Zef Zorba, letër gruas Tereza, në
një prej ditëve të trishta të regjimit

Zef Zorba, letër gruas Tereza, në<br />një prej ditëve të trishta të regjimit
Plot 23 vjet më parë u nda nga jeta një prej poetëve më të veçantë shqiptarë, e kaq pak të njohur edhe sot, Zef Zorbës, i cili nuk u pa asnjëherë me sy të mirë prej regjimit komunist. Ai u përball me dhunën dhe censurën që në vitin 1946, kur tentoi ti qasej veprës së Gjergj Fishtës, një autori që regjimi e kishte vënë në kryq ende pa u instaluar mirë.

Siç shkruan studiuesi Anton Çefa,  “Zef Zorba vuri në skenë pjesën dramatike “Juda Makabe” të Fishtës, e cila trajtonte luftën për çlirim dhe tradhtinë kombëtare, problemet më të mprehta kombëtare, në atë periudhe kur në fshatrat per rreth Shkodrës, në Postribë, në Malësi të Madhe dhe në Mirditë vlonte lufta për të mos rënë nën thundrën komuniste ose për ta përmbysur atë”.

Kjo vepër  ishte një prej shkaqeve që vuri në rreth të kuq fillimisht aktoren  Terezina Pali e pas pak edhe të  dashurin e saj regjisorin Zef Zorba. Ishte shtatori i vitit 1946.  U arrestuan të dy dhe përjetuan më tej gjithë vuajtjet që pasonin, gjyqeve e burgjeve. Por jeta nuk i ndau. Sapo fituan lirinë ata sërish u bashkuan duke ndërtuar vetë atë ‘botë’ që shoqëria dhe regjimi ua mohonin. 

Poeti hermetik, që punonte si llogaritar, pas daljes nga burgu, me një jetë në dukje të qetë e pa trazime, dëshmon në poezitë e tij shkruar e ruajtur në fshehtësi që u botuan vetëm në vitin 1994 në vëllimin “Buzë të ngrira në gaz”, se në jetën e tij pati revoltë dhe qetësia nuk ia behu më kurrë deri atëherë kur regjimi u rrëzua përfundimisht. 

Për ta kujtuar sot Zef Zorbën do të sjellim për lexuesit një letër, shkruar diku rreth vitit 1973, të cilën ai ia dërgonte së shoqes, Terezës, kur ajo ndodhet në spital, dhe ky i stërmunduar nga lodhja e punës së përditshme, nuk mund ta shihte për një farë kohe.Në të çdokush mund të shikojë vlerat e mëdha njerëzore përgjatë një kohe të trishtë e të zymtë, si dhe të vërejë mjeshtrinë e stilit bisedor, plot humor, që fsheh në mënyrë të përsosur tragjedinë sociale të bashkëqytetarëve tanë, në një prej periudhavë më të errëta e më të egra të regjimit diktatorial.
Ad.Pe.

 
Letra e plotë e dashtuna Tereza!
Pashë letrën tande. Kërkojshe me të shkrue unë e m’a thanë dhe varzat. Njëherë thashë me vete: “Ooo, dashka me i shkrue!” Mandej mendova e thashë prap me vete: “Jo, e bu!” Madje edhe përdrodha buzët, një herë, por ma në fund vendosa: uf, hajt mirë: po i shkruej  pra!” E kur mendova ma mirë e hoqa shprehjen “hajt mirë” e hoqa shprehjen “pra”, e mbeti vetëm “po i shkruej”.
E po të shkruej.
Pse?
     E mirë, për shumë arsye.
Uroj të bahesh mirë e të kthejsh me shëndet të plotë në shtëpi. Asht edhe puna se kam konstatue një gja që s’e kam pasë vu re ma parë. Ti e di, gjithmonë më asht dukë se po flej ma rahat kur kam të gjithë shtratin në dispozicion. E natyrshme, a  por jo?

Me tanë këto kambë të gjata që kam. Mirë po, parmbrami s’më merrte gjumi (ti e kupton, s’asht ndonjë gja e re pagjumësia te unë) e po rrotullohesha herë këndej, herë andej. Në një shenj kohe m’u duk se gjeta pozicionin ma të mirë: kisha shtri kambët tërthuer, dmth në pjesen tande të shtratit. “Prit – thashë me vete – t’a shof njëherë pozicionin që kam marrë”.

Pa levizë trupin ndeza dritën e konstatova se me të vertetë kisha ra sallki, por vendi jot ishte bosh. Thashë prap me vete: “Po unë gjithmonë kështu flejë, e ajo, e mbledhun pak në vetvete, më len shteg pa kundërshtim m’u hapë si më përshtatet ma mirë. “Eja, pra. Vendin e ke gjithmonë.

Mandej sot nadje mbasi hoqa dreqin e mallkuem me ba kafen, kur e shpraza në filxhan, ky u përmys e kafja u derdh mbi shtroje e përmbi libra, sepse tavolina mbushë me gjithfarë sendesh: pjata, libra, rraqe e njëqind mijë sende të tjera, nuk kishte vend të mjaftueshem ku me vendosë filxhanin.

Tash të kishesh qene ti në shtëpi, pikë e parë kafen m’a kishe pjekë ti, e pikë e dytë, të ishte derdhe sikurse u derdh, se paku unë do të kisha pasë kuej me i folë, kuej me iu drejtue me vrejtjet e mija etiko-estetike mbi shrregullimet, mbi marimangat, mbi edukaten, mbi kulturen, e magari tue i shoqnue vrejtjet me atë fjalorin e pasun timin që shpalosi në të tilla raste. Por tue mos qenë ti këtu e tanë ajo enfazë e apostrofimeve lartësisht artistike dramatike të mija shkoi bosh,  kumboj për pak sekonda nëpër kuzhinë, por mejti trishtueshem.

Qeni, që flente në divan, pati njëherë një tronditje, e m’u ba qefi në një farë mënyre sepse qe se pakut qenit i paskeshin ba përshtypje fjalët e mija, por s’kishte qenë ashtu si kujtova: atë e kishte pickue një plesht, sepse u vu m’u krue si mos të kishte ndodhë asgja me kafen. Atëhere sajova fraza edhe ma të ngjyrosuna ku futa përsonazhet e të tri poemave danteske, materiale organike dhe jo organike, figura të zymta rembrandiane, verizma leonardeske, sektorë të grumbullimit të hedhurinave… por s’bani pare. Ti s’ishe, e s’pati kush me reague, as me durue…
U detyrova me përsërit të gjitha operacionet për bamjen e kafes tjetër që doli krejt për dreq.

E s’po permendi mandej pullat që janë tue u keput si mos më kurrë, pantallonat, që mbasi hoqa të zitë e ullinit me i hekuros, kanë rezultue me dy vija, rroga e 15 ditëshit që ka mbarue qysh kur, e tjera, e tjera, e per të cilat gjana unë s’kam me kë zihem.

Por nejse, ti do të sherohesh e do te vish prap në shtëpi e çdo gja do të kthehet në rutinën  normale. Ndokuej edhe mund t’i duket anormale, por tue mbajtë parasysh se të tilla anormalitete janë ba normale, nuk ka asgja të çditshme në këto, apo jo! Asht puna si kur të mesohet veshi me disonanca e disakorde, vjen koha që këto të duken krejt normale, madje duken anormale konsonancat dhe akordet. Njashtu sikur të duket anormale  kur veshë këpucë të reja e s’din me ecë me ata as ku me i mbajtë kambët, kurse me ato të vjetrat je rahat që ç’ke me të.

Sa shtigje të vështira kemi kalue bashkë. Nganjëherë edhe çuditem me vetevete si kemi dalë m’anësh. E me ç’farë mjetesh? Gadi gjithmonë me aq pak sa që në çdo moment më dukesh se gjithçka  do të rroposej. Jetë e mundishme, por kush po i jep randësi. Na të dy si kemi vu randësi mungesave e mundit, e lodhjes kurrë e jo ma tash që na janë ba petk, pa vartësisht se forcat tona s ‘janë ma ato të dikurshmet, madje çdo ditë e me tepër vijnë tue u pakësue. Veçse vullnetin e kemi ende të ri, e kjo ka ma vlerë se çdo gja tjetër.............

E mandej edhe ne ndoshta na prihet mbarë e do të bahemi dikur me ble një radio gramafon Hi-Fi bashkë me një diskotekë të pasun simfonike. Plakemi: reumatizmat, stomaku e kushdi tjetër edhe mund të na trazojnë ndojherë, mbase herë mbas here dhe unë do të bahem nervoz………

Por mandej do të vejmë në gramafon diskun e poemës simfonike të Ravelit  “Nana ime, pata” e do t’a ndëgjojmë bashkë. Natyrisht ty, si e ke zakon, mbas pak batutash ka për të marrë gjumi në poltron (do të kemi poltrona, atëhere!) e do të vazhdojsh me pa andërr patën që struk nën flatra zogjkat e veta. E mua do të më marrë gazi.

Pardje kam ndie se mjelmat jetojshin deri në njëqind vjet dhe se çifti që bashkohet një herë në rini nuk ndahet kurrë ma për tanë jetën.
A të kam shkrue mjaft tash! Madje po me vjen disi marre se kam shkrue gjatë si sot  e njëzet e sa vjet ma parë.

E mos u ban e marrë.

zef


HENE TE REJA
 
Tash qiellnash enden
me qindra hënë
të reja.
 
Njeriu s’krijoka tjetër veçse kobe:
Çelik e gizë e refraktarë;
zogjtë artificialë,
lindur ndër ofiçina-inkubatriçe,
si hëna tokën përgjojnë,
e përpunojnë
epshe tinzare
trofesh e përdhunimesh.
 
E kush s’i ka të vetat këto hënë
vihe e sendërgjon
namë e terratisje.
 
 
NJE GOZHDE
 
Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë
e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur…
 
Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë
e futur thellë në mur, një gozhdë e futur.
 
Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë
e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur.
 
e ngulurthik…
e futur thellë…
e mbetur thatë…
 
 
RRUGET NE VJESHTE
 
Hone të ndërlikuar
ku era faliset
e mbledh ndër praqe dyersh
shtëllunga gjethesh të thatë
përralla të marra.
 
 
SHAKESPEARE
 
Je kryqi im;
ngërthyer me pezëm,
në skaj të murit, lart
-shkarravinë e zezë
përbluan pusi.
 
Ah, shporru, shporru; ja, pritë!
 
Por menjëherë
fijet e këputura vihesh e lidhë
 
 e endë, e endë, e endë…
 
 
 
TJERA BLERIME
 
– Terezës –
 
Si lule dylli gjethet
veshur me vapë e t’zberë
e nuk lëvizin…
e merrnin frymë me zor
e…oh…
S’andejmi
ku paskeshim ngelur kujtesë brymore
zgjohen flauri
tjera blerime,
rinore
(A të kujtohet? Atë verë
burimet heshtja na i trazonte.
Këndoja vijat e fatit
në dorën tënde flakë.
Endeshin rrugësh të çuditshme,
pa folë.
 
Pastaj, n’teatër; një Gjido
i larë me djersë
përpëlitej i falisur.
Ti shkuleshe n’gaz me të madhe,
por në sy të vetëtinte
stuhia e Shtatorit..
A të kujtohet?)

 
Zef Zorba lindi më 1920 në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare. Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovas në Itali.

I ndërpret studimet më 1943 për arsye të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke. Në vitet 1945-1946 punësohet si regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramatike me tingëllim të qartë desident si "Juda Makabe" e Fishtës, "Armiku i Popullit" I Ibsenit etj. Ndoshta edhe për këtë arsye arrestohet më 1946 dhe burgoset nën akuzën e agjitacion e propagandës.

Vuan dënimin ndër kampet e punës dhe "riedukimit" deri në vitin 1951. Më vonë punon ndër ndërrmarrje të rrethit të Shkodrës si logaritar deri në vitin 1980, kur dhe pensionohet.

Ndërron jetë në janar 1993 në Shkodër. Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e intelektualit të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë modernë duke përkthyer poetë të tillë si R. Frost, Xh. Ungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T.S. Eliot, dramaturgë si Shou, Pirandelo, Uelld, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj..

zef
 
dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Nesër Pashkët Ortodokse, Kryepiskopi Anastas: Vëmendja në Ukrainë dhe Gaza! Uron Nikolla e Meta: Begati në familjet tuaja

Nesër Pashkët Ortodokse, Kryepiskopi Anastas: Vëmendja në Ukrainë dhe Gaza! Uron Nikolla e Meta: Begati në familjet tuaja