Zef Mirdita, historiani i traditës 
shtigjeve të krishtërimit shqiptar 

Zef Mirdita, historiani i traditës <br />shtigjeve të krishtërimit shqiptar 
Një nga studiuesit më në zë në fushën e kërkimit shkencor dhe studimit të historisë dhe rolit qe ka luajtur krishtërimi dhe misionarët e saj në ruajtjen dhe zhvillimin e historisë dhe kulturës shqiptare është dhe i mirënjohuri Zef Mirdita. E kisha dëgjuar këtë historian të talentuar vite më parë kur u botua në Tiranë me 1981 vepra e tij historike “Studime dardane”, por brenda trojeve tona ai njihej pak ose aspak. Pata fatin e mirë që në vitin 1999, ipeshkvi i Kosovës Imzot Mark Sopi të më dërgonte librin e tij me studime “Krishtënizmi ndër shqiptar”, botuar në Zagreb me 1998.

Përmes tij njoha studiuesin e pasionuar, intelektualin e shquar dhe krijuesin e palodhur. Kam lexuar shumë vepra rreth historisë së krishtërimit nga autorët e mirënjohur Gaspër Gjini, Gjergj Gashi, Lush Gjergji, Dr. Shan Zefi, Ndue Dedaj etj, por vepra e Zef Mirditës është nga më të plotat për sa i përket trajtimit shkencor të fakteve dhe sintetizimit të dhënave arkivore për historinë e krishtërimit shqiptar.

Studiuesi i njohur Zef Deda-Mirdita lindi me 13 mars 1936 në qytetin e Prizrenit në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje ku u dallua për rezultate të larta, ndërsa gjimnazin klasik e kreu në Ister. Studimet e larta i përfundoi në Fakultetin Teologjik të Zagrebit ku u diplomua në fushën e filozofisë me 8 korrik 1965.

Me 8 shkurt 1966 kthehet në vendlindje dhe emërohet profesor në gjimazin e Prizrenit ku jep lëndën e historisë dhe sociologjisë. Krahas punës në gjimnazin e Prizrenit jepte leksione për studentët e filozofisë në universitetin e Prishtinës rreth historisë dhe albanologjisë në shqip dhe serbisht.

Profesori ynë i njohur dallohej për korrektësi e siguri në paraqitjen e fakteve historike, njeri i perkushtuar ndaj studimit të vertetave historike dhe rrenjeve historike dhe kulturore të treves nga pati prejardhjen familja e tij, prandaj me 01. 01. 1967, emërohet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës si asistent në degën e historisë së kohës së vjetër.

Puna dhe përpjekjet e tij kishin filluar të jepnin frytet e para. Tashmë ishte afirmuar si studiues i talentuar në fushën e albanalogjisë dhe historisë, prandaj bashkëpunon me shumë organe shtypi në Jugosllavi, Kosovë dhe Shqipëri. Madje këto organe shtypi shërbyen si trampolinë për të kaluar tek botimet e tij serioze dhe të thella me karakter kombëtar. Në vitin 1968 paraqiti tezën e doktoraturës me temë:”Dardanët dhe Dardania në antike” që e mbrojti me sukses me 03 nëntor 1972 dhe me 20 prill 1973 i jepet titulli “Doktor i shkencave historike”, në universitetin e Zagrebit.

Që nga ajo kohë shkallët e ngjitjes do të ishin të shpejta, pasi po atë vit i jepet titulli “docent” në fushën e historisë. Me 1978 është asistent profesor, me 1983 profesor ordinar i lëndës Historia e kohës së vjetër. Me 3 prill 1991 është anëtare korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Rreth vitit 1993, largohet nga Kosova për shkaqe politike dhe punësohet në Institutin e Historisë në Kroaci si këshilltar shkencor ku qëndroi rreth 4 vjet, pasi me 1997 fillon punë në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Osijekut ku jep lëndën e historisë së kohës së vjetër-lindjen e lashtë.

Por karriera e tij e suksesshme në fushën e letrave vazhdon më tej. Nga viti 1980-1990, për 10 vjet ka qënë anëtar i Komitetit Nacional të Jugosllavisë për Ballkanologji, ka qënë anëtar i redaksisë kosovare për Enciklopedinë e Jugosllavisë ku ka dhënë një kontribut mjaft të vlefshëm.

Ndërkaq me 1973 ka vizituar Shqipërinë dhe ka marrë pjesë në një ekspeditë arkeologjike e cila i dha mundësi të njihte më mirë historinë e prejardhjes së kombit të tij. U specializua me 1974 në Katedën e Historisë së Kohës së Vjetër pranë Universitetit të Romës “La Sapienza”, më pas kreu dhe dy specializime të tjera po në këtë fushë në vitet 1976-77 në Heidelberg dhe 1991-92 në Mynih të Gjermanisë.

Kjo i dha mundësi të njihte më mirë rrënjët historike të Arbërisë në raport me ato të vendeve të tjera të Ballkanit dhe Evropës gjë që u reflektua në veprat e tij të botuara më vonë. Përveç veprimtarisë arsimore dhe shkencore, mori pjesë edhe në shumë kongrese shkencore ndërkombëtare në Beograd, Ankara, Bukuresht, Insbruk, Dubronik, Mostar, Palermo, Prishtinë, Sofje, Zare, Shtutgard, Zagreb. Është autor i gjashtë librave dhe rreth 100 studimeve shkencore të ligjëruara dhe botuara në organe dhe revista të ndryshme shkencore në Ballkan dhe Evropë.

Ka botuar këto libra shkencore:1-“Studime dardane”, Prishtinë-1979, 2-“Antroponia e Dardanisë në kohën romake”, shqip-gjermanisht- Prishtinë 1981, 3-“Mitet dhe mitologjia në antike”, Prishtinë-1988, 4-“Historia e kishës në popullin shqiptar”Shkodër-1994, 5-“Krishtënizmi ndër shqiptarë”, Zagreb-1998, 6-“Religjioni dhe kultet e dardanëve dhe Dardanisë në antike”. Ai është autor i mjaft shkrimeve me temë historike që zënë fill që nga periudhat antike deri në ditët tona. Ka një aktivitet shkencor befasues.

Ngulmues i palodhur dhe i thellë në mendime. Punon me kujdes me faktin dhe argumentin historik. Kjo vihet re edhe tek punimet e tij shkencore të botuara në mjaft organe shtypi dhe të vlerësuara maksimalisht nga specialistët e fushës së historisë. Disa prej tyre janë:-“Ilirët dhe etnogjeneza e popullit shqiptar”, ”Seminari…”- Prishtinë nr. 1/1975, fq. 29, -“Terminologjia biblike në përkthimin e Kristoforidhit”, ”Seminari…”-Prishtinë nr. 10/1985, fq. 119, -“Elementet religjiozë në poezinë e Ndre Mjedës”, ”Seminari…”-Prishtinë nr. 12/1987 fq. 95, -“Aspekte teologjike në veprën e Pjetër Bogdanit”, seria historike, -Prishtinë nr. 19/1989 fq. 85. -“Katolicizmi dhe ortodoksia shqiptare” në BBF, Prishtinë nr. 20/1990, ”Prejardhja e dardanëve”, në “Gjurmime Albanologjike”- Prishtinë nr. 4/1973 etj, përmes tyre ai ka treguar se argumenti shkencor për tezat e hedhura është i pamohueshëm.

Gjermeve te Etnologjise dardane
Por vemendjen e prof. Zef Mirditës e tërhoqi etnogjeneza e trojeve shqiptare që nga lashtësia deri në ditët tona. Ilirët dhe lidhjet gjenetike të tyre me shqiptarët janë në qendër të veprës së tij “Studime dardane” botuar me 1979. Në këtë vepër autori hedh dritë dhe argumenton shkencërisht prejardhjen dhe lokalizimin e fisit të lashtë të dardanëve dhe trevës së tyre Dardanisë, duke kundërshtuar tezat armiqësore sllave se treva e Dardanisë është banuar vonë nga dardanët, pasi ata paskeshin ardhur si barbarë në Dardani.

Për ta vërtetuar këtë ai vë në bazë të analizës së rezultateve arkeologjike dhe të ligjshmërive gjuhësore dhe trajton çeshtjen e emërtimeve nacoinale arbëreshe dhe shqiptare, duke ardhur deri tek përfundimi se etnonimi arbëresh, mund të jetë në lidhje me emërtimin historikisht të dështuar të fisit të albanëve në hartën e Plolement dhe të toponimit Albanopolis”, që siç e pohon edhe Çabej lokalizohej në Zgërdhesh të Krujës. I kundërvihet kështu, pseudoshkrimtarit serb Gergo Novakut i cili e mohon kategorikisht prejardhjen ilire të dardanëve.

Nga ana tjetër problemi i etnogjenezës së dardanëve është studiuar në lidhje të ngushtë me çeshtjen e indoeuropianizimit, sepse siç pohon ai vetë:”…Indoeuropianizimi i gadishullit të Ballkanit ka filluar në periudhën kalimtare prej neolitit deri tek epoka e hekurit nën ndikimin e kulturës së religjionit të Pontit”.

 Në kontekstin historik dhe njerzor, përgjigja më e mirë kundër qarqeve të caktuara sllave është puna e tij këmbëngulëse për të zbuluar rrënjët e prejardhjes së dardanëve përmes një analize historike të pakundërshtueshme. Soloni, autor antik, mendon se dardanët janë pasardhës të trojanëve, kurse Straboni dhe Apioni i konsiderojnë dardanët ilire. Kundër tyre vihen Polibi dhe Livi. Këto kundërshti kanë bërë që disa shkencëtarë dhe historianë të përpiqen të mohojnë origjinën ilire të dardanëve.

Ndoshta kjo është arsyeja kryesore që G. Novak i ka konsideruar dardanët të ndarë nga ilirët duke krijuar dhe legjenda për ardhjen e ilirëve nga Kreta dhe Troja. Profesor Zefi bazuar në të verteta historike mendon se:”…Lëvizjet dhe dyndjet nga Azia mund të jenë bërë në lidhje me bredhjet e Eneut dhe heronjve të tjerë trojane…të cilët kishin origjinë ballkanike dhe dardane”. Ky është një fakt me shumë vlera historike që vërteton se dardanët kanë qënë dhe janë në trojet e tyre etnike para dyndjes së fiseve sllave në Ballkan.

Rrenjet e Krishterimit ne histori
Padyshim një nga veprat më të rëndesishme dhe më me vlera të autorit është “Krishtënizmi ndër shqiptarë”. Këtë vepër autori e kishte ruajtur thellë në shpirt për 30 vjet me radhë për të shpërthyer me rastin e 2000 vjetorit të përhapjes së Krishtërimit. Është kjo monografia më e kompletuar dhe më e plotë që është botuar deri më sot bazuar në të dhënat dhe zbulimet shkencore dhe historike për etapat e përhapjes dhe forcimit të besimit të krishterë në trojet arbërore.

Libri prej 443 faqesh është konceptuar si një pasqyrë e historisë së përhapjes së krishtërimit në popullin shqiptar që fillon me lindjen e krishtërimit duke u përqëndruar në problemet e kishës në Perandorinë Romake-pagane që fillon me lindjen e krishtërimit. Ashtu siç thotë edhe prof. Isak Ahmeti, katër janë çeshtjet që trajton autori:”Hyrje në historiografinë kishtare, periudha parakostandiniane, krishtërimi ndër shqiptarë që nga fillimi deri në ditët tona dhe roli i klerit dioçesan në zhvillimin e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare”.

 Në këtë vepër nga më të rëndësishmet për historinë e krishtërimit shqiptar, prof. Zef Mirdita përshkruan rrugën që ka ndjekur krishtërimi në trojet shqiptare që nga lindja e Krishtit deri në ditët tona. Ka qënë kisha dhe prelatet e saj qe kanë ruajtur thuajse të pacënuar kulturën autentike shqiptare gjatë shekujve. Madje ishin personalitetet kishtare që luftuan për përhapjen e kulturës, vetëdijes kombëtare, hapen shkolla dhe shërbyen në gjithë Shqipërinë si perçues të dijes.

Më tej ai gjen elemente të përbashkëta tradicionale të ardhur nga Iliria e lashtë deri në ditët tona siç është fenomeni i “Buzmit” që rrjedh nga mesjeta, duke vërtetuar kështu lashtësinë ilire të popullit shqiptar. Faktet janë të pamohueshme.

Populli shqiptar ka një histori të lashtë ekzistence dhe krishtërimi duke qënë nga ma të vjetrit në Ballkan. Këtë e thotë edhe prof. Zef Mirdita:”…Libri është konceptuar si një pasqyrë e historisë së besimit të krishterë të popullit shqiptarë gjatë shekujve në territorin albanofon, kuptohet përmes fakteve të pamohueshme historike”.

Njohës me rrenjë i historisë së kombit të vet, ai pohon një të vertetë historike tepër domethënëse, se feja e krishterë që sundoi në popullin shqiptarë që nga vizita e apostullit Palë ne Iliri e deri në vitin 313 kur perandori Kostandin me origjinë dardane vazhdoi të perhapet me shpejtësi edhe deri në ditët tona. Kjo nuk është feja e përhapur nga romakët, por është fe e lindur dhe zhvilluar mes popullit shqiptar.

Ky fakt përcaktohet nga autori si një nga momentet më vendimtare të përhapjes së krishtërimit pasi është periudha kur krishtërimi dhe kisha lokalizohen edhe në popullin shqiptar. Hapin e parë e bëri Papa Kaji me origjinë shqiptare nga Salona me 283 dhe më pas Kostandini i Madh, perandor me gjak ilir me 313 i jep kishës të drejtën qytetare dhe popullit të drejtën e besimit, kristian “Krishtënizmi tek ilirët është i kohës së apostujve”.

Duke njohur historinë e prejardhjes së kombit tonë, është e vërtetë se edhe tek populli shqiptar krishtënizmi fillon me apostujt Palë dhe Pjetër që e përhapën fenë e Krishtit edhe në Iliri. Po në lidhje me origjinën e ilirëve, historiani gjerman Schramm mendon se ato kanë origjinë thrakëse. Ai mendon se bartësit e kristianizmit të shqiptarët janë besët nje fis thrakas. Këtë tezë e hedh poshtë prof. Zefi kur thotë se:”…Nëse pranohet mendimi e tij, atëherë si të kuptohet martirizimi i Florit dhe Laurit në Ulpian që është i kohës së Trojanit, para fillimit të shek. II të erës kristiane…”. argument ky që natyrisht hedh dritë në të kundërtën e tezës së hedhur nga gjermani Schramm.

Duhet theksuar se për të njohur më mirë institucionet e kishës dhe rendët e ndryshme të kishës që kanë vepruar në Shqipëri autori i ka renditur ato sipas rëndësisë dhe vjetërsisë së tyre. Autori mendon se rendi i lashtë është ai i bazilianëve me themelues Shën Bazilin e Madh rreth viteve 300-379, ekzistenca e të cilit në Shqipëri është provuar. Rendet kishtare autori i ndan në:Bazilianët, benediktianët, dominikanët, françeskanët, jezuitët, salezianët. Pastaj vijnë rregulltarët që ndahen në:Stigmatinët, servitet dhe vinçencianët.

Rend i veçantë është kleri dioçesan ose shekulltar që luajti rol mjaft të rëndësishëm në përhapjen e kulturës fetare shqiptare. Të vërtetat historike janë të pamohueshme, po kështu të dhënat shkencore, faktet , argumentet që vertetojnë se prof. Zef Mirdita është nga studiuesit më të zellshëm dhe më të saktë në trevat shqiptare. Kontributi i tij është i paçmuar dhe kjo vepër do të mbetet në themelet e shkencës historike fetare shqiptare.

Nisur nga vlerat e tij Imzot Mark Sopi do të shkruante:”…Shihet se ai nuk e paraqet historinë e kishës vetëm si zhvillim organik të realitetit fillestarë, as vetëm si histori që i trajton përndjekjet e shumta që iu bënë të krishterëve, por dhe si histori të dobesive dhe kufizimit njerëzor…”.

Kësisoj ajo mbetet një vepër e rrallë, enciklopedike me vlera të papërsëritshme. Ndonse i vetëdijshëm për rëndësinë dhe vlerat e punës kërkimore dhe shkencore dhe vlerat e intelektualit në shoqëri perseri ai kërkon të mbushë një zbrazëti historike të rrënuar për 30 vjet me radhë. Prandaj mbetet një studiues origjinal në punë dhe i thellë në mendime duke qënë tepër i ndjeshëm ndaj argumenteve historike e shkencore.

Prof. Zef Mirdita që nga viti 1998, punon ne Universitetin e Osijekut si pedagog i lëndës së historisë së vjetër, por viziton shpesh Kosovën, vendlindjen e tij të dashur dhe Shqipërinë. Është krenar për prejardhjen e tij nga Mirdita, madje e pohon me krenari këtë fakt.

Megjithse afër të tetëdhjetave, prof. Zefi jep kontributin e tij të vyer në studimin e historiografisë shqiptare dhe zbulimin e rrënjëve të krishterimit shqiptar. Në vendin tonë pak njihet qoftë ai, qoftë vepra e tij, kjo si rezultat i politikës së gabuar të informimit publik për figurat më aktive dhe më të shquara të kombit tonë, një prej të cilëve është edhe studiuesi i talentuar dhe i paarritshëm në llojin e vet, prof. Zef Mirdita. 
Zef Mirdita

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës