Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prévot, ka pritur në Bruksel ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, duke e cilësuar atë një mik dhe diplomat që e njeh shumë mirë kryeqytetin belg nga koha kur shërbeu si ambasador.
Në një postim në rrjetin social X pas takimit bilateral, Prévot bëri të ditur se Belgjika do të hapë një ambasadë në Tiranë, një vendim që sipas tij dëshmon rëndësinë që Brukseli i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë.
“Belgjika do të hapë një ambasadë në Tiranë, një sinjal i qartë i rëndësisë që i kushtojmë marrëdhënies sonë”, shkroi ai.
Kryediplomati belg vlerësoi gjithashtu progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se vendi ynë u bë javën e kaluar shteti i dytë kandidat për anëtarësim në Bashkimi Europian që mori IBAR, duke hyrë në fazën përfundimtare të negociatave.
“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe për të cilën e përgëzojmë ngrohtësisht Shqipërinë”, theksoi Prévot.
Postimi i Zëvendëskryeministrit dhe Minisrit të Jashtëm belg, Maxime Prévot në X:
Mirë se vini! Jam i kënaqur të mirëpres Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ferit Hoxha në Bruksel, një mik dhe një ish-diplomat që e njeh shumë mirë këtë qytet nga vitet e tij si Ambasador këtu. Dhe për fat të keq i njohur me shirat tipikë belgë!
Patëm një takim plot lajme të mira. Belgjika do të hapë një ambasadë në Tiranë, një sinjal i qartë i rëndësisë që i kushtojmë marrëdhënies sonë. Dhe vetëm javën e kaluar, Shqipëria u bë vendi i dytë kandidat i BE-së që mori IBAR, duke hyrë në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe për të cilën e përgëzojmë ngrohtësisht Shqipërinë.
Belgjika e inkurajon Shqipërinë të vazhdojë në këtë rrugë me të njëjtën vendosmëri, veçanërisht në sundimin e ligjit, pavarësinë gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit. Rruga drejt anëtarësimit bazohet në meritë dhe Shqipëria po dëshmon se mund të japë rezultate.
Diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë dypalësh në drejtësi, polici dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në stabilitetin rajonal. Ballkani Perëndimor është në krye të axhendës sime. Pres me padurim të vizitoj Tiranën vitin e ardhshëm për hapjen e ambasadës sonë.
Komente





