Zelensky: Zgjedhjet në Ukrainë mund të mbahen këtë vit, nëse hiqet gjendja e luftës

Zelensky: Zgjedhjet në Ukrainë mund të mbahen këtë vit, nëse hiqet gjendja e luftës

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale mund të mbahen këtë vit, nëse bisedimet i japin fund “fazës së nxehtë” të luftës me Rusinë, duke e mundësuar heqjen e gjendjes së luftës.

Duke folur në një intervistë të transmetuar në televizionin ukrainas më 2 janar, Zelensky tha se mbajtja e zgjedhjet të shtyra për kohë të gjatë do të varet nga pozita në të cilën do ta gjejë veten Ukraina pas ndonjë marrëveshjeje për përfundimin e luftës për zmbrapsjen e trupave pushtuese ruse.

“Sa i përket vitit 2025, nëse ia dalim t’i japim fund fazës së nxehtë të luftës për Ukrainën; nëse e arrijmë këtë së bashku me një ushtri të fuqishme, me një paketë të madhe armatimi dhe me garanci të forta për sigurinë, atëherë ato [zgjedhjet] do të ndodhin”, tha Zelensky.

“Pas kësaj, në parim, ne mund ta mendojmë shfuqizimin e gjendjes së luftës në Ukrainë. Sapo kjo të ndodhë, topi do të jetë në fushën e Parlamentit, i cili mund ta caktojë pastaj një datë për zgjedhje. Mendoj se nuk ka nevojë të presim me vite [për zgjedhje] kur të hiqet gjendja e luftës”, shtoi ai.

Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt përfundoi më 20 maj 2024.

Zelensky, 46-vjeçar, nuk tregoi nëse do të kërkojë ndonjë mandat tjetër si lider i vendit.

“Nëse bëj më shumë se çfarë mundem, atëherë mbase do ta marrë ketë vendim më me pozitivitet. Sot, ky nuk është synimi im”, theksoi ai.

Zgjedhjet presidenciale duhej të mbaheshin në mars apo prill 2024, por ato u shtynë për shkak se vendi është ende në gjendje lufte.

Sipas Kushtetutës së Ukrainës, Zelensky duhet patjetër të vazhdojë t’i kryejë detyrat e presidentit derisa të zgjidhet lideri i ri i shtetit.

Zgjedhjet parlamentare duhej të mbaheshin më 29 tetor 2023, por edhe ato u shtynë për shkak të zbatimit të gjendjes së luftës.

Ukraina është në gjendje lufte prej se Rusia e nisi pushtimin e saj në shkurt të vitit 2022. Zbatimi i saj është zgjatur për periudha prej 90 ditësh plot 13 herë nga Parlamenti.

Ligjvënësit duhet ta ndryshojnë ligjin për ta mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës.

Shumë analistë dhe politikanë kanë ngritur shqetësime mbi sigurinë, zhvendosjen e votuesve dhe infrastrukturën si pengesa kryesore për mbajtjen e zgjedhjeve legjitime në Ukrainë në rrethanat e tanishme.

Derisa Rusia e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Zelenskyt për shkak të shtyrjes së zgjedhjeve, Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim për statusin e tij si lider i Ukrainës, ndërsa Kombet e Bashkuara e kanë mbështetur duke thënë se Zelensky "mbetet... personi me të cilin sekretari i Përgjithshëm komunikon kur ka nevojë të kontaktojë udhëheqësin ukrainas"./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Si u rekrutua kompania maqedonase për ushtrinë mercenare ruse Wagner

Si u rekrutua kompania maqedonase për ushtrinë mercenare ruse Wagner