vonë në Qytetin Studenti ku po na prisnin me po atë madhështi që na përcollën dhe me interes u dëgjua e gjithë biseda në takim të cilën e kishim incizuar të plotë. Natën e 11 Dhjetorit 1990 Lëvizja Studentori arriti njërën nga kërkesat e saj: Pranimin e pluralizmit politik në Shqipëri.
Zgjedhjet e vitit 1992, a është e vërtetë se duhet të konsiderohen të parat dhe të vetmet zgjedhje demokratike në vend në këto 20 vite të tranzionit shqiptar?
Për fat të mirë zgjedhjet e 22 Marsit konsiderohen si zgjedhjet më të mira e të ndershme që janë bërë në Shqipëri në këto 20 vjet. Për fat të keq të gjitha zgjedhjet e tjera që janë bërë më pas, si ato nën qeverisjen e PD, edhe ato nën qeverisjen e PS nuk kanë qenë zgjedhje të lira, as të ndershme. Kjo është një tragjedi e madhe që duhet të marrë fund patjetër që këtë vit.
Meqënëse edhe unë në zgjedhjet e 22 Marsit 1992 kam qenë kandidat për deputet i PD në vendlindjen time, Mirditën sa fisnike, aq edhe të varfër, dua të jap disa përshtypje që kam nga përvoja ime në atë fushatë elektorale. Në atë kohë nuk kishim mundësitë e mëdha që janë sot për të bërë fushatë edhe përmes medias, televizionit, internetit, facebook, tëiter, posterave etj. E vetmja mënyrë e fushatës time ka qenë takimi me zgjedhësit në Rrëshen, Kurbnesh dhe në fshatrat e zonës ku unë isha kandidat Geziq, Ndërfushaz, Malaj, Kodër Rrëshen, Prosek, Tarazh, Lufaj, Lëkundë, Kthellë Epër, Kumbull etj. Kam mbresat më të mira nga takimet që bëra gjatë asaj fushate. Shumë nga këto takime i bënim jashtë në oborr a lëndinë. U mundova që të mos premtoja mrekullira. Madje në disa fshatra të thella nuk premtova se qeveria demokratike mund të ndryshonte ndjeshëm situatën. Më ka mbetur në mendje një takim në një fshat. Bashkëfolësit po shtronin kërkesat që kishin dhe unë dëgjoja. Nga mesi i bisedës një burrë i moshuar u ngrit e tha:
- Zef, pse ti nuk po i mban shënime këto që po kërkojmë ne? Në fakt unë nuk mbaja shënime në takimet që bëja dhe jo pa qëllim.
-Besoj se çdo politikan a zyrtar që ka ardhur e bërë mbledhje me ju deri sot ka mbajtur shënime kërkesat e juaja,-thashë unë.
-Po, kështu kanë bërë,-u përgjigj plaku që rrezatonte fisnikëri e urtësi.
-Dhe a jua kanë realizuar kërkesat? -vazhdova pyetjen unë.
-Jo, ose vetëm ndonjë prej tyre, u përgjigj ai dhe disa të tjerë.
-Nuk po i marr shënim kërkesat që ju po më bëni sot sepse nuk dua që ju të krijoni përshtypjen se unë do tua zgjidh ato. As nuk u premtoj se do tua zgjidh të gjitha edhe nëse më zgjidhni deputet. Sot jam këtu për t'u njohur me ju dhe ju të më njihni mua, dua t'ju flas për programin e PD, por nuk dua t'ju premtoj gjëra që nuk jam i sigurtë që edhe qeveria demokratike do tua realizojë.
Në mbyllje të takimit burri i moshuar u ngrit dhe tha: -Ju bëj thirrje të gjithë ju bashkëfshatareve të mi që të votoni për Zefin se është i pari politikan që po na thotë të vërtetën dhe nuk do të na gënjejë sa për të marrë votat. Dhe pas votimeve kam mësuar se në atë fshat kisha fituar shumë vota.
Edhe një aspekt tjetër nga fushata ime elektorale është edhe sjellja dhe përshtypjet për kandidatët e partive të tjera që kandidonin në zonën time. Për të gjithë ata unë në asnjë takim nuk përdora fjalë fyese, apo të ulja vlerat e tyre, e aq më tepër të shpifja. Unë i njihja personalisht dhe ata ishin intelektualë me reputacion dhe secili prej tyre do ishte deputet me integritet.
Në një takim në një fshat që ishte vendlindja e kandidatit të PS m'u bë një pyetje se çfarë mendoja unë për të? -Kam respekt për të, e kam mik, është intelektual dhe njeri me integritet. Ju e keni birin tuaj dhe duhet të votoni për të edhe pse unë jam këtu për të bërë fushatë për veten time. Miqtë e mi të PD së Mirditës "më bënë vërejtje" për këto që thashë.
Në takimin tim në Prosek më kërkuan që të jepja opinionin tim për kandidatin e PRe dhe që kishte lindur aty, Profesor Maranglen Gjonaj të cilin unë e njihja,ishte Profesor në Fakultetin e Inxhinierisë dhe kisha kënaqësi sa herë takoheshim sëbashku.
-E kam mik Profesor Maranglenin dhe kam bindje që do t'u përfaqësojë me dinjitet ju dhe Mirditën nëse zgjidhet deputet. Për më tepër, ai është nga ky fshat dhe ju do jeni krenar me të. Marangleni ka edhe shumë njohje në Tiranë dhe mund të bëjë më shumë se sa unë për ju dhe për Mirditën.
Dua të theksoj se ditën e votimit, më 22 Mars 1992 unë nuk qëndrova në Mirditë por erdha ne Tiranë ku unë banoja dhe do të votoja. As që më shkonte në mend që duhej të rrija në Mirditë atë ditë për të vëzhguar në qendrat e votimit ku edhe unë isha kandidat, apo që të bëja kujdes se mos manipuloheshin votat e zgjedhjet, apo edhe të bëja presion mbi komisionerë e votues.
Më vjen keq që nuk kam as fotografi apo filmime nga takimet që kam bërë gjatë asaj fushate. Sa të varfër ishim ne në të gjitha drejtimet, peëveç ideleve tona të pastra.
U ndala në këto momente të fushatës time për të bërë edhe një dallim aq të madh nga fushatat e sotme elektorale në Shqipëri: fushata me shpenzime marramendëse, me denigrime e shpifje për kandidatët e partive të tjera; me premtime e mashtrime ndaj zgjedhesve, apo edhe me blerje votash me qese mielli, para e favore të tjera. Prandaj sot ka humbur besimi tek zgjedhjet dhe tek vota e lirë.
Le të kthehemi në realitetin e pas 20 viteve. Kemi pasur një intervistë me një ish-dhjetorisit, Shinasi Rama. Thotë se paria e Tiranës po e shkatërron vendin. A ndani të njëjtin qëndrim me të?
Kam respekt dhe e vlerësoj shumë si arritjet e Profesor Shinasi Ramës si imigrant në Amerikë, ashtu edhe kontributin e tij në Lëvizjen Studentore dhe angazhimin që ai ka në shtypin e median shqiptare.
Nuk jam krejt i qartë se kë përfshin Prof.Rama në "parinë e Tiranës" ndaj dua të përgjigjem pak më gjatë se me një PO. Nëse me "parinë e Tiranës" konsiderohet Sali Berisha dhe pushtetarë e politikanë të korruptuar e inkriminuar dhe mbrojtësit e tyre, ndaj të njëjtin mendim me të. Mbase edhe më tej se kaq. Ky klan mafioz ka bërë edhe më shumë të këqia se shkatërrimin e Shqipërisë: Shiti a u fali fqinjëve territore shqiptare ndaj duhet gjykuar edhe për krimin e Tradhëtisë ndaj Atdheut. Sali Berisha bashkëpunoi me Sllobodan Millosheviçin kundër Kosovës dhe duhet të gjykohet edhe për këtë, ndonëse disa kosovarë në mënyrë të pashpjegueshme e konsiderojnë baba të Kombit, apo të Kosovës! Ishte Sali Berisha dhe klani i tij në pushtet që gjakosen dhe shkrumbuan vendin më 1997, ndaj duhet të përgjigjen një ditë edhe për atë makabër. Ishte Berisha që urdhëroi të qëllohej kundër protestuesve më 21 Janar dhe shteti vrau katër qytetarë të pafajshëm që Presidenti akoma heziton t'i shpallë dëshmorë të
demokracisë. Pra mbi parinë e Tiranës rëndon pesha e krimeve të përbindëshme.
Zoti Brozi, keni qenë një ndër funksionarët më të lartë të hierarkisë së shtetit deri në 1995. Duke qenë se jemi një gazetë e re, dhe mund të ketë po aq të rinj që na lexojnë sot a mund të na thoni se cilat kanë qenë divergjencat tuaja me qeverinë dhe presidencën e kohës?
E thënë shkurt, jam i vetmi gjykatës në Shqipëri e mbase edhe më gjerë që është ballafaquar dhe i ka rezistuar një diktature të egër si kjo e Sali Berishës. Më poshtë po jap disa momente të kësaj beteje kur unë që kisha vetëm fjalën dhe penën përballova një shtet që përdori kundër meje policinë, SHIK-un, Gjykatën Kushtetuese, Prokurorin e Përgjithshëm, Parlamentin, Qeverinë, madje edhe bandat kriminale të Berishës dhe servilët e tij të shumtë. Në mënyrë të shkurtër po prezantoj veten për ata që nuk më njohin dhe për të saktësuar ndonjë gjë edhe për ata.që më kanë njohur. Kam qenë pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, dhe pas vitit 1990 edhe Zv.dekan. Kam qenë i zgjedhur edhe gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Tiranë për disa vite. Në vitin 1990 u bashkova me Lëvizjen Studentore. Kam kontribuar në krijimin e PD, por nuk kam qenë anëtar aktiv i saj, as në forumet partiake. Nuk kam qenë ndonjëherë anëtar i Partisë
Komuniste (Partisë së Punës). Lideri i sotëm i PD ka pasur privilegjin të jetë edhe Sekretar i saj. Në Mars të vitit 1992, me kërkesën e disa intelektualëve dhe PD së Mirditës dhe me insistimin e lidershipit të PD kam kandiduar dhe jam zgjedhur deputet në vendlindjen time të dashur. Në vitet 1992-1993 kam qenë Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Parlament. Më 23 Shtator 1993 jam zgjedhur Kryetar i Gjykatës së Kasacionit (Gjykata e Lartë). Në mbrëmjen e 21 Shtatorit 1993 me propozimin e Presidentit Berisha, në një seancë tinzare dhe me vota të falsifikuara, jam shkarkuar në mënyrën më antikushtetuese nga Parlamenti. Shkarkimin e mora vesh vetëm përmes televizorit. Qeveria Amerikane e denoncoi këtë akt antikushtetues, ndërsa institucionet Europiane pothuajse heshtën. Heshtje që sot Shqipëria po e paguan shtrenjtë. Ashtu siç ka bërë Europa edhe për krimet elektorale që nga 1996 e deri më sot.
Regjimi i Sali Berishës ka pasur tentativa e plane edhe për asgjesimin fizik, gjë që unë e kam denoncuar publikisht që në atë kohë, por edhe dëshmi të një qytetari sarandiot të rrëmbyer e torturuar nga SHIK-u në Tetor 1995 si edhe burime të tjera e provojnë këtë plan kriminal.
Edhe pas shkarkimit tim, qytetari i papunë Zef Brozi dukej se ishte shqetësim për Berishën. Më 5 nëntor 1995, herët në mëngjes kur akoma isha në gjumë, forca policore dhe civile me xhupa të zinj trokasin në derën e apartamentit ku jetoja dhe synuan të më rrëmbenin dhe zhduknin në drejtim të paditur dhe nga persona të paidentifikuar. Falë mbrojtjes dhe mbështetjes që më dha qeveria amerikane, më 12 Nëntor 1995 me vizë të vënë në pasaporten time si qytetar i thjeshtë, kam shkuar në Amerikë ku më është dhënë azil politik dhe që prej disa vitesh jam edhe shtetas Amerikan. Kam graden shkencore "Doktor i Shkencave" dhe titullin "Profesor i Asociuar", si edhe një Master për Ligjet Amerikane nga Universiteti i Bostonit.
Divergjencat e mia me Presidentin Berisha dhe qeverinë filluan kur unë si Kryetar i Gjykatës së Kasacionit (Gjykata e Lartë) nuk pranova të zbatoj urdhërat dhe ndërhyrjet e tyre të kundërligjshme në punën e gjykatave dhe çështjet gjyqësore; kur unë nuk pranova të firmos si gjykatës vendime që diktoheshin nga Berisha, i cili donte ta përdorte gjyqësorin si një vegël kundër kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve që kritikonin atë dhe denonconin korrupsionin e qeverisë. Deri në 6-mujorin e parë të vitit 1994 u mundova të këshilloj miqësisht si Berishën dhe politikanët e pushtetarët e PD që të mos ndërhynin në gjyqësor për çështje konkrete dhe u kam kërkuar mbështetjen për të përmirësuar pagat, kushtet e punës dhe për fondin e gjyqësorit. Deri vonë nuk kam bërë publike mosmarrëveshjet që kishim në KLD për mënyrën se si po emëroheshin gjyqtarët, politizimin e gjyqësorit përmes militantëve partiake si edhe çështje të tjera lidhur me kompetencat dhe bashkëpunimin e tre pushteteve. Berisha donte të ishte edhe President, edhe Prokuror i Përgjithshëm (de facto ai e kryente edhe atë funksion), edhe Kryetar Qeverie e Kryetar Parlamenti, edhe Kryetar Gjykate nëpër rrethe dhe në Kasacion. Të gjitha i kishte përveç postit që më ishte besuar mua dhe unë nuk po i nënshtrohesha. Në pranverë të 1994-ës i dërgova një letër Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit ku shprehja shqetësimet e mia për dhunimin e të drejtave të njeriut në institucionet shtetërore, për ndërhyrjet që po bëheshin nëpër gjykata dhe disa fenomene të tjera që dilnin edhe nga dosjet gjyqësore. Në atë letër theksoja se veprime të tilla vijnë në kundërshtim me principet e një shteti ligjor e demokratik që ne kemi premtuar të ndërtojmë dhe se këto veprime e dukuri jane tipare të regjimeve diktatoriale, prandaj kërkoja që të merreshin masa sa nuk do ishte tepër vonë. Kjo letër nuk mori përgjigje me letër, por me kundërveprime dhe ftohjen e drejtuesve të shtetit ndaj meje dhe ndaj Kasacionit.
Konfliktet u ashpërsuan sidomos me pafajësinë që Kasacioni u dha dy gazetarëve, pastaj me çështjen e pesë minoritarëve, kërkesën për rigjykimin e Fatos Nanos për njërën nga akuzat, sepse akuza e dytë ishte e bazuar në ligj dhe në prova dhe nuk u kërkua rigjykim, me pafajësinë që fitoi Ismet Kryeziu e Lin Meshi etj. Berisha u tërbua edhe nga humbja e referendumit për Kushtetutën dhe meqënëse unë e kisha kritikuar publikisht atë projekt në disa aspekte, PD më akuzoi se unë isha shkaktari që populli e
votoi kundër. Po të ishte kështu, unë do isha vërtetë i lumtur. Por populli votoi kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes dhe as e kishte marrë mundimin për t'a lexuar Projektkushtetutën e Berishës. Berisha u bë si përbindësh edhe me suksesin e vizitës time dhe disa gjykatësve e nëpunësve të tjerë të Kasacionit në SHBA në Dhjetor 1994 dhe mbështetjen e madhe që qeveria e Presidentit Klinton po na jepte ne si gjyqësor.
Pak ditë pas kthimit nga ShBA, në seancën e fundit të Dhjetorit 1994, pa më njoftuar dhe pa kërkuar shpjegime nga unë, Parlamenti po diskutonte dhe votonte heqjen e imunitetit tim. Ndonëse PD kishte shumicën e cilësuar në Kuvend dhe mund ta hiqte imunitetin tim dhe të kujtdo pa votat e të tjerëve, Berisha dështoi dhe deputetët e PD nuk m'a hoqën imunitetin. E theksoj këtë për të vënë në pah se në Kuvendin e 1992-1996, PD kishte deputetë me integritet që nuk i bindeshin lehtë urdhërave të Sali Berishës. Disa prej tyre vinin edhe nga radhët e ish të dënuarve politikë dhe po e kuptonin se një diktaturë e re po i kanosej vendit. Opozita e asaj kohe mbrojti pavarësinë e gjykatave dhe asaj iu bashkuan edhe votat e disa deputetëve të PD. Edhe në tentativën tjetër për të më hequr imunitetin në 1995-ën, Berisha dështoi dhe humnbi me votat e demokratëve që mbrojtën jo mua, por pavarësinë e gjyqësorit.
Presioni, dhuna, kërcënimet dhe rrethimet policore të Gjykatës së Kasacionit që bëri Berisha dhe qeveria e komanduar prej tij në vitet 1994-1995 nuk ishin bërë as në kohën e diktaturës komuniste. Në luftën kundër Gjykatës së Kasacionit që po ngjallte besimin e popullit me vendimet e saj, Berisha kishte në krah edhe Gjykatën famëkeqe Kushtetuese, kryetari i të cilës më pas do shkarkohej si bashkëpunëtor i Sigurimit dhe mbase edhe më shumë se kaq. Për fatin e keq, Berisha arriti t'a përçante edhe vetë Gjykatën e Kasacionit dhe disa gjykatës të saj u bënë vegla të bindura të pushtetit dhe hynë në lojën e rrezikshme dhe aspak dinjitoze të Berishës. Më pas ata edhe u shpërblyen nga Berisha në mënyra të ndryshme dhe me poste më të larta. Prandaj edhe sot Berisha e ka nën thundrën e tij gjyqësorin, i cili po i shërben diktaturës me verbëri apo me përkushtim të plotë.
Dua të ndalem në një çështje që lidhet me gazetarët dhe që shënoi përplasjen time shumë të fortë me Presidetin. Trupi gjykues i Gjykatës së Kasacionit që unë e kryesova u dha pafajësinë dy gazetarëve të gazetës "Koha Jonë", Martin Leka e Aleksander Frangaj. Meqënëse gjykatat sot duket se nga mbrojtës të lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit që duhet të jenë, po bëjnë të kundërtën duke u bërë palë me dhunuesit e këtyre lirive dhe po dënojnë me gjoba galopante gazetarët dhe televizionet e pakta që nuk i janë nënshtruar diktaturës dua të flas pak për këtë çështje. Kur e mori vesh vendimin që Gjykata e Kasacionit dha, Berisha më merr në telefon dhe si me të bërtitur më thotë të shkoja në zyrën e tij.
Shkova dhe sapo hyra në zyrë më tha: "Pse u dhe pafajësi gazetarëve, pse nuk më pyete mua?" Pasi i shpjegova se vendimi ishte i bazuar në ligj dhe në prova, i thashë se vendimet e gjykatave nuk duhet të bazohen në urdhërat e askujt, pra as në urdhërat tuaja si President dhe unë kurrë nuk do pranoj urdhëra e diktate të tilla. Meqënëse ju kërkoni që të jeni edhe Kryetar i Kasacionit, atëherë merri çelësat e zyrës time dhe i lashë në tavolinën ku ishim ulur dhe i thashë se jap dorëheqjen që tani dhe dola në një sallë tjetër të Presidencës t'a shkruaja dorëheqjen. Ishte gjëja më e drejtë që duhej të bëja në atë situatë. Berisha më ndoqi nga pas dhe po më lutej të hyja në zyrën e tij dhe po më zgjaste çelësat. Isha në mëdyshje: Po të bëhej publik ky akt i imi do akuzohesha nga PD se po dëmtoja rëndë PD dhe demokracinë në Shqipëri. Ndërsa nuk ndieja aspak keqardhje që po dorëhiqesha nga një detyrë që ma dhanë si me zor sepse une vetë e kisha kundërshtuar Berishën dhe Selamin kur më thanë se donin të më propozonin për Kryetar Kasacioni. Një ndër arsyet që nuk e doja atë detyrë ishte dhe fakti se unë isha Kryetar i Komisionit te Ligjeve dhe deputet i PD, pra mbaja një post politik dhe ishte në interes të PD dhe gjithë Shqipërisë që Kryetari i Kasacionit nuk duhej të vinte nga rradhët e politikës. E si do të fitoja besimin e gjithë shqiptarëve se si Kryetar Kasacioni nuk përfaqësoja më PD-në dhe as ndikohem nga politika, por do t'i bindesha vetëm Kushtetutës, ligjeve dhe provave për çështjet që do gjykoja?
Opozita kishte të drejtë që votoi kundër meje kur u zgjodha Kryetar. Mbaj mend se në fjalën time të fundit në Parlament, më 23 Shtator 1993, kur u shpall rezultati i votimit dhe unë u zgjodha në detyrën e Kryetarit të Kasacionit ndër të tjera theksova: "Falenderoj të gjithë deputetët që votuan pro dhe kundër meje. Ju premtoj se në detyrën që sapo më besuat do të mbroj vetëm interesat ligjore të të gjithë shqiptarëve pa asnjë dallim dhe nuk do ndikohem nga asnjë motiv a përkatësi partiake. Tani unë jam Kryetar i Kasacionit të Shqipërisë dhe jo deputet i PD. Kërkoj ndihmën e gjithë deputetëve dhe institucioneve të tjera që të ndërtojmë një gjyqësor të pavarur e dinjitoz…". Koha provoi se këtë premtim që bëra para Parlamentit e mbajta, edhe pse me shumë luftë, kundërshti, keqkuptime dhe sakrifica. Dua që ky rast të nxisë gjyqtarët shqiptarë që të bëhen mbrojtës dhe jo burgatorë e ndëshkues të gazetarëve dhe medias së lirë e të pavarur.
Neser do te lexoni pjesen e dyte te Intervistes ku Zef Brozi komenton vendimin për Gjyqin e Gërdecit dhe për videon Meta-Prifti, Konsiderata e Juristit për partinë e Topit dhe vendimin e Gazmend Oketës, Si e sheh ai lëvizjen Aleanca Kuq e Zi, Ku gaboi Edi Rama si politikan dhe a mund të bëhet kryeministër, Kërcënimi për Berishën: Po erdhe në Senat, do të t'i them të gjitha në sy.
(sg/shqiptarja.com)