Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka dërguar një letër presidentit amerikan Donald Trump ku kërkon më shumë mbështetje ushtarake për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, mes intensifikimit të sulmeve ruse dhe frikës për një valë të re bombardimesh ndaj Kievit.
Sipas raportimeve, Zelensky ka paralajmëruar për mungesë serioze të sistemeve të mbrojtjes kundër raketave balistike, sidomos të interceptorëve Patriot dhe armëve të tjera të prodhimit perëndimor. Në letrën drejtuar Trump, lideri ukrainas thekson se Ukraina mbështetet pothuajse tërësisht te SHBA për t’u mbrojtur nga raketat balistike ruse.
“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen ajrore ndaj raketave, ne mbështetemi te miqtë tanë. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen nga raketat balistike, ne mbështetemi pothuajse ekskluzivisht te Shtetet e Bashkuara”, thuhet në mesazhin e Zelenskyt.
Apeli vjen në një moment kur Moska ka shtuar ndjeshëm sulmet ajrore ndaj Ukrainës dhe ka paralajmëruar goditje të tjera ndaj asaj që i quan “qendra vendimmarrëse” në Kiev. Autoritetet ukrainase druhen se furnizimet aktuale me sisteme mbrojtëse nuk do të mjaftojnë për të përballuar ritmin e bombardimeve ruse.
Ndërkohë, ambasadorja ukrainase në SHBA, Olha Stefanishyna, raportohet se ua ka shpërndarë letrën Shtëpisë së Bardhë, kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson dhe anëtarëve të Kongresit amerikan.
Në të njëjtën kohë, Ukraina po has vështirësi edhe në sigurimin e armëve përmes programit PURL, që u lejon aleatëve të NATO-s të financojnë blerjen e armëve amerikane për Kievin. Zelensky paralajmëron se ritmi aktual i dërgesave nuk po ecën më në të njëjtin hap me kërcënimin real që përballet vendi.
“Ju kërkoj ndihmë për të mbrojtur qiellin e Ukrainës nga raketat ruse”, shkruan presidenti ukrainas në fund të letrës.
Komente






