TIRANË- Grupi Parlamentar demokrat nuk ka dorëzuar asnjë emër për kreun e ri të shtetit, për rrjedhojë digjet edhe raundi i dytë. Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave ishte ora 18:00, por asnjë nga palët nuk dorëzuan asnjë emër, por kanë vijuar akuzat duke bërë fajtor njëri tjetrin.
Opozita e Enkelejd Alibeaj akuzon sekretarin e Përgjithshëm Taulant Balla se ka prishur marrëveshjen që presidenti t'i dërgohej Kuvendit me firma të përbashkëta. Mirëpo, mazhoranca ka deklaruar se Alibeaj është keqkuptuar, pasi ato kanë rënë dakord, që opozita të propozojë emër për kandidatët për president në raundin e dytë dhe të tretë, e më pas do të jetë radha e socialistëve që të propozojnë në raundin e katërt dhe pestë.
Në këto kushte, opozita nuk sjell asnjë kandidat, mazhoranca po ashtu, duke bërë që në seancën e radhës të parlamentit që do të mbahet të hënën në orën 18:00 të dështojë edhe raundi i dytë për presidentin e ri.
Kur afatet Kushtetuese po vijnë drejt fundit, grupi Parlamentar Demokrat ka bërë një listë me 8 emra të propozuara nga radhët e deputetëve, por që kanë mbetur në letër pasi asnjë emër nuk ka shkuar zyrtarisht në Kuvend, nga ana tjetër socialistët thonë se nuk e kanë ende një emër, por do të presin opozitën.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, njëherësh kreu i grupit negociator me opozitën për procesin e zgjedhjes së Presidentit, Taulant Balla, nënvizoi sot nga Fieri se nëse vijon të mos sjellë kandidatë zyrtarisht për zgjedhjen e Presidentit atëherë mazhoranca në votimin e katërt do t’i japë vendit kreun e ri të shtetit. Megjithatë ai, shtoi se janë ende në kohë për të diskutuar sërish, në mënyrë që të zgjedhin kreun e ri tw shtetit dhe me konsensusin e opozitës.
"Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit. Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita", tha ai.
Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk ka asnjë kandidat për t’u votuar edhe raundi i dytë sipas Kushtetutës së Shqipërisë quhet i ezauruar për t’ia lënë vendin 3 raundeve të tjera. Vetëm një i tillë ka mbetur për ta zgjedhur Presidentin me shumicë të cilësuar 84 vota, ndërkohë që në të katërtin dhe të pesti Presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.
Emrat e propozuar nga deputetët demokrat
Rexhep Ukë
Halim Kosovës
Dashamir Shehut
Leka Zogut
Leonard Demit
Arben Çejkut
Dritan Demirajt
Visar Zhiti
Përfundon raundi i dytë për presidentin e ri! Palët nuk kanë dorëzuar zyrtarisht asnjë kandidaturë, për rrjedhojë, ky raund pritet të dështojë. Të hënën në orën 18:00 pritet të mbahet edhe seanca plenare, ku pritet që të ketë të njëjtin fat si ajo e kaluara, ku dështoi pa asnjë kandidaturë.
Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të PD, Orjola Pampuri i përgjigjet Ballës duke thënë se nuk duhet të habitet pasi ka qenë vetë ai i cili shkeli dakordësinë e dhënë publikisht. Për Pampurin, Rama kërkon të zgjedhë presidentin me votat e krimit e ‘non gratave’.
“Balla na qenka i habitur se, pse PD nuk paska çuar kandidat për raundin e dytë të zgjedhjes së presidentit? Vërtet habi, sepse ai e hëngri vetë fjalën publike për të pranuar dokumentin e grupit demokrat. Por ai e ha turpin me bukë sepse sëbashku me shefin e tij nuk duan president për shqiptarët, por president të zgjedhur prej xhepit të tyre, si noter për pushtetin e vjedhur. Rilindja do të bëjë atë që bëri me 25 prill 2021, të vjedhë presidentin ashtu siç vodhi mandatin qeverisës me bandat e krimit, të certifikuar si të tillë edhe nga Departamenti i Shtetit. Në raundin e katërt Rama do të votojë me votat e siguruara nga krimi e non gratat, presidentin, që normalisht nuk do të jetë kurrsesi i gjithë shqiptarëve”, tha Pampuri.
Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, ka shkruar në Facebook se Partia Socialiste u tërhoq nga marrëveshje me demokratët për Presidentin sapo pa listën e kandidatëve të PD, që sipas tij janë njerëz seriozë dhe me integritet.
“’Pacta sunt servanda’. Është ky minimumi i seriozitetit që procesi i zgjedhjes së Presidentit meriton të ketë.
Taulant Balla u tërhoq nga dokumenti i PD, me të cilin ai vetë ra dakord para syve të kamerave dhe shqiptarëve. Mesa duket, pasi mësuan kandidatët e propozuar nga deputetët e PD, njerëz seriozë e me integritet, që nderojnë Shqipërinë, u tërhoq pa shpjegim dhe bën sikur nuk kupton. PD është për një President për të gjithë shqiptarët dhe që nderon Shqipërinë. PS kërkon President vetëm për socialistët për ta patur në xhep Rama. Këtë të dytën mund ta bëjë, me mandatet e vjedhura dhe deputetët non grata, por jo me PD”, ka shkruar Agalliu.
Nëse opozita vijon të mos sjellë kandidatë zyrtarisht për zgjedhjen e Presidentit atëherë mazhoranca në votimin e katërt do t’i japë vendit kreun e ri të shtetit. Kështu ka thënë nga Fieri, kryetari i grupit parlamentar socialist, njëherësh kreu i grupit negociator me opozitën për procesin e zgjedhjes së Presidenti Taulant Balla.
“Konstatoj me keqardhje që nga ana e opozitës nuk ka një qasje për të marë përgjegjësinë për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit. Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita. Nëse opozita dhe në raundin e tretë opozita nuk vendos që të marrë pjesë në proces, natyrshëm që në raundin e 4 do të zgjidhet presidenti apo presidentja e re e republikës”, tha ai.
Ballaj ndodhej në Fier në kuadër të zgjedhjes së drejtueseve të rinj të Partisë Socialiste në nivel bashkie. Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit mori pjesë në mbledhjen me Këshillat Socialist të Fierit ku në fokus ishte procesi i zgjedhjes së drejtueseve të rinj.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes, Balla ftoi këdo që ka dëshirën dhe vizionin për të drejtuar dhe energjizuar drejtimin e partisë sonë në nivel bashkie, të marrë pjesë në këtë proces. Dërgo aplikimin tënd fizikisht pranë selisë lokale të PS.