Zemra, Prof.Goda: Kostot 60% më e ulëta
se ato që ofrohen sot në privat

Zemra, Prof.Goda: Kostot 60% më e ulëta<br />se ato që ofrohen sot në privat
TIRANE- Sëmundjet e zemrës listohen të parat në vendin tonë, dukë shënuar kështu numrin më të madh të pacientëve. Për pasojë edhe nevoja për mjekim dhe kryerje të interventeve në to është edhe më e lartë. Për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë së bashku me mjekët kardiologë në QSUT kanë hartuar dhe përcaktuar kostot e këtyre paketave të shërbimit. Kardiologu i njohur Prof. Dr. Artan Goda në një intervistë për “Shqiptarja.com” tregon se kostot e nxjerra nga grupi i punës janë rreth 60 për qind më e ulët se ajo që ofrohet sot në sistemin privat. Kjo është kosto bazale e procedurës, pra flitet për kosto të procedurës dhe këtu nuk përfshihen ditët e qëndrimit në spital dhe analizat paraprake që kryen pacienti. Por ,si do të rritet kapaciteti dhe sa intervente pritet të shtohen këtë vit? Kardoligu jep të gjitha detajet por  tregon edhe nevojat që ka sot vendi jonë.
 
Profesor, paketa e kardiologjisë është një nga më të rëndësishmet si nga numri i pacientëve që trajton, po ashtu edhe nga numri i interventeve që ajo përmban, konkretisht sa lloje ndërhyrjesh parashikohet të ketë kjo paketë?
Kjo paketë përfshin dy sektorë, përfshin sektorin e kardiologjisë intervencionuese dhe sektorin e kardiokirurgjisë. Secili nga këto dy sektorë ka nga tre paketa dhe konkretisht, në kardiologjinë intervecionuese ka kryerjen si procedurë të angiografisë koronare (koronarografisë), vendosja e stendave dhe vendosja me ballon të ngushtimeve të arterieve koronare dhe e fundit, përcaktimi i kostos së implementimit të pesmekerit definitiv, që është praktikisht kuruesi i vetëm i aritmive ose blloqeve të sistemit elektrik të zemrës, që konsiston në bllokimin e rrahjeve të zemrës. Ndërsa, nëntipi i dytë, kardiokirurgjia ka paraqitur tre paketa, e para për bypassin arto-koronar, e dyta për sëmundjet valvulare  dhe e treta për sëmundjet e lindura të zemrës.
 
Si janë përcaktuar, kostot si janë ato?
Kostot janë përcaktuar duke pasur në konsideratë shpenzimet që bëhen për realizimin e këtyre procedurave. Shpenzimet janë ndarë në 4 njësi madhore. E para është kosto e materialeve të cilat përdoren në secilën nga procedurat. E dyta është kosto e aparaturës e cila përdoret për realizimin e këtyre procedurave dhe e servisit teknik që kanë nevojë këto aparate. Pjesa e tretë përfshin të gjitha ato shpenzimet që quhen indirekte që kanë të bëjnë me ndërtesën, me shpenzimet për energjinë elektrike, ujin, rojet, sterilizimin, lavanderinë, administratën që punon në spitalet ku realizohen këto intervente. Kurse kostoja e katërt përfshin koston e burimeve njerëzore, pra mjekut operator, të asistentit të tij, të infermierëve, teknikëve radiologjikë, e gjithë personelit tjetër që shërben për realizimin e këtyre procedurave.
 
Sa është numri i interventeve kardiologjike që kryhen brenda një viti në vendin tonë?  
Numri i ndërhyrjeve si në kardiologjinë intervencionuese, ashtu edhe në kardiokirugji është rritur në mënyrë eksponenciale në 10 vitet e fundit. Mund të konsiderohet që ky numër sot është 10 herë më i lartë se sa 10 vjet më parë si në njërin sektor, ashtu edhe në tjetrin. Gjatë vitit vitit 2013 janë realizuar në total 4800 procedura në kardiologjinë intervencionuese dhe në vitin 2014 pritet dhe ritmet janë të tilla që të realizohen rreth 6 mijë procedura. Ndërsa sa i përket ndërhyrjeve kirurgjikale, gjatë vitit të kaluar janë realizuar rreth 600 intervente me zemër të hapur në kardiokirurgji në sistemin publik dhe një numër deri në 300 intervente në sistemin privat. Por pritet që ky numër të ketë një rritje prej 10 për qind në vitin 2014.
 
Kostot e nxjerra nga grupi juaj i punës, si janë të krahasuara me ato që ofron sistemi privat sot?
Kostot që janë realizuar nga grupi jonë i punës sigurisht që janë më të ulëta se ato që paguan i sëmuri në sistemin privat dhe kjo ka lidhje ka me disa kompletë. Kosto që kemi realizuar ne merr në konsideratë një pagesë për burimet njerëzore që sistemi publik është mjaft më ulët se sa sistemi privat. Kostoja në sistemin privat merr në konsideratë një hoteleri të ndryshme nga ajo e sistemi publik, dhe sigurisht kosto totale e llogaritur për procedurë është më e ulët se sa ajo që paguan sot i sëmuri në sistemin privat. Nëse do të themi me përqindje kosto e llogaritur nga ne është rreth 60 për qind më e ulët se ajo që ofrohet sot në sistemin privat. Kjo është kosto bazale e procedurës, pra ne flasim për kosto të procedurës dhe këtu nuk përfshihen ditët e qëndrimit në spital dhe analizat paraprake që kryen pacienti.
 
Po flasim që këtë vit do të ketë rritje të numrit të interventeve, por sa është kapaciteti a mundet që ne të përballojmë rritjen e numrit të pacientëve?
Kapaciteti aktual në spitalin publik sa i përket kardiologjisë intervencionuese me kushtet që kemi aktualisht realizon afër gjysmën e procedurave, dhe në kardiokirurgji rreth 60 % të këtyre procedurave. Në vitin 2014 supozohet që spitali publik të jetë me dy salla, nga një që ka aktualisht, realizon rreth 3000 raste, ndërkohë që vitin e kaluar ka realizuar rreth 2100 raste. Pra kemi një rritje me mbi 30 për qind të këtyre procedurave që shpresohet të realizohet gjatë këtij viti. Por me ndërmarrjen e disa aksioneve të mundshme dhe të shpejta të cilat do të kishin një impakt shumë të rëndësishëm se në rritjen e  numrit të këtyre procedurave të kardiologjisë intervencionuese në shërbimin publik, si numër mund të rritet në 5 mijë. Aktualisht janë marrë disa veprime të mundshme, siç janë rritja e buxhetit pr materialet e konsumit të domosdoshme për këto procedura.

E dyta rritja e numrit të personelit të specializuar, infermierë dhe doktorë në këto struktura, së treti shtrirja e këtij shërbimi për rastet emergjente në orët e pasdites vonë dhe të natës. E rëndësishme është edhe vendosja në punë e sallës së re të karteterizimit të zemrës që ndodhet në Spitalin e Sanatoriumit e cila pret të fillojë punën, pas plotësimit me mjek dhe materiale konsumi. Kjo do ta çonte rritjen e numrit të këtyre interventeve nga 3 mijë në 5 mijë, ndërkohë që vendi ynë pritet që të realizojë rreth 6 mijë ndërhyrje gjatë vitit 2014, por nevoja është 10 mijë deri në 12 mijë procedura të kësaj natyre në vit për vendin tonë.  

Shkrimi u publikua sot (6.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'