Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka deklaruar se Irani duhet të bëjë një reduktim “kuptimplotë” të kapacitetit të tij për pasurimin e uraniumit, nëse dëshiron të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit shtatëmujore mes dy vendeve.
Sipas Vance Uashingtoni nuk kërkon vetëm angazhime për uljen e kapaciteteve në të ardhmen, por masa konkrete nga Teherani për reduktimin e kapacitetit aktual të pasurimit bërthamor.
Zëvendëspresidentit amerikan, thotë se pasurimi i uraniumit në nivele të larta është i papajtueshëm, sipas këndvështrimit të Uashingtonit, me pretendimin se programi bërthamor i Iranit nuk synon prodhimin e armëve bërthamore.
"Nëse nuk doni një armë bërthamore, atëherë pse keni nevojë për karburant të pasuruar 60%? Dhe nëse doni të tregoni angazhim për të mos ndërtuar një armë bërthamore, mos ndërtoni karburant shumë të pasuruar. Kjo është një çështje shumë themelore. Mendoj se nëse duan të tregojnë një angazhim për të mos ndërtuar një armë bërthamore, do të bënin diçka domethënëse në kapacitetin e tyre të pasurimit", tha Vance.
Irani dhe SHBA-ja kanë shkëmbyer propozime gjatë javëve të fundit në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të mundësuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore globale për transportin e energjisë.
Vance tha se administrata amerikane mbetet e hapur për një marrëveshje, por kërkon lëshime konkrete nga Teherani në çështjen bërthamore. Ai pranoi gjithashtu se Uashingtoni nuk është plotësisht i sigurt se si merren vendimet në Teheran gjatë negociatave.
"Ne nuk do të shkëmbejmë fjalë me veprime”, tha Vance.
Zëvendëspresidenti, i cili më herët ka shprehur skepticizëm për përfshirjen e SHBA-së në luftërat e huaja, ka marrë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për negocimin e një zgjidhjeje të konfliktit.










Komente
Komento