Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ndarë një video në rrjetet sociale të një droni që sulmon një burrë në jug të Ukrainës.

Në shkrimin krah videos, Zelensky shkruan se përmes pamjeve është paraqitur një shembull tipik i një sulmi “safari” rus kundër civilëve.

Videoja tregon dronin duke ndjekur një shitës ambulant në një rrugë qyteti në rajonin e Khersonit.

Burri përpiqet të largohet nga droni që qëndron pezull sipër tij, por mjeti fluturues e ndjek nga pas. Më pas ai vrapon rreth një furgoni të bardhë, por droni bie mbi të dhe shpërthen pas përplasjes.

Burri shpëtoi me plagë të shumta, tronditje dhe trauma, tha një mjek. Ndonjëherë i quajtur “safari njerëzor”, vendosja e dronëve të telekomanduar kundër civilëve është përdorur shpesh nga rusët për të tmerruar banorët e zonave të vijës së frontit në Ukrainë.

“Bota duhet ta shohë këtë,” shkroi Zelensky në Telegram. “Duhet të shohë çdo provë që Rusia është çmendur dhe çdo fakt që ushtarët rusë po shijojnë vrasjet dhe torturimin e njerëzve”, shtoi ai.

Videoja tregonte një “krim barbar lufte”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës Andrii Sybiha.

Safarit ishin një “strategji e qëllimshme dhe sistematike ruse”, tha Sybiha. “Sadisti që drejton këtë dron e di shumë mirë se po synon një civil.”

Ai shtoi se sulmi ishte pjesë e një fushate të qëllimshme ruse për të frikësuar civilët dhe kërkoi dënim ndërkombëtar.