Presidenti i ekipit të Skënderbeut është larguar duke dhënë dorëheqjen në mënyrë të papritur nga drejtimi i ekipit korcarë. Zeqo mori drejtimin e ekipit të Skënderbeut në vitin 2010 duke mos lejuar rënien nga kategoria superiore. Zeqo në drejtimin e korcarëve ka sponsorizuar fuqishëm duke e shpallur ekipin kampion për dy vite me radhë. Në dy vite korcarët arritën të fitonin titullin kampion duke mposhtur me mjaft rivalitet ekipin e Flamurtarit. Pas largimit të Zeqos, presidenti i ekipit të Skëndebeut do të jetë Ardian Take. Në përfundim të aventurës së tij në ekipin e Skënderbeut Agim Zeqo ka shpjeguar edhe arsyjet për largimin nga drejtimi i ekipit.

“Të dashur miq të mediave! Më lejoni t’ju informoj që sot, pas një periudhë prej 2 vjet e gjysmë në krye të ekipit të futbollit të Skënderbeut, për arsye të angazhimeve të mia në biznes, kam vendosur të largohem nga ky post. Jam munduar gjatë kësaj periudhe të jap maksimumin tim për ecurinë e këtij ekipi si në aktivitetet kombëtare dhe në ato ndërkombëtare. I falënderoj të gjithë ata që më mbështetën financiarisht në këtë aventurë të bukur dhe me shumë adrenalinë. Besoj që me rezultatet që arriti Skënderbeu në këto dy vjet, e justifikoi investimin dhe i ktheu qytetit tim të lindjes krenarinë dhe i dha atij qyteti mrekullueshëm gjallërinë e duhur.

Falënderoj pa masë tifozët e Skënderbeut ose “Ujqërit e dëborës” të cilët më kanë mbeshtetur jashtëzakonisht shumë. Pa ata do të kishte qenë shumë e vështirë arritja e rezultateve. Falënderoj stafin teknik që ka drejtuar ekipin në këto vite të drejtimit tim. Falënderoj pa masë dhe aktorët e fushës. Shpresoj që performca e treguar nga Skënderbeu në këto dy vjet të ketë influencuar sadopak në cilësinë e futbollit në përgjithësi. Falënderim i vecantë për familjen time, që më ka mbështetur jashtëzakonsisht shumë në këtë anganzhim timin dhe në fund më lejoni t’ju falënderoj ju, aktorët e medias, për hapësiren kohore dhe faqet e gazetave që i rezevuat Skënderbeut. Besoj që Skënderbeu do të vazhdojë të japë kontribut maksimal në këtë lojë kaq të bukur edhe në të ardhmen. Dëshiroj dhe uroj të jete përsëri në majën e futbollit shqiptar. Faleminderit sinqerisht Agim Zeqo!”
(d.b/shqiptarja.com)