Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar gjoba dhe masa administrative ndaj disa partive politike dhe kandidatëve pas auditimit të financimeve të fushatës së zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Audituesit kanë dhënë opinion “me rezervë” për një sërë subjektesh, duke evidentuar shkelje financiare, mungesë transparence dhe mosraportim fondesh. Ndërkohë një kandidat i PDIU do duhet të kthejë mbi 1.1 milionë lekë dhe të paguajë një gjobë prej mbi 2.2 milionë lekësh për pranimin e fondeve nga donatorë të ndaluar.
***
Raporti i auditimit për financimet e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, nxjerr në pah një seri shkeljesh financiare, mosraportime dhe mospërputhje nga një sërë partish dhe kandidatësh. KQZ propozon masa administrative dhe gjoba që në disa raste arrijnë në miliona lekë.
Disa nga partitë në vend kanë marrë opinion “me rezervë” nga audituesit për shkak të problematikave në financimin dhe raportimin e fushatës. Mes tyre, Partia e Lirisë, pasi audituesit konstatuan shpenzime që nuk lidheshin me fushatën zgjedhore dhe mungesë të dhënash për financuesit e disa kandidatëve. Auditi ka gjetur 91 mijë lekë shpenzime jashtë fushatës dhe 495 mijë lekë pa identifikim financuesi.
Në parregullsi dhe në Partia Socialiste, e cila ka mospërputhje për 169 zyra zgjedhore mes raportimit financiar dhe monitorimit në terren. Ndërsa 6 kandiatë të PD akuzohen për mosrespektim të formateve të raportimit financiar.
Diferencë prej 21 zyrash zgjedhore mes monitorimit dhe raportimit financiar ka edhe Mundësia e Agron Shehajt, ndërsa Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës ka keqpërdorim i llogarisë së posaçme.
Lëvizja Bashkë mori opinion “me rezervë” për mungesë të llogarisë së posaçme bankare, vetëfinancime të padeklaruara dhe diferenca të mëdha në raportimin e zyrave zgjedhore.
Raporti evidenton edhe shkelje individuale nga kandidatët e listave shumemërore. Për 10 kandidatë, KQZ propozon gjoba nga 500 mijë deri në 1 milion lekë për mosrespektim të formateve standarde të raportimit financiar.
Ndërkohë rasti më i rëndë i konstatuar është ai i kandidatit Skënder Muço të PDIU-së. Sipas raportit, ai ka përfituar fonde nga donatorë të ndaluar me ligj.
Për këtë rast, KQZ propozon kthimin e mbi 1.1 milion lekëve në favor të institucionit dhe një gjobë prej mbi 2.2 milion lekësh.
Në raport evidentohet gjithashtu se disa parti nuk kanë dorëzuar fare raport financiar, ndërsa të tjera kanë pasur qindra kandidatë që nuk kanë paraqitur deklarimet individuale të financimit të fushatës.
Komente







