Sot ishte afati i fundit për të dorëzuar propozimet zyrtare të deputetëve, ndërsa më datën 16 maj ora 10:00, mblidhet Komisioni i Ligjeve për vlerësimin e kandidaturave për president, por nuk ka asnjë emër.
Ashtu siç kishte paralajmëruar, mazhoranca nuk çoi asnjë emër kandidati për president në raundin e parë, duke i hapur rrugën opozitës, por edhe këto të fundit nuk u dakordësuan. Nesër do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve nesër pas orës 17:00 për raundin e parë që do të ezaurohet me zero kandidatë pasi nuk ka asnjë kandidat të propozuar nga të dyja palët.
Mazhoranca dhe opozita ende nuk kanë gjetur një konsensus të përbashkët për emrin e kreut të ri të shtetit, ndërsa në negociatat mes kryetarëve të grupeve parlamentare, refuzoi që të merrte pjesë kreu i gurpit të PD-së Enkelejd Alibeaj. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla garantoi edhe një herë opozitën se mazhoranca është e vendosur që t’i japë vendit një President konsensual, ndërkohë që bëri me dije se në takimet me dy grupet parlamentare të opozitës arritën të vendosin piketat kryesore.
Vullnetin e mazhorancës për konsensus e konfirmoi edhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili ftoi edhe një herë palët që të marrin pjesë. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, pas takimit që zhvilloi me Partinë Socialiste për Presidentin e Republikës tha se opozita duhet të jetë një e tërë në proces. Ai nënvizoi se nëse nuk do të ketë unitet në opozitë për të propozuar një kandidat të përbashkët atëherë edhe grupi parlamentar që ai përfaqëson nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi. Ndryshe nga kolegët e grupeve të tjera parlamentare, Enkeleid Alibeaj nuk do të ulet në negociata me mazhorancës, nëse nuk merret për bazë drafti i tij me kriteret për zgjedhjen e presidentit të ri.
Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për President. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet i bërë edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat. Pra opozita nuk e bllokon procesin as me mos pjesëmarrjen e saj në seancë, që do ta bënte të pamundur plotësimin e kuorumit në 3 raundet e para, 84 vota.
Ka përfunduar afati për të dorëzuar propozimet për emrin e presidentit të ri dhe nuk ka asnjë emër për tu diskutuar ditën e nesërme në orën 17:00 tek raundi i parë i votimit.