TIRANË- Presidenti amerikan Donald Trump, solli në Tiranë të Dërguarin Special për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, i cili zhvilloi takime me përfaqësues të dy grupeve më të mëdha parlamentare, PS dhe PD. Situata politike në vend, por jo vetëm, kanë qenë në fokus të diskutimeve me krerët e grupeve parlamentare.

Por, kreu i demokratëve Sali Berisha nuk ishte në Tiranë ditën që Trump solli të dërguarin e tij. Ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku dje zhvilloi një takim me militantët e tij, të cilët edhe përtej oqeanit ia braktisën sallën, e cila u filmua me karrige bosh.

Taulant Balla ndau një foto me të dërguarin e Trump duke shkruar se në fokus të diskutimeve ishte partneriteti mes dy vendeve, paqja dhe stabiliteti, ndërsa u diskutua edhe për Samitin e NATO-s që do të mirëpresë Shqipëria.

“Temat e diskutimit ishin të shumta dhe produktive. Shqipëria është shembull i rolit dhe partneriteteve për paqe e stabilitet. Jemi krenarë që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s”, shkroi Balla.

"Shqipëria është një mike e palëkundur e SHBA-së. Ky partneritet duhet të fuqizohet me më shumë investime amerikane, më shumë mundësi për biznesin dhe më shumë vende pune për shqiptarët", shkroi Jorida Tabaku. 

Më herët, Zampolli u ndal edhe në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u prit nga Baba Mondi në 35-vjetorin e rihapjes së selisë së saj që pas rënies së komunizmit. Në fokus ishte projekti për ngritjen e një qendre të avancuar shëndetësore përmes një investimi amerikan, të cilin i dërguari i Trump e cilësoi një nismë të shkëlqyer.

Ai komentoi për gazetarët edhe projektin për shtetin Bektashi, të cilën e cilësoi një nismë të shkëlqyer, por theksoi se i takon popullit shqiptar të vendosë. 

Prononcimi për mediat i Paolo Zampollit, i Dërguari Special për Partneritetet Globale i administratës amerikane

Para së gjithash, ju falënderoj shumë. Unë jam Këshilltari Special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Partneritetin Global. Kam një agjendë shumë të gjerë, e cila përfshin edhe diplomacinë publike. Eprori im, Presidenti Trump, eprori im i dytë, Sekretari Rubio, dhe unë, të gjithë besojmë te marrëdhëniet ndërfetare, te bashkëjetesa dhe te të gjitha shtëpitë e adhurimit. Personalisht, kam pasur fatin e madh që nëna ime të ishte kushërirë e Papa Montinit, Palit VI. Gjithashtu, kam dy shenjtorë në familjen time. Prania ime këtu për mua është prekëse, në nderim të Shenjtërisë së Tij Papa Montini dhe Nënë Terezës. Kam dëgjuar për atë që keni krijuar këtu dhe është e jashtëzakonshme. Doja ta shihja vetë dhe jam vërtet i impresionuar. Nga sa dëgjova, ky është vetëm fillimi. Sapo vizitova spitalin. Shpresoj se ka shumë gjëra që mund t'i bëjmë së bashku për të ndihmuar në zgjerimin e mëtejshëm të këtyre nismave.

Pyetje: Shqipëria po shqyrton mundësinë e krijimit të një qendre të avancuar shëndetësore në kuadër të komunitetit Bektashi. A mendoni se ky projekt do ta vendosë këtë vend në hartën ndërkombëtare?

Amerika është atdheu im i dytë. Kam lindur në Itali, vendin tuaj fqinj, por tani jam një amerikan krenar. Jam krenar që i shërbej Presidentit. Presidenti është, natyrisht, një president i paqes; ne e dimë që ai ka sjellë paqe. Por ai është gjithashtu një president që e kupton të ardhmen. Që nga dita e parë, ai ka pasur shumë programe lidhur me mjekësinë e re dhe të drejtën për të provuar trajtime të reja. Kam marrë një ide të përgjithshme për atë që po bëni këtu me partnerët amerikanë dhe është diçka e shkëlqyer. Kjo mund të jetë padyshim një bazë e shkëlqyer, sepse kemi nevojë për spitale. Unë vetë kam luftuar me kancerin për katër vite, ndaj e kuptoj mirë se sa e rëndë është kjo sëmundje. Ne duhet t'i shërojmë njerëzit tanë. Dhe çfarë mund të jetë më mirë sesa të bashkëpunosh me amerikanët?

Pyetje: Ju keni takime me ministrat shqiptarë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare? Çfarë prisni nga këto takime?

Mesazhi do të ishte se Shqipëria është një mike. Sapo kemi emëruar një ambasador, mendoj se ai nuk ka mbërritur ende, dhe ai është një ambasador i shkëlqyer që do t'i shërbejë administratës Trump dhe parimit "Amerika e Para". Kam pasur nderin të takoj Kryeministrin shumë herë; madje, pothuajse u takuam së fundmi në Konferencën e Sigurisë në Como. E kam takuar atë së bashku me Mbretin Al-Khalifa të Bahreinit në Uashington, si dhe në forume të ndryshme për paqen ku kam marrë pjesë. Pra, mendoj se mesazhi është ky: ju jeni aleatë. Jeni shumë të rëndësishëm. Ne kemi nevojë për miq në rajone të ndryshme dhe i vlerësojmë miqësitë afatgjata. Gjithashtu, kemi shumë njerëz nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara dhe ju jeni njerëz të mrekullueshëm.

Pyetje: Atëherë, çfarë prisni nga këto takime që keni sot?

Këto janë të gjitha takime informale. Kam ardhur këtu për të treguar respekt dhe për të vizituar vendin si i dërguar i posaçëm i Presidentit. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të shkëlqyera dhe mund të bëhen gjithnjë e më të mira; prandaj jemi këtu. Le të shohim. Inshallah.

Pyetje: Pritet të krijohet këtu një shtet sovran i Urdhrit Bektashi.

E kam dëgjuar. Dëgjova Kryeministrin të fliste. Dëgjova Shenjtërinë e Tij dhe njerëzit tuaj vendosin ose do të vendosin. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar e respekton vendimin e popullit shqiptar. Unë po mësoj nga ju dhe mendoj se populli shqiptar e dëshiron këtë; pra, është gjë e mirë nëse populli juaj e dëshiron.

Pyetje: Populli nuk është shprehur ende.

Ah, në rregull. Dëgjova disa njerëz të flisnin, por ndoshta jo popullin në tërësi. Pra, populli duhet të shprehet.

Pyetje: Një pyetje për NATO-n?

Sinqerisht, NATO është një organizatë që na duhet. Nuk është kjo axhenda ime. Isha me Ambasadorin Ëhitaker në Çernobio, ku ndodhej edhe Kryeministri Edi Rama. Dhe kjo nuk është tamam axhenda ime, por ne e mirëpresim anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:00
I dërguari i Trump në Tiranë: Shqipëria aleate e shkëlqyer! Shteti bektashi? Projekt i shkëlqyer, por e vendos populli shqiptar

1788781493_paolozampolli.JPG

I Dërguari Special i Presidentit Donald Trump për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, zhvilloi një vizitë në Tiranë. Pas takimeve me përfaqësues të grupeve parlamentare të PS dhe PD, Zampolli në një prononcim për mediat vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke e cilësuar vendin tonë një “aleat të shkëlqyer”, ndërsa komentoi edhe projektin për shtetin Bektashi, për të cilin tha se vendimi u takon shqiptarëve.

Zampolli: Kjo është një vizitë kortezie. Diskutuam për rëndësinë e miqësisë mes dy vendeve tona. Shqipëria është një aleate e shkëlqyer për ne dhe ne, në SHBA, e duam Shqipërinë.

Shteti bektashi?

Zampolli: Mendoj se është një projekt i shkëlqyer, por u takon shqiptarëve të vendosin. Pashë vlerat që përfaqëson, erdha këtu për të mësuar, por mbi të gjitha ne i duam njerëzit e Shqipërisë. Për të gjithë ju, Presidenti Trump e do Shqipërinë, Marco Rubio e do Shqipërinë, ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj. Për shtetin bektashi duhet të vendosë populli juaj dhe mendoj se, nëse njerëzit e duan, është diçka e mirë. Mund të jetë një identitet shumë i mirë për shtetin dhe... Ne besojmë në bashkëjetesën ndërfetare. Presidenti im beson te të gjitha fetë dhe te mbrojtja e vendeve të kultit. Për pak sa nuk u takuam me Ramën në Romë. Besoj se ai po udhëton drejt jugut, sepse ka disa zjarre. Shqipëria është në flakë.

Ora 13:43
Balla takohet me të dërguarin e Trump: Shqipëria do të presë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s

No photo description available.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste  Taulant Balla priti sot të Dërguarin Special të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Partneritetet Globale, ambasadorin Paolo Zampolli, me të cilin zhvilloi një takim ku në fokus ishin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas Ballës, gjatë takimit u diskutua edhe për Samitin e NATO-s, që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm, si edhe për vlerësimin që ambasadori Zampolli shprehu për anëtarësimin e Kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes.

"Mirëprita sot të Dërguarin Special të Presidentit të SHBA Donald J. Trump për Partneritet Globale Ambasadorin Paolo Zampolli. Temat e diskutimit ishin të shumta dhe produktive. Shqipëria është shembull i rolit dhe partneriteteve për paqe e stabilitet. Jemi krenarë që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s dhe gjithashtu u vlerësua nga Ambasadori anëtarësimi i Shqipërisë përmes Kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes. Shqipëria është një model botëror i bashkëjetesës ndërfetare, ku harmonia ndërmjet komuniteteve fetare ka shërbyer gjithmone si një themel i rëndësishëm i unitetit dhe kohezionit të shoqërisë shqiptare" shkruajti Balla në rrjete sociale.