LEZHE-Banorët e zonës së Torovicës në Lezhë thonë se do të bojkotojnë zgjedhjet pasi rruga që lidh fshatin e tyre është tërësisht e rrënuar. 

Janë 5-mijë banorë të kësaj zone që kërkojnë rrugën në këmbim të votës dhe nëse kjo nuk bëhet ata do të bojkotojnë procesin e votimit në zonën e tyre. 

Sipas tyre janë 11 km rrugë, për shkak të dëmtimit që ka i vështirëson jetesën, sidomos kur kanë raste sëmundjesh.
 
“Rruga e Torovicës është bërë si me qenë bombardime në Siri, edhe rrugët e Sirisë duhet të jenë më të mira. Këtu ka probleme se një djalë nga lagjja aty pranë u sëmur dhe erdhi ambulanca e mori dhe vdiq në spital, 16-vjeç, para një viti, vetëm prej gropave. Është premtuar se do bëhet por nuk është bërë asgjë. Edhe babai po të dali kryeministër nuk shkojmë të votojmë”, pohon një nga banorët.
 
“Rruga e Torovicës është shumë problem, një nga problemet krysore, më emergjente. Të gjitha partitë na kanë gënjyer, asnjë se ka bërë dhe kësaj radhe shpresojmë të mobilizohet zona për të mos shkuar në votime, s’kemi nevoje as ne për ata as ata për ne”, thotë një tjetër banor.
 
Rruga është turp i zotit, kjo është kështu që kur ka vdekur Enver”, shprehet një tjetër banor
 
Në lidhje me këtë problem bashkia e Lezhës thotë se projekti i rrugës Ballldre-Torovice-Bent që kap vlerën e 5 milion dollarëve  është bërë gati prej kohesh dhe është dërguar për financim pranë qeverisë dhe janë në pritje të financimit.
 
“Menjëherë pas marrjes së detyrës nga ana ime, unë së bashku me stafin tim kemi bërë një projekt shumë të mirë për rikualifikimin e gjithë rrugës, kryetari i bashkisë dhe strukturat e bashkisë do bëjnë  sensibilizimin e institucioneve shtetërore për këtë projekt, dhe unë mendoj që do ja arrij ta bëj”, u shpreh kryebashkiaku Fran Frrokaj.  
 
Ndërtimi i rrugës së Torovicës është premtuar në çdo fushate elektorale nga të majtë e të djathtë, por në realitet nuk është bërë asgjë e kjo ka bërë që banoret ti humbin shpresat që një ditë situata do të ndryshojë.
 
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com