Zgjedhjet, Borchardt: "Kasetat e 
partive", jo transmetim në lajme

Zgjedhjet, Borchardt: partive", jo transmetim në lajme">
Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, përcolli mesazhe të forta për mediat, në hapje të Forumit për Zhvillimin e Medias, që u zhvillua në Tiranë.
 
Forumi organizohet për të dytin vit radhazi nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me organizata të huaja dhe vendase dhe, këtë vit, përqendrohet te temat si, zhvillimet dhe nismat ligjore në fushën e lirisë së medias, sfidat e RTSH-së: transformimi i transmetuesit publik në një transmetues të pavarur, të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, media, zgjedhjet, transparenca dhe aksesi në informacion dhe standardet e gazetarisë profesionale dhe niveli i edukimit mediatik në vend.
 
Në hapje të forumit, folën edhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, si dhe Kryetari i Komisionit kuvendor për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Genc Pollo.
 
Ambasadori Borchardt e vuri theksin te reformimi i RTSH-së, por edhe te sfida e ardhshme në të cilën do të kalojë vendi, por edhe mediat për vetë rolin e tyre, zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai tha se mediat duhet të refuzojnë "kasetat e partive" në lajme, ndërsa theksoi se këto duhen trajtuar si marketing politik. Borchardt ndërkoi ndryshimin e Kodit Zgjedhor për këtë rast, duke propozuar shfuqizimin e nenit 84 të Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e prodhuara nga partitë politike të transmetohen në lajme.
 
Fjala e ambasadorit Borchardt:
Është kënaqësi që ndodhem me ju këtu sot, në tryezën tonë të rrumbullakët që mbahet çdo vit. Duke qenë i familiarizuar me vendin tuaj për thuajse 10 vite tashmë, unë i njoh deri diku zhvillimet dinamike të medias në Shqipëri. E megjithatë, pavarësisht shumë arritjeve, na mbeten ende disa sfida përpara. 
 
Bota po ndryshon, epoka dixhitale ka sjellë sfida të reja për cdo vend. Nevoja për rregullimin e internetit, medias sociale apo rrjeteve sociale ngre një debat të natyrshëm dhe të nevojshëm në shkallë vendi. Çështje si vetërregullimi, privatësia, siguria dhe përmbajtja kanë dalë tashmë në plan të parë. Mbajtja në vazhdim e një interneti të lirë, të hapur dhe të sigurt për të gjithë mbetet një nga sfidat kryesore.   
 
Më lejoni të citoj fjalët e Përfaqësues së OSBE-së për Lirinë e Medias – Dunja Mijatović: “Qeverive u takon të luajnë një rol vendimtar kur vjen puna te rregullimi i internetit dhe garantimi i lirisë së tij… Ka disa aspekte të internetit që kërkojnë rregullim, por po aq të rëndësishme janë edhe ato aspekte që duhet të mbeten jashtë sferës së kontrollit të qeverisë.” Ligjvënësit duhet të marrin të gjitha masat që nismat ligjore të mos ndikojnë negativisht në lirinë e medias. 
 
Në këtë forum do të diskutohet edhe një çështje tjetër që lidhet me realitetin tonë mediatik: nevoja për ta transformuar RTSh-në në media që është në mënyrë të qëndrueshme e pavarur dhe profesionale, që i shërben publikut të gjerë dhe që i jep llogari taksapaguesve. Drejtuesit e lartë të RTSh-së, të zgjedhur së fundmi, kanë nisur punën për procesin kërkues për transformimin e transmetuesit publik. Do të doja të theksoja arritjet, të tilla si struktura organizative e miratuar së fundmi, dhe dy të tjera në fazën finale të miratimit: Statuti i RTSh-së dhe dokumenti i Parimeve Editoriale. Ne i përgëzojmë këto rezultate fillestare dhe inkurajojmë drejtuesit e RTSh-së që të vazhdojnë me këtë hap për të bërë ndryshimet e nevojshme. Në këtë frymë, ne ftojmë të gjithë institucionet dhe palët e interesuara përkatëse që të ofrojnë mbështetjen e tyre të plotë për transformimin e RTSh-së. Modeli demokratik Evropian mbështetet në balancën plotësisht funksionale midis publikut dhe sektorëve të transmetimit privat. Arritja e kësaj balance mbetet ende sfidë në Shqipëri.
 
Viti i ardhshëm do të sjellë ndryshime vijuese: Zgjedhjet; dhe me to rastin për të diskutuar rolin e medias në çaste kyçe, që përkufizojnë të ardhmen e popullit dhe pikëpamjet politike. Profesionalizmi i medias, balanca dhe pavarësia në mbulimin e zgjedhjeve janë parakusht për zgjedhje demokratike. Ne jemi të shqetësuar për praktikën e përhapur gjerësisht ne Shqipëri të transmetimit të produkteve të njësive të Marrëdhënieve me Publikun të partive politike, në vend të raportimit të paanshëm mbi fushatat politike. Të ashtuquajturat “kasetat e partive” duhet të transmetohen vetëm si pjesë e programeve që etiketohen qartë si marketing politik. Nuk e theksoj dot mjaftueshëm që asgjë nuk mund të zëvendësojë një mbulim mediatik të prodhuar në mënyrë autentike dhe të pavarur.
 
Ashtu siç e dini, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e angazhuar që të mbështesë reformën zgjedhore. Në këtë kuadër, më lejoni t’ju rikujtoj një prej rekomandimeve të dhëna nga ODIHR në vitin 2015: “shfuqizimi i dispozitave të Nenit 84 të Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e prodhuara nga partitë politike të transmetohen në lajme".
 
E fundit, por jo më e pakta për nga rëndësia, do të donim të tregonim mbështetjen tonë për gazetarët; ata meritojnë pozicion shoqëror më të mirë dhe siguri në punë. Punësimi informal në media mbetet një praktikë e përhapur gjerësisht. Fatkeqësisht, kjo sjell mungesën e pavarësisë editoriale dhe i hap derën presioneve të ndryshme. Bëhet e mundur që gazetarët kritikë të zhduken nga ekipet editoriale pa rekurs ligjor, duke i ekspozuar ndaj të gjitha llojeve të presionit. Ne bëjmë thirrje për zbatimin e kodit të punës në të gjitha kompanitë mediatike.
 
Në përfundim, përmirësimi i situatës ekzistuese mediatike në vend kërkon angazhim politik të qartë e të gjerë, si edhe angazhim dhe pjesëmarrje të plotë të gazetarëve dhe të shoqërisë civile që punon për çështje të medias. Për këto arsye kemi nevojë për dialog profesional, si forumi i sotëm. Pres me padurim të dëgjoj mendimet tuaja për këto çështje.
 
Ju faleminderit!
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?