Zgjedhjet 2013, KQZ nuk përdor
listat, ja si ndahen mandatet

Zgjedhjet 2013, KQZ nuk përdor <br />listat, ja si ndahen mandatet
TIRANE - Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Muho, gjatë një interviste për Shqiptarja. com sqaron procedurat që ndjek ky institucion bazuar në Kodin Zgjedhor për shpërndarjen e mandateve në Kuvend. Ai bën të ditur se janë 4 qarqe që pësojnë ndryshime përsa i përketë pakësimit dhe shtimit të mandateve.

A është përfunduar nga ana e KQZ lista e shpërndarjes së mandateve në qarqe?
Ditën e hënë ka mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lista e banorëve të gjithë Shqipërisë të regjistruar në Gjendjen Civile, e cila kap shifrën 4.312.210 shtetas shqiptarë. Kjo është vënë në dispozicion nga Drejtoria e Gjendjes Civile në vendin tonë, e cila do të shërbejë në përrllogaritjen e shpërndarjes së mandateve për deputet në Kuvend. Ndërkohë që kjo shifër do të pjestohet me numrin e deputetëve që janë në Kuvendin e Shqipërisë, pra 140. Nga ky pjestim do të dal një tjetër shifër, (30.801), e cila quhet koefiçenti mesatar i banorëve për çdo mandat deputeti në Kuvend. Ndërkohë që bashkë me listën e banorëve shqiptarë ka ardhur dhe ajo e ndarjes së popullisë sipas qarqeve, bashkive, komunave dhe çdo njësie tjetër ndarëse të popullsisë në vend.

Si përllogaritet ndarja e mandateve për deputet që i takon çdo qarku në vend?
Atëherë, ndarja e mandateve është një çështje shumë teknike. Numri i tyre përllogaritet në bazë të numrit të popullisë që ka një qark me koefiçentin që doli nga pjesëtimi i gjithë numrit të banorëve shqiptarë me numrin e mandateve në Kuvend. Pra numri i popullsisë së një qarku pjesëtohet me koefi¬çentin e përftuar 30.801 dhe në bazë të këtij pjesëtimi del dhe numri i mandateve që do të ketë mundësi që të fitojë një qark.

Cilat janë qarqet që do të pësojnë ndryshime në shpërndarjen e mandateve për deputetë?
Në bazë të numrit të popullisë së regjistruar në çdo qark, rezulton se në disa qarqe është rritur ose është pakësuar numri i popullsië. Kjo ka sjellë që këto qarqe të pësojnë ndryshime në shpërndarjen e mandateve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Përcaktimi i numrit të një mandati që i takon një qarku bëhet nga nga pjestimi që i bëhet numrit të popullisë së një qarku me koefiçentin e përftuar që përmendëm më lart. Qarqet që pësojnë ndryshime janë pikërisht ai i Korçës dhe i Beratit, të cilëve u pakësohet një mandat, si dhe ai i Durrësit dhe Tiranës, të cilëve u shtohet nga një mandat deputeti në bazë të shtimit të numrit të popullsisë. Kështu rezulton se Qarku i Beratit nga 8 mandate, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë vetëm 7 mandate deputetësh, ndërsa Korça nga 12 mandate që ka patur, në zgjedhjet e ardhsme do të ketë 11 mandate deputetësh. Ndërkohë që Qarku i Tiranës do të jetë dhe qarku që do të ketë më shumë mandate në vend; nga 33 mandate do të bëhen 34 mandate, ndërsa qarku i Durrësit do të bëhet me 14 mandate deputetësh nga 13 që ka patur në zgjedhjet e shkuara.


Kume: KQZ zgjedh vetë formulën e shpërndarjes së mandatave
Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume në një prononcim për gazetën Shqiptarja.com thekson se këtë herë institucioni i administrimit të zgjedhjeve ka bërë rishpërndarjen e mandateve për deputet për zgjedhjet e ardhshme bazuar në regjistrin themeltar të regjistrimit të popullsisë dhe jo listave të zgjedhësve. Kjo sipas tij është një e drejtë që zgjedh vetë KQZ se si do të bëjë llogaritjen e mandateve për deputetët e ardhshëm. "Është e drejtë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të përcaktojë mbi ç`formulë do të bëjë shpërndarjen e mandateve të 140 deputetëve në Kuvend. Këtë herë ky institucion paska përdorur numrin e gjithë banorëve të regjistruar në Gjendjen Civile, ndryshe nga sa më parë kur janë përdorur listat e votuesve për të planifikuar shpërndarjen e mandateve të deputetëve" , thotë ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mundësia e manipulimeve sipas Kumes është me vogël tashmë me ndryshimin e kodit Zgjedhor që të bëhen në listat e zgjedhësve. Ndërkohë që sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, vëzhguesit e partive politike duhet të jenë prezentë gjatë hartimit të listave të votuesve, çka bën më të vështirë tashmë mundësinë e manipulimit të tyre. Për zgjedhjet e ardhshme KQZ do të përdorë pikërisht numrin e banorëve të regjistruar në regjistrin themeltar të popullsisë.

MBLIDHET KQZ


Afati deri në 7 dhjetor për mandatet e numrin e ZAZ
Javën që vjen pritet që të mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili do të ketë në rendin e ditës dy pika të rëndësishme për tu diskutuar dhe për tu miratuar. Bëhet fjalë pikërisht për shpërndarjen e mandateve të deputetëve në 12 qarqet në vend si dhe shtimin e numrit të ZAZ-ve. Ndërkohë që afati i fundit i miratimit të këtyre dy çështjeve sipas Kodit Zgjedhor është data 7 dhjetor. Anëtarë të KQZ thanë se numri i ZAZ-ve do të rritet, dhe kjo në varësi të shtimit të popullsisë në qarqeve të caktuara.

Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Reperi i famshëm dhunon barbarisht ish-partneren në hotel

Reperi i famshëm dhunon barbarisht ish-partneren në hotel