Zef Brozi: Vettingu në politikë bëhet kur të dënohen shkaktarët e Gërdecit dhe 21 janarit

Zef Brozi: Vettingu në politikë bëhet kur të dënohen shkaktarët e Gërdecit dhe 21 janarit

Zef Brozi, ish-kryetar i Gjykatës së Kasacionit

Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë, Zef Brozi ka folur për Vettingun në Shqipëri, përfshirë atë në sistemin e drejtësisë dhe të politikës. Brozi nuk ka munguar të vlerësojë si hap pozitiv këtë proces, ndonëse kërkon që të gjithë bashkë, shqiptarë dhe partnerë ndërkombëtarë të procedojnë më shpejt për kalimin në Vetting të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe ngritjen e SPAK e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ish-kreu i Kasacionit ka qënë kritik ndaj opozitës në lidhje me tentativat për të bllokuar këtë proces, ndërkohë që i referohet dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë Donald Lu kur thotë se politika, pa bërë asnjë përcaktim se cilit krah, ka frikë nga reforma në drejtësi. Brozi këmbëngul se duhet të marrë fund njëherë e mirë pandëshkueshmëria në Shqipëri dhe të paprekshmit duhet të dalin para drejtësisë.

Nga ana tjetër ai nuk ka munguar të shprehet se është e nevojshme që në Shqipëri, me kërkesë të palës shqiptare, SHBA dhe BE të sjellin prokurorë dhe gjyqtarë për të arrestuar njerëzit e inkriminuar apo “peshqit e mëdhenj” siç cilësohen tashmë.

Ndërkohë që ish kreu i Kasacionit nuk ngurron të shprehet se arkitektët dhe ekzekutorët e grushtit të shtetit më 14 shtator 1998 duhej të ishin në burg me kohë dhe jo të guxojnë sërish dhe të bëjnë thirrje për përmbysje sërish me grusht shteti sikurse po ndodh. Për Brozi dhe përgjegjësit e ngjarjeve të Gërdecit, 21 janarit, vjedhjes së Rrugës së Kombit duhet të dalin para drejtësisë.

Ndërsa në lidhje me Vettingun e politikës të kërkuar nga ana e opozitës, Brozi thotë se ai duhet të bëhet nga organet e drejtësisë së re dhe të reformuar dhe jo nga politika. Për më tepër që sipas tij nuk ka kuptim Vettingu pa hetimin e plotë të burimit të pasurisë së politikanëve.

Vettingu i drejtësisë shqiptare është në fazën kulminante të tij, ndërkohë që në “rrjetën” e këtij procesi kanë rënë pjesa më e madhe dhe figurat më të rëndësishme të gjykatës dhe Prokurorisë. Mendoni se po e arrin qëllimin Vettingu?
Reforma në Drejtësi dhe Vettingu janë një hap shumë pozitiv për Shqipërinë dhe qytetarët e saj dhe kanë filluar të japin rezultate. Por që t’ia arrijë qëllimit, Vettingu duhet të përshpejtohet dhe të bëhet jo për 5 vjet sa thuhet, por brenda 2-3 viteve. Për këtë është e nevojshme që Qeveria dhe Parlamenti të rrisin buxhetin për organet e Vettingut dhe të Reformës në Drejtësi, që ato të kenë  stafin e nevojshëm. Natyrisht që të gjitha institucionet përkatëse të cilat kanë rol në Vettingun e gjyqarëve dhe prokurorëve, si ato shqiptare ashtu edhe monitoruesit ndërkombëtarë, nuk duhet të  punojnë me hapin e “breshkës” si deri tani dhe duke u kënaqur me një a dy çështje në javë, por të  jenë shumë më produktivë dhe efektivë. Zvarritja e Reformës në Drejtësi dhe e Vettingut është kundër interesave të qytetarëve të Shqipërisë, cënon stabilitetin e shtetit të së drejtës, inkurajon krimin e korrupsionin, dhe i kushton edhe ekonomikisht shumë më  shtrenjtë ekonomisë së vendit e qytetarëve, SHBA-së dhe BE.

Opozita akuzon partnerët tanë ndërkombëtarë, mazhorancën por dhe organet e Vettingut se me këtë proces kanë bllokuar gjyqësorin dhe prokuroritë, pasi gati 80 përqind e atyre që kanë kaluar përmes Vettingut janë ‘djegur’. Ka bërë dëm në të vërtetë Vettingu?
Vettingu dhe Reforma në Drejtësi u bëjnë dëm vetëm të korruptuarve dhe të inkriminuarve, kushdoqofshin ata dhe i bëjnë shumë mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nëse qytetarët nuk kanë  besim tek gjykatat e prokuroritë sepse ato janë të zhytura në  korrupsion, atëhere largimi i atyre gjyqtarëve e prokurorëve të cilëve Vettingu u provon se janë të korruptuar apo pa integritet profesional ndikon shumë pozitivisht për “kurimin dhe shërimin” e institucioneve të drejtësisë. Bllokimin real të Gjyqësorit dhe Prokurorisë e ka sjellë korruptimi i tyre dhe sabotimi i reformës nga disa politikanë e pushtetarë që e kanë frikë Reformën në drejtësi. Normalisht, një opozitë  serioze dhe vizionare duhej të ishte më e interesuar se sa qeveria e mazhoranca për Vettingun dhe reformën në drejtesi. Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta.

Për të përballuar boshllëkun e krijuar është kërkuar me urgjencë miratimi i ligjit të Magjistraturës që opozita e refuzon. Mendoni se partnerët tanë ndërkombëtarë, qoftë dhe për një periudhë të shkurtër kohe mund të na ndihmojnë me ekspertë gjyqësorë dhe të organit të akuzës derisa të përgatiten të rinjtë?
Refuzimi dhe qëndrimi i opozitës ndaj Projekt-Ligjit për Shkollën e Magjistraturës janë  të  dëmshme dhe me pasoja të rënda për vendin dhe për vetë opozitën. Aq më  tepër kur me këto qëndrime opozita dëshmon edhe mosbesim ndaj brezit të ri të Shqipërisë. Duket se opozita me kryeneqësi e djallëzi kërkon të mbajë në gjyqësor e prokurori shërbëtorë të saj të korruptuar e inkriminuar që të përjetësojë statusin e mosndëshkimit të disa politikanëve dhe ish pushtetarëve të saj që duhet të përgjigjen para drejtësisë.

Mendoj se duhet të shtohet ndjeshëm numri i studentëve të Magjistraturës që të plotësohen kërkesat e gjykatave e prokurorive. Gjithashtu, sugjeroj që afati tre vjeçar i kësaj shkolle mund të  reduktohet në dy vite dhe programi akademik të mos përsërisë çfarë është bërë në fakultetin e drejtësisë.

Mendoni se partnerët tanë ndërkombëtarë, qoftë dhe për një periudhë të shkurtër kohe mund të na ndihmojnë me ekspertë gjyqësorë dhe prokurorë derisa të përgatiten të rinjtë?
Do të ishte një ndihmesë e madhe dhe efikase nëse Bashkimi Europian dhe qeveria Amerikane do të dërgonin në Shqipëri disa prokurorë, hetues dhe gjyqtarë me kompetenca të plota për hetimin e gjykimin e korrupsionit të pushtetarëve e ish pushtetarëve, terrorizmin dhe krimin e organizuar. Opozita dhe Mazhoranca është mirë t’ia bëjnë një kërkesë të tillë institucioneve përkatëse ndërkombëtare dhe të miratojnë ligjet përkatëse.

Po zvarritet shumë procesi i ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Mendoni se është politika e të dyja krahëve, në opozitë dhe në mazhorancë ajo që po përpiqet ta zvarrisë këtë proces?
Ambasadori dhe miku im i nderuar Donald Lu e theksoi këto ditë përsëri se disa në opozitë dhe  në mazhorancë e kanë frikë Reformën në Drejtësi. Dihet se opozita bëri gjithçka mundi dhe vazhdon të bëjë për ta sabotuar e penguar këtë refomë. Edhe bojkoti i Parlamentit që opozita po bën edhe këtë muaj është vazhdimësi e strategjisë së saj anti-reformë. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë  institucionet e reja që shpresojmë të bëjnë atë që i kërkohet Shqipërisë

për ndëshkimin e korrupsionit. Dihet se të korruptuarit e opozitës dhe mazhorancës do vazhdojnë  të pengojnë e zvarrisin me sa munden krijimin e këtyre organeve. Por ata nuk do të kenë sukses sepse Amerika dhe Bashkimi Europian janë të vendosur në krijimin dhe mbështetjen për këto dy institucione. Besoj se kryeministri Rama dhe ata politikanë që e duan reformën në drejtësi kërkojnë që SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit të krijohen dhe të fillojne funksionimin sa më shpejt.

Vihet re një stopim i dosjeve të rënda, duke filluar nga Gërdeci, 21Janari, Rruga e Kombit, afera e CEZ dhe dosje të tjera nga ana e Prokurorisë, e cila e ka tagrin derisa të ngrihet SPAK për t’i hapur ose për të vijuar, sëpaku me atë të aferës së CEZ. Qëndrimi juaj?
Hetimi, gjykimi dhe dënimi i ish-pushtetarëve a pushtetarëve të inkriminuar në këto çështje dhe disa krime të tjera të rënda janë jetike për shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe dhënien fund të statusit të mosndëshkimit të pushtetarëve të çdo kohe e rangu, pavarësisht nga përkatësitë partiake dhe bindjet politike. Vetëm atëherë mund të themi se po behet edhe Vettingu real i politikanëve, Vetting jo si ai pseudo-Vetting që opozita ka propaganduar këto ditë.

Vihet re një acarim i marrëdhënjeve mes opozitës dhe mazhorancës, ku kjo e fundit me një Berishë agresiv ka paralajmëruar trazira deri edhe thirrje për dhunë e grusht shteti..?
Për fatin e keq të qytetarëve të Shqipërisë arkitektët dhe ekzekutorët e grushtit të shtetit të 14 Shtatorit 1998 janë në Parlament dhe jo në burg ku duhej të ishin. Ata po bëjnë  thirrje për përmbysje me dhunë të pushtetit dhe mbase shpresojnë se edhe po të bëjnë përsëri grusht shteti ata nuk do të ndëshkohen, sepse mendojnë se do falen përsëri sikurse bëri qeveria socialiste dhe drejtësia e 1998- ës. Le t’ua themi prerazi se ajo soj tolerance anti-demokratike, anti-ligjore, anti-shqiptare dhe kriminale nuk do të lejohet më për askënd. Shqipëria nuk duron dhe as nuk do të  lejojë më përgjakje, djegie e shkatërrime si ato të 1996-ës, 1997-ës, 1998- ës, 2008-ës e 2011-ës. Qytetarët e Shqipërisë përditë e më shumë po e kuptojnë se nuk do ia lejojnë vetes të vriten e përgjaken për interesat e disa politikanëve a partive. Ndërsa SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe gjykatat e prokuroritë e reformuara do të jenë garantuese te demokracisë dhe shtetit të së  drejtës, jo vasalë të partive e politikanëve.

Meqënëse FBI ka nisur një hetim ndaj firmave lobuese në SHBA në favor të Bashës dhe Metës, por që dyshohet se janë para ruse dhe nga parajsat fiskale, por dhe në Shqipëri ka një hetim ndaj kreut të PD, sa mundësi ka që Shqipëria të penalizohet nga SHBA?
Shqipëria nuk besoj se do të ndëshkohet edhe më tej për krimet e korrupsionin e ndonjë a disa politikanëve të Shqipërisë, por ata individë (kushdoqofshin ata) natyrisht që duhet të përgjigjen para drejtësisë në Shqipëri, Amerikë e kudo tjetër. Ata tani do të fillojnë ta kene frikë ligjin dhe shtetin ligjor.

Opozita ka paraqitur një projekt-ligj për Vettingun e politikanëve. Cili  është opinioni juaj për këtë projekt-ligj?
Mendoj se Vettingu duhet bërë për këdo që ka privilegjin t’i besohet një detyrë e post publik, pra edhe për deputetët e politikanët e tjerë. Besoj se mjeti më efektiv për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të pushtetarëve e politikanëve është konfiskimi i pasurisë që ata kanë bërë me korrupsion e krim. Projekt-ligji i opozitës me sa kam lexuar nuk e trajton hetimin e pasurisë  së  politikanëve dhe familjarëve të tyre dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Gjithashtu, Vettingun e politikanëve nuk mund ta bëjnë dhe as nuk mund t’u besohet politikanëve. Nuk mundet fjala vjen, që Vettingun e kryeministrit të sotëm t’ia bëjë  një ish-president, ish-kryeministër e deputet, apo edhe kryeministri t’i bëjë Vettingun një ish-kryeministri. Një Vetting i tillë që synoka opozita do të shërbente si bunker tjetër për mbrojtjen dhe mosndëshkimin e politikanëve të korruptuar. Nëse politikanët e opozitës dhe mazhorances nuk kanë frikë Vettingun e tyre, atëhere le t’u bëhet Vettingu nga institucionet që po bëjnë  Vettingun në drejtësi dhe ashtu si po bëhet për prokurorët e gjyqtarët, por duke  vendosur edhe konfiskimin e pasurisë që politikanët nuk e justifikojnë të bërë me të ardhura të ligjshme.

SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe gjyqesori e prokuroria e reformuar dhe e pavarur duhet dhe mund të bëjnë Vettingun real të politikanëve e pushtetarëve të çdo kohe e përkatësie partiake, duke hetuar, gjykuar e denuar të korruptuarit dhe inkriminuarit. Dhe sidomos duke konfiskuar pasuritë e paligjshme të politikanëve, pushtetarëve e ish-pushtetarëve. Opozita e Mazhoranca, nëse nuk kanë  frikë, të ndihmojnë në shpejtimin e krijimit të SPAK dhe Byrosë  Kombëtare të Hetimit dhe jo t’i vonojnë e sabotojnë ato. Pastaj ne shpresojmë se do të fillojë  dhe vettingu efektiv e i vërtetë edhe për politikanët. Sidomos për ata që e quajnë veten të  Paprekshëm!/TemA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zaimi: 18/09/2018 02:12

    Z Zef te dija te zgjuar Po qenke mashe e Rames PSE NUK FLET TI PER KANABIZIMIN E VENDIT QE U VRANE SI EFEKT I DROGES ME DHJETRA TE RINJ DHE ME DHJETRA NE LUFTE ME PLUMBA NE KOKE ME LARJE HESPESH PER PUNE DROGE DHE ME KRYE TRAFIKANTIN SAJMIR TAHIRI SI STRUMULLAR KRYESOR I KANABIZIMIT TE VENDIT

    Përgjigju
  • zef zorra: 17/09/2018 14:41

    ik ore bajg maloku i flliqt, ti je gjak serbom...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki