Zonja Luka, nga media italiane mësuam që jeni vlerësuar me "Mirënjohje" nga bashkia e Celino San Marko, që është vendlindja e këngëtarit të famshëm Italian, Al Bano Karrisi. Është ky një event i rëndësishëm për ju si gazetare?
Ju shpreh mirënjohjen që kërkuat një prononcim prej meje, por unë do të thosha, sigurisht nëse ju e dëshironi këtë, që më parë të shprehem rreth veprimtarisë kulturore-artistike që u bë, planifikuar që më 14 maj, ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës prof.Bamir Topi dhe zonja e parë Teuta Topi
Atëherë dua të informoj lexuesin tuaj të nderuar se më 16 korrik, bashkia e Celino San Markos në rajonin e Puljas, që është edhe vendlindja e këngëtarit të madh italian Al Bano Karrisi, u organizua një veprimtari e gjerë kulturore-artistike Itali-Shqipëri: miqësia mes dy popujve". Si i ftuar i nderit ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi, zonja e Parë Teuta Topi dhe delegacioni shtetëror që e shoqëronte. Në prani të Presidentit të Pronvincës së Brindizit, Masimo Ferrareze, Kryebashkiakut të Çelino San Markos, Françesko Kashione, autoriteteve të ndryshme vendore të Brindizit, si dhe me pjesëmarrjen e këngëtarit italian me famë botërore me lidhje të forta me Shqipërinë, Al Bano Karrizi dhe artistësh të tjerë shqiptaro-italianë, Presidenti i Republikës u vlerësua për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë si Kryetar i Shtetit Shqiptar për thellimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të gjithanshme mes Italisë dhe Shqipërisë si dhe për forcimin e urave të miqësisë mes dy popujve fqinjë me lidhje tradicionale e historike miqësie dhe bashkëveprimi.
Mund të ndalemi tek aktiviteti kulturor-artistik që u zhvillua. Cilët ishin elementët e tij dhe çfarë synoi?
Ishte një aktivitet që zgjati dy orë, ku kish një pjesëmarrje të gjerë të banorëve vendas, por edhe artistë e shkrimtarë shqiptarë. Së pari u trasmetua filmi dokumentar "Al Bano dhe Albania", që tregonte lidhjet shpirtërore të këngëtarit të famshëm me Shqipërinë që zënë fill me të atin e tij, Don Karmelo, që u dërgua ushtar në Luftën e Dytë Botërore, për të luftuar në Shqipëri. Pas kësaj i erdhi radha promovimit të librit tim, tashmë të përkthyer në gjuhën italiane nga Laura Kule titulluar "Dashuri shqiptare për Al Bano". Më parë dua t'ju them se në hollin e sallës moderne të bashkisë ishin ekspozuar jo vetëm libri që u promovua aty, por edhe botime të tjera që ka bërë shoqata kulturore "Al Bano Karrisi", përgjatë 16 viteve që kryen aktivitetin jo vetëm në Vlorë dhe në Shqipëri, por edhe në Itali e vende të tjera. Gjithashtu, me këtë rast, Kryetari i Shtetit shqiptar nderoi me Urdhrin "Mjeshtër i Madh" pianisten shqiptare Aksinja Xhoja me motivacionin: "Artistes së shquar e të talentuar, që ka dhënë një kontribut të çmuar për të ngritur imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Itali dhe në shumë vende të botës; intelektuales atdhetare dhe veprimtares shoqërore që përpiqet papushuar për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis dy vendeve fqinje, Shqipërisë dhe Italisë.
Cilat janë botimet?
Pas formimit të shoqatës kulturore "Al Bano dhe Romina", në Vlorë në janar të 1996-tës, përkthyem nga gjuha italiane librin biografik të çiftit titulluar "Al Bano & Romina Pouer".
Me rastin e 65 vjetorit të lindjes së këngëtarit u botua libri "Al Bano & Albania", që u promovua në maj të vitit 2008 në Vlorë, ku mori pjesë edhe vetë Al Bano. Me këtë rast, me propozim të shoqatës, këngëtari i famshëm Italian u nderua me "Mirënjohje" të qytetit të Vlorës. Libri "Kjo është jeta ime", që është përkthimi i librit shkruar nga Al Bano, po me të njëjtin titull, u promovua në Tiranë në shtator të 2009, me rastin e 20 vjetorit të koncertit të parë që dha Al Bano në shtator të vitit 1989.
Ishte i pranishëm edhe këngëtari, që u ftua nga shoqata për të dhënë koncert, pikërisht në ditën e 20 vjetorit të koncertit që u dha në pallatin e Kongreseve dhe stadiumin "Qemal Stafa"
Libri i katërt është " L' amore Albanese për Al Bano (Dashuri shqiptare për Al Bano), që u promovua në Celino.
Cfarë emocionesh përjetuat?
Janë të papërshkruara, të paharruara në jetën time. Prania e Presidentit të të vendit tim, prof.Bamir Topi dhe zonjës së Parë Teuta Topi, e këngëtarit që e kemi idhull Al Bano si dhe personalitete të tjera të Rajonit të Puljas, por edhe disa artistëve shqiptarë, sigurisht ngritën në nivelet më të larta veprimtarinë. Sigurisht fjala ime ishte e mbushur me emocion. Kujtoj që kam përfunduar se me këtë libër Al Bano dhe lexuesi italian do të kuptojnë në gjuhën e tyre se në çfarë përmasash është dashuria shqiptare për këngëtarin e famshëm italian, emri i të cilit simbolizon vendin tim, duke shprehur mirënjohjen e thellë për të atin e tij, Karmelo Karrisi, një burrë human, që flaku pushkën që i kish dhënë qeveria e tij për të vrarë shqiptarët dhe u shndërrua në një gur themeli në miqësinë mes dy popujve tanë". Por emocioni i promovimit të librit do të pasohej nga një tjetër emocion i madh, që për mua ishte surprizë.
Që ishte?
Kur kryetari i bashkisë dhe Al Bano u ngjitën në skenë dhe thirrën emrin tim, gati u pengova dhe rashë. Në këtë vlerësim shprehej "Mirënjohje" për gjithçka është bërë me shoqatën për këngëtarin Al Bano, që konsiderohet një urë e rëndësishme e miqësisë midis dy vendeve tona. Prekëse ishin për mua castet kur personalitetet e pranishme, pjesëtarë të administratës së bashkisë e mbi të gjitha banorët e Celinos, kishin zënë rradhë me librin në dorë dhe prisnin autograf prej meje.
Jeni vlerësuar herë tjetër?
Të njetat emocione provova edhe në muajin nëntor të vitit të kaluar në Pekin, ku nga 300 lidere pjesmarrëse në Forumin botëror të gruas, bëhej fjalë për zonja të para, parlamentare të Europës, shkencëtare, unë pata fatin e madh që të jem në dhjetëshen e grave që u vlerësuan. Simboli i mirënjohjes mu dorëzua nga Presidentja e Federatës së grave kineze, njëherësh edhe nënkryetare e Parlamentit të Kinës që ka në përbërje 3000 deputetë zonja, Chen Zhili. Thirra sa munda "Albania" dhe i dorëzova Presidentes shqiponjën e punuar në dru, flamurin shqiptar, që janë simbole të Kombit. Sigurisht vlerësimi im lidhej me punën që kam bërë me Fondacionin Kulturor Mbarëkombëtar "Nermin Vlora Falaschi".
Si ta kuptojmë zonja Luka, që vlerësohen jashtë vendit, ndërsa nuk ndodh në Shqipëri, ku ju kontriboni si gazetare shkrimtare dhe në shoqërinë civile?
Nuk them se nuk jam vlerësuar, pasi qyteti im i lindjes Librazhdi, më ka dhënë "Mirënjohjen", po kështu edhe bashkia e Vlorës, ku unë jetoj dhe kam aktivitet prej 20 vitesh. Këto më mjaftojnë, sepse nëse ka një boshllëk, e plotësojnë më së miri "Mirënjohjet" që kam marrë nga Bashkia e Prizrenit Historik, bashkia e Preshevës Martire, nga Shoqata dhe fondacione me emër sin ë Gjermani, Bruksel etj. Në vendin tonë në përgjithësi, ndodh një gjë e çuditshme: Nderohesh pas vdekjes