Ky 7 Mars e gjen Mirela Kumbaron në krye të Ministrisë së Arsimit duke simbolizuar një moment të veçantë për të, ndërsa thekson se fatmirësisht ka rritje të pagave të tyre dhe zgjidhje ligjore për ngërçet e mëparshme.

Ajo solli në vëmendje edhe sfidat me të cilat haset mësuesia sot. Në përfundim, falënderoi veçanërisht mësuesit e lindur pas viteve ’90 që kanë zgjedhur këtë profesion duke sjellë energji të reja.

“Të dashur mësues,

Këtë vit, detyra ma kërkon t’ju drejtohem si ministre, por zemra më shtyn t’ju flas si një prej jush. Sepse arsimi është një profesion që vërtet ushtrohet deri në një farë moshe, por realisht mbetet një mision që të shoqëron gjatë gjithë jetës dhe modeli i secilit përcillet ndër breza. Më vjen mirë që ky 7 Mars, ju gjen më të vlerësuar, me paga të rritura, falë një tjetër rritjeje që ka nisur që nga janari; me disa nga ngërçet ligjore të zgjidhura për mësuesit e diplomuar para vitit 2017, me përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar mjediset ku zhvillohet procesi mësimor, me personel mbështetës që lehtëson punën tuaj. Por, mbi të gjitha, ju gjejmë me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën përgjegjësi të madhe që mbart profesioni i mësuesit. Një përgjegjësi që zyrtarisht mund të mbyllet në orën 2 apo 3 të pasdites, por që në të vërtetë vazhdon moralisht gjatë gjithë ditës – 24 orë në 24. Ne e dimë se në një kohë ku teknologjia shpesh konkurron vëmendjen dhe durimin e nxënësve, nuk është e lehtë të jesh mësues, por roli juaj bëhet edhe më i rëndësishëm: të orientoni brezat e rinj drejt dijes, mendimit kritik dhe vlerave që ndërtojnë një shoqëri më të mirë. Në këtë ditë të rëndësishme për arsimin shqiptar, dua t’ju shpreh mirënjohjen më të sinqertë për punën tuaj të palodhur, për durimin, për dashurinë dhe për besimin që i jepni çdo ditë brezit të ri. Një falënderim të veçantë e kam për mësuesit e rinj, për ata që kanë lindur pas viteve ’90 dhe që, në një botë plot mundësi e zgjedhje të tjera profesionale, kanë vendosur të zgjedhin pikërisht mësuesinë.  T’ju kemi ju në shkolla është një shenjë shprese për arsimin shqiptar, sepse sillni energji të reja, ide të reja dhe një mënyrë të re komunikimi me brezin e nxënësve që po rritet sot. Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit! Faleminderit për gjithçka që bëni për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ju paçim të palodhur, me shpirtin plot dritë e me pasion të pashtershëm”, shprehet Kumbaro.


Lajmi kryesor:

7 Marsi, politika uron mësuesit: Mirënjohje për gjithçka bëni!