Zgjedhjet 2013, skenarët
PD-PS, poli i tretë Topi-Spahiu

Zgjedhjet 2013, skenarët <br />PD-PS, poli i tretë Topi-Spahiu
Sali Berisha, Edi Rama dhe Bamir Topi, kanë ndërtuar skenarët e tyre për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që do të zhvillohen vitin e ardhshëm.
Nisur edhe nga deklarata dy ditë më parë e kryeministrit Sali Berisha, por edhe sulmi i vazhdueshëm ndaj Presidentit Bamir Topi, duket se skenarët janë bërë
gati për të dy kampet. Fakti që ligji zgjedhor dhe formula do të mbeten të pandrushuara, u ka dhënë dy kryetarëve të forcave kryesore politike, PD e PS, të drejtën për të filluar të mendojnë për koalicionet, dhe mënyrën sesi do të hyjnë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Demokratët Kryeministri Sali Berisha nuk e ka menduar dy herë faktin se gjityhçka për deputetët dhe maxhorancën në kuvend do të varet nga koalicioni që do të krijojë për zgjedhjet e reja.

Burime afër kryeministrit, thanë për gazetën “shqiptarja.com” se.ryeministri Sali Berisha ka filluar tratativat, madje edhe ndërmjetësimet me kryetarët e partive që do të ketë si aleatë në koalicion në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Por, Berisha ka filluar të bëjë të gjitha kalkulimet në bazë të numrit të votave që do të sjellë çdo forcë politike që është pranë tij, më shumë se deputetët që do të marrin në kuvend.

“Nëse një forcë politike, arrin të marrë 15 mijë vota, do të ketë një ministër në qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 2013. Për 5000 vota, do të dalë një zëvendësministër, e kështu me radhë” është oferta e qartë e bërë nga kryeministri Berisha për të gjithë aleatët e tij. Skenari, i cili është bërë gati, si një ndër variantet e ofertës së kryeministrit, është duke qarkulluar tashmë tek të gjithë anëtarët e këtij koalicioni. Madje, shumë nga krerët e partive janë të joshur nga një skemë e tillë. Më së shumti Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila, veç zhvillimeve që do të ketë përgjatë këtij viti, para dhe pas zgjedhjeve të presidentit, në
bilancet e veta elektorale, ka garantuar më shumë vota se aleatët e tjerë të Berishës. Rrjedhimisht, me skemën e re që ka futur kryeministri në lojë për zgjedhjet e përgjithshme, nëse do të ruajë një numër votash prej 80 mijë të tilla, sikurse rezultoi në zgjedhjet e përgjithshme të 2009, do të ketë më shumë ministra në kabinet. Oferta ka joshur së tepërmi edhe kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi, i cili në zgjedhjet vendore të këtij viti, arriti një total prej 40 mijë votash. Fare mirë, Idrizi, i cili sipas burimeve nga maxhoranca do të ruajë koalicionin me të djathtën, do të përfitojë një ministër, por edhe tre apo katër zëvendësministra, për tu prezantuar në partinë e re. Ka pasur kohët e fundit një ofertë të qartë nga PD, për të afruar brenda radhëve të koalicionit të djathtë edhe Nard Ndokën, të cilit edhe gjatë këtyre kohëve i është afruar një post ministri.

Edhe pse negociatat mes palëve të treta, pra jo drejtpërsëdrejti me Berishën, nuk kanë qenë rezultative, burimet brenda PD thonë se vetë Ndoka është I lëkundur nëse duhet të jetë afër të majtës apo më afër të djathtës. Gjithsesi, koalicioni Aleanca për Qytetarin, në zgjedhjet e vitit 2009, u prezantua me 21 parti, duke arritur të mbledhë më shumë vota për zgjedhjet e përgjithshme, e po ashtu, duke marrë një numër më të madh deputetësh, falë edhe qëndrimit të Lëvizjes socialiste për Integrim, krah Partisë Demokratike. Me metodën e re të kryeministrit Berisha, për të gjitha partitë e tjera që do të përfitojnë nga skema, ndoshta nuk janë të rëndësishëm deputetët në kuvend, më shumë sesa ministrat.

SOCIALISTËT
Janë më të paqartë në bërjen e koalicionit të ardhshëm për zgjedhjet e përgjithshme. Edhe pse Edi Rama e ka të qartë se zgjerimi i koalicionit është ai i cili mund ta nxjerrë fitues apo humbës në zgjedhje, i ka kushtuar më shumë rëndësi, edhe listës së deputetëve. Në korridoret e selisë rozë, janë duke u formuluar shumë variante, por deri tani nuk ka asgjë të saktë. Edi Rama, nëpërmjet kontakteve të përjavshme, vazhdon të ruajë marrëdhëniet me aleatët e deritanishëm në opozitë, edhe pse, ndër të tjera, kanë filluar kontaktet, nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm Gramoz Ruçi, për të zgjeruar koalicionin. Jo zyrtarisht, një ndër variantet që përmendet në korridoret rozë është propozimi për listën e deputetëve, që do të futen dhe garojnë në secilin qark.Kështu, numri i parë I listës në çdo qark, patjetër që do të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Por për zyrtarët socialistë është menduar, që numri 10 psh që mund të jetë në listë, nëse PS fiton zgjedhjet, të ketë një post drejtues në administratën shtetërore. Pra, ata që do të vendosen në listë nga fundi, dhe që qartësisht
dihet se nuk do të jenë deputetë, duke marrë në analizë dhe raport edhe zgjedhjet e kaluara, do të kenë pozicione zv.ministrash, drejtorësh të përgjithshëm, apo rangje të ndryshme drejtorësh në administratën shtetërore.
Varianti i thënë nën zë, në zyrat e selisë rozë, ende nuk ka marrë viston për të qenë një variant i konsoliduar dhe për tua thënë gjithë armatës së njerëzve që do të angazhohen për zgjedhjet e përgjithshme nga opozita.

BAMIR TOPI ESPAHIU

Akuzat dhe kërkesa për shkarkim e nënkryetarit të KLD nga ana e kryeministrit Berisha, erdhi vetëm për faktin se gjerësisht në qarqet politike, është thënë se partia e re që pritet të krijojë Bamir Topi do të ketë një koalicion të vetin, dhe deri tani, gjasat janë që të jetë në koalicion me partinë e re që pritet të shpallet Aleancën Kuq e Zi. Kjo forcë e re politike, e cila është e angazhuar më së shumti dërmjet të rinjve, do të hyjë në zgjedhjet e përgjithshme. Vetë Spahiu, i cili sikurse e ka shprehur edhe vetë ka qenë në pritje të sulmit të kryeministrit, është më i interesuar për aleancën e re. Ndërkohë që asgjë e tillë nuk do të kishte ndodhur nëse Aleanca Kuq e Zi do të pranonte të hynte në zgjedhjet e përgjithshme me Partinë Demokratike në koalicion.

Negociatat e bëra nga palët e treta, kanë qenë të dështuara. Pritet që këtij poli të tretë që do të krijohet, dhe që ndoshta do të jetë vendimmarrës për krijimin e qeverisjes së re të 2013, mund ti bashkohet edhe LZHK, ashtu sikurse ka tratativa edhe për disa parti të djathta, të pakënaqura me qeverisjen aktuale, apo që nuk kanë marrë premtimet dhe postet që u janë ofruar në fillim nga Partia Demokratike. Skenarët e hedhur në tregun politik gjatë këtyre ditëve për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, duket se kanë ndezur motorrët e oganizimit nga vetë kryetarët e këtyre koalicioneve, majtas, djathtas apo në qendër. Ndërkohë që më shumë se në bazë, të gjitha energjitë e deritanishme, janë përqëndruar më shumë te krerët e partive, edhe ato më të parëndësishmet, sesa te baza e këtyre forcave politike.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?