Një hap të rëndësishëm dhe një garanci të fortë për ecurinë dhe zbatimin e reformës në drejtësi, e ka konsideruar Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj zgjedhjen e 6 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë .
Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj ka reaguar pas zgjedhjes së 6 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke thënë se përzgjedhja e anëtarëve të KLP tregoi ndryshimin rrënjësor që po pëson kjo strukturë.
Në mesazhin e tij në Twitter, Fatmir Xhafaj kërkon që edhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit të tregojë të njëjtën përgjegjshmëri.
“Përzgjedhja e anëtarëve të KLP dje, nga mbledhja e gjithë prokurorëve, shenjë e qartë e fillimit të ndryshimit rrënjësor në strukturën e Prokurorisë. Cilësia e procesit të përzgjedhjes konfirmim i zgjidhjeve të duhura kushtetuese dhe ligjore për krijimin e “Qeverisë” së sistemit të drejtësisë sipas standardeve më të mira euroatlantike. Një përzgjedhje shumë e respektuar. 6 prokurorë me integritet të lartë, me vlera profesionale të spikatura dhe me kontribute të njohura në drejtësinë penale. 6 prokurorë që japin shpresë e garanci, që të kemi një qeverisje të përgjegjshme të sistemit të Prokurorisë”, shkruan Xhafaj.
Një ditë më parë janë zgjedhur 6 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, Gent Osmani, Antoneta Sevdari, Kosta Beluri, Bujar Sheshi dhe Arben Dollapi do të jenë anëtarë e KLP-së nga radhët e prokurorëve.