Koalicioni opozitar çel fushatën tek ‘Air Albania’! Berisha: Starti ynë ka tmerruar Ramën e lolot e tij! Meta: Do sjellim përmbysjen e korrupsionit

Në stadiumin ‘Air Albania’ koalicioni Meta-Berisha çelën sot fushatën elektorale për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 14 maj. Takimi elektoral nisi një orë me vonesë dhe pavarësisht përpjekjeve për ta mbushur plot, patën pjesëmarrje të ulët.

Stolat e stadiumit 'Air Albania' ishin thuajse të boshatisur, megjithëse ishte trumbetuar nga dyshja Meta-Berisha si një miting madhështor.

61 kandidatët e koalicionit 'Bashkë Fitojmë' për zgjedhjet e 14 majit, u prezantuan një nga një dhe marshuan në fushën e stadiumit ku u ndoqën nga militantët të cilët morën pjesë sot në miting. Në nisje u transmetua edhe një dokumentar me historinë e Berishës dhe atë që ai e konsideron se 'periudhën e lavdishme të tij', duke mos lënë sigurisht pa përmendur takimet me presidentët amerikanë Bush, për të 'balancuar' faktin që është 'non grata-' nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo cfarë u vu re ishte se nuk kishte simbole të Partisë së Lirisë, ndonëse kandidatët e Berishës futen në garë nën siglën e kësaj partie.

Pas prezantimit të kandidatëve, morën fjalën edhe dyshja drejtuese e koalicionit që hodhën akuza ndaj Edi Ramës duke e cilësuar këtë çelje të fushatës si start madhështor por përballë shihnin stolat bosh.

“Ky start i madh i paparë në 32 vite, është një garanci e madhe e suksesit tonë. Ky start ka tmerruar Edi Ramën dhe lolon e tij Erion Veliajn dhe lolot e tjera kudo.  Një dyshe famëzezë që ditënn lëpihen me njëri tjetrin kurse natën i bëjnë gropën me lopata njëri tjetrit. Edi Rama ndihet tmerrësisht i tmerruar, nga ju, sepse ai e di se ju jeni misionarë të ndryshimit”, tha Sali Berisha.

“Ne e dimë shumë mirë se pushtet absolut do të thotë korrupsion absolut sic është e gjithë Rilindja në pushtetin vendor. Nuk është koha për ndryshim, por për revolucion. Të gjithë të vrapojmë se përballë këta kandidatë nuk kanë rivalë por vetëm një regjim të kalbur në themelet e tij të korruptuara, kanë përballë një regjim”, tha Ilir Meta.

Nga stadiumi “Air Albania”, koalicioni prezantoi edhe këngën që do ta shoqërojë gjatë kësaj fushate. Bëhet fjalë për një këngë të rrymës ‘hard rock’ që vëmendje të madhe i ka dhënë fjalëve ‘guxo, shpreso e rezisto’.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:07
FOTO/ Meta ‘shfaqje’ në Air Albania, 'imiton' komedianin e njohur me lëvizjet e tij gjatë ngjitjes në podium

1681571500_page.jpg

Hapja e fushatës elektorale të dyshes Meta-Berisha duket se do të mbahet mend edhe për gjetjet kontraversale për të marrë vëmendjen e publikut me çdo kusht.

Një nga këto ishte edhe autobusi ‘butaforik’ në fushën e stadiumit, por edhe spektakli i Ilir Metës i cili në përpjekje për t’u dukur interesant në paraqitjen e tij, rezultoi të kryente një imitim të komedianit Norman Wisdom, të njohur gjerësisht si ‘Pitkini’. Krahasimi është bërë gjatë përpjekjes së Metës për të bërë një ngjitje ndryshe në podiumin ku mbajti fjalën.

Ora 16:31
FOTOLAJM/ Ja zgjidhja e Sali Berishes për parkimin në Tiranë

1681569122_WhatsAppImage20230415at3.37.34PM.jpeg

Teksa koalicioni Berisha-Meta çeli fushatën në stadiumin "Arena Kombëtare”, e gjithë zona aty pranë eshte kthyer në nje kaos të plotë. Makinat luksoze të kandidatëve, por edhe të drejtuesve të koalicionit, përfshirë edhe makinat e Berishës dhe të Metës, jane parkuar mbi trotuare dhe mbi pedonalen e Sheshit Italia, para hyrjes në stadium.

Mjafton për të parë këto foto, për të kuptuar alternativën e parkimit falas që ofron dyshja Berisha-Meta dhe kandidati i tyre në Tiranë. Pamje të tilla sjellin në kujtesë kaosin e dikurshëm kur Tirana drejtohej nga Lulzim Basha, ku kush ishte më i forti, parkonte mbi trotuar apo lulishte.

Ora 16:07
Berisha në stadiumin thuajse bosh: Start i paparë, jemi shqiptarë ne o budallenj! Rama e ndjen se do humbasë në mënyrë të turpshme

 

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij para të pranishmëve në stadiumin Air Albania ku ka sulmuar kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PS-së, Edi Ramën dhe kandidatin socialist për kryebashkiak të Tiranës, Erion Veliaj.

Berisha e nisi fjalimin e tij duke e quajtur si një ‘start të paparë’ hapjen e fushatës së koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ pavarësisht se numri i të prnaishmëve në stadium raportohet të jetë shumë i ulët. Ai tha se Rama është i tmerruar sepse ndjen se në 14 maj do humbasë në mënyrë të tuprshme.

“Ky start i madh i paparë në 32 vite, është një garanci e madhe e suksesit tonë. Ky start ka tmerruar Edi Ramën dhe lolon e tij Erion Veliajn dhe lolot e tjera kudo.  Një dyshe famëzezë që ditënn lëpihen me njëri tjetrin kurse natën i bëjnë gropën me lopata njëri tjetrit. Edi Rama ndihet tmerrësisht i tmerruar, nga ju, sepse ai e di se ju jeni misionarë të ndryshimit. Është i tmerruar nga 14 maji sepse e di që do humbasë në mënyrë të turpshme. Itmerruar nga përgjegjësia që do mbajë për cdo fatkeqësi që u ka sjellë familjeve shqiptare në 10 vite. Atë e pret fati i mikut të tij, Charles McGonigal. Sepse e di se nuk ka gjykatë në botë që të dënojë rryshfet marrësin dhe mos të dënojë rryshfet dhënësin. Nuk të shpëton dot as vjedhja e vulës, as George Soros, je krejtësisht i pashpresë. Ramës dhe Rilindjes do i them dy fjalë :Jemi shqiptarë ne o budallenj, besën e prerë dhe votën e vjedhur nuk ta falim kurrë! Mjerë ti! Ndryshimi është në duart tuaja”-Berisha.

Ora 15:43
Berisha dhe Meta zgjedhin këngë ‘rrok’ për fushatën zgjedhore! Renis Gjoka dhe Eugent Bushpepa performancë në ‘Air Albania’: Guxo, shpreso e rezisto

1681566670_erer.JPG

Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë zgjedhur artistë të rrymës ‘rrok’ që të bëjnë këngën për fushatën zgjedhore të 14 majit. Renis Gjoka dhe Eugent Bushpepa kanë performuar në stadiumin ‘Air Albania’ duke e nisur me shprehjen “A jemi gjallë o njerëz.”

Po ashtu, në tekstin e këngës kanë zgjedhur disa fjalë me të cilat duan të japin mesazhe se koalicioni do t’i japë shpresë vendit.

 “Çdo fjalë humbet kuptimin, kur nuk ke zë me fol. Një ditë më shumë duro dhe guxo e shpreso, rezisto”, thuhet në një pjesë të këngës.

Teksti i plotë i këngës

Mos prit aspak 
hidh, një hap
Ne u bëmë shumë 
Bashke fitojme

Koken lart burrat e dheut
Dhe ju gra veshur me diell

Ref
Çdo fjale humbet kuptimin
Kur s'ke, zo me fol
Nje dite, me shume duro
Dhe guxo, ti shpreso
RE-ZI-STOOOO

Sot je Zot
S'ka me lot
Ky brez i ri
Pret nga ti

Mijera duar behen zemra
Mijera zemra behen nje

Ref
Çdo fjale humbet kuptimin
Kur s'ke, zo me fol
Nje dite, me shume duro
Dhe guxo, ti shpreso
RE-ZI-STOOOO

Ndryshim ndryshim, therret kjo toke
Ata qe iken, s'kthehen dot
Ata qe rrijne, zgjedhje skane
Te gjitha endrrat, keta ja vrane

Mos guxo, te me shash
Çdo mekat me sy e pashe
Me s'duroj, me s'pranoj
Emrin tim mos e zej ne goje

REZISTOJ

Çdo fjale humbet kuptimin
Kur s'ke, zo me fol
Nje dite, me shume duro
Dhe guxo, ti shpreso
RE-ZI-STOOOO

Ora 15:40
Meta para kandidatëve të koalicionit me Berishën: Është koha të vrapojmë! Keni përballë regjim të kalbur e të korruptuar, jo rivalë

 

Kryetari i Partisë së Lirisë ka mbajtur fjalën para kandidatëve dhe mbështetësve në stadiumin ‘Air Albania’, ku celi fushatën zgjedhore me Sali Berishën. Meta i cili vrapoi për në podium, tha se është koha për të vrapuar dhe të rrëzojnë Rilindjen nga pushteti vendor. Meta riktheu në vëmendje ‘revolucionin’ që e përmendte disa herë në protestat e zhvilluara me Berishën dhe theksoi se ka ardhur koha për ndryshim.

“Për shkak të eksperiencave, mendoj se është koha të vrapojmë. Edhe 29 ditë për t’i dhënë fund monizmit absolut në pushtetin vendor. Shpesh pyes veten, më në fund pas 4 vitesh do të shkallojmë atë që askush nuk e mendonte apo imagjinonte në Shqipëri, që ky vend anëtar i NATO-s, 100% pro europian të jetë vend ku në mënyrë të paligjshme një klik kontrollon në mënyrë absolute të gjithë pushtetin vendor jo vetëm me kryebashkiakët por edhe këshilltarët. Ne e dimë shumë mirë se pushtet absolut do të thotë korrupsion absolut sic është e gjithë Rilindja në pushtetin vendor. Nuk është koha për ndryshim, por për revolucion.

Të gjithë të vrapojmë se përballë këta kandidatë nuk kanë rivalë por vetëm një regjim të kalbur në themelet e tij të korruptuara, kanë përballë një regjim. Këta janë kandidatët më legjitim që ka njohur historia e vendit tonë që në një ditë të acartë si ajo e 11 dhjetorit demokratët morën në këtë arenë të madhe të lirisë, pluralizmit politik e demokracisë. Përballë janë ata që s’pranojnë të dalin në studio televizive se kanë nga 2-3 mandate. Të vlerësojmë fuqinë tonë demokraci dhe kjo është vota, vetëm ajo bën ndryshimin. Të gjithë të shkojmë në votime, të votojmë për fitoren e këtyre kandidatëve të mrekullueshëm dhe gjeografia e fitores sonë do jetë e jashtëzakonshme”, tha Meta.

Ora 15:21
Sali Berisha bezdiset nga dielli gjatë prezantimit të kandidatëve tek 'Air Albania', truproja i bën hije (FOTO)

Teksa kandidatët e koalicionit Berisha-Meta po bëjnë prezantimet në stadiumin ‘Air Albania’, Sali Berisha duket se është bezdisur nga dielli.

Në një moment është fotografuar që mban dorën mbi kokë që të pengojë diellin. Por më pas i është gjendur truproja, i cili përmes një pankarte ‘i bën hije’ Berishës që të shohë qartë prezantimet e kandidatëve.

 

Ora 14:59
Kandidati për Bashkinë Dibër, Ismail Uka: Punësim të rinjve dhe decentralizim të shërbimeve

 

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë e Dibrës, Ismail Uka, tha se punësimi i të rinjve është kryeprioriteti i tij kur të marrë bashkinë.

“Ndryshimi i madh po ndodh. Qeverisja e keqe dhe krimi dhe korrupsioni po rrezikon përfundimisht Dibrën. Unë jam kandidat për mbrojtjen e interesit publik dhe për t’iu përgjigjur sfidave. Falënderoj të gjithë demokratët që më votuan si kandidat në ‘Primare’. Të nderuar qytetarë të Dibrës, në këto vite ju jeni dëshmitarë të abuzimit dhe korrupsionit në tendera. Ju jeni dëshmitarë që dhjetëra punonjës të Bashkisë Dibër që kanë përfunduar në dyert e SPAK. Sot Bashkia e Dibrës është rast unikal në Shqipëri që është në prag falimentimit. Ka një borxh rreth 4 mld lekë, i barabartë me buxhetin vjetër të saj.  Njerëzit largohen. Qyteti i Peshkopisë është kthyer në një qytet pa jetë. Për fat të keq ‘Rilindja’ ka vendosur t’i ofrojë qytetarëve të Dibrës të njëjtin model. Unë ju ofroj model krejtësisht tjetër. Unë do të decentralizoj kompetencat e bashkisë dhe do t’ua kaloj disa njësive vendore. Prioriteti im kryesor si kandidat është dhe mbetet hartimi i projekteve për punësimin e brezit të ri që ta mbajmë këtu dhe ta shohin të ardhmen në qytetin e tyre. Kam një thirrje vëllazërore, kam një apel shpirtëror për të gjithë dibranët. Bëhuni pjesë e këtij ndryshimi me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet vendore të datës 14 maj”, tha Ismail Uka.

Ora 14:27
Kandidati i Berisha-Meta për Shkodrën, Bardh Spahia thirrje socialistëve: Jeni zhgënjyer, na votoni neve

 

Në hapjen e fushatës elektorale të kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Shkodrën Bardh Spahia ka ftuar socialistët që ta votojnë.

 “Ta refuzojmë joshjen dhe shantazhin, duke qëndruar të fortë dhe me kokën lart do ia dalim të fitojmë më 14 Maj. Ne nuk e humbën besim në Shkodër dhe fituam, zgjodhëm bashkimin mbi përçarjen. Janë 30 ditë dhe nga sot puna jonë është vetëm me njerëzit dhe për njerëzit. Ne jemi alternative më e mirë për Shqipërinë, punojmë me dashurinë për familjen e vendin., Nuk i ndajmë njerëzit me ngjyra partiake, të kuq, mavi e blu. Ftojmë socialistët të bashkohen me ne në 14 maj, ka zhgënjim mes tyre, janë braktisur nga partia e tyre. Socialistë të zhgënjyer votoni kudo kandidatët e opozitës së vërtetë. Bashkë do të fitojmë, do i hapim rrugës çlirimit të Shqipërisë nga qeveria më e korruptuar. 14 Maji është misioni më i vështirë, por do e kthejmë misionin tonë.

Mos e lejoni këtë radhë, e dimë sa herë ai ka blerë zgjedhjet Shqipëria është bërë më keq, e shqiptarë janë larguar. Ne nuk dorëzohemi, do luftojmë dhe do fitojmë”, tha Spahia.

 

 

 

 

Ora 14:27
Zgjedhjet vendore, Igli Cara: Në Durrës më 14 maj është dita kur do të ndahemi nga Rama-Dako-Sako

 

Igli Cara kandidat për bashkinë e Durrësit, i koalicionit Berisha-Meta thekson se me 14 maj do jetë dita e ndryshimit të madh dhe rikthimin e Durrësit në polin më të rëndësishëm në vend. Cara tha gjatë fjalës së tij për hapjen e mitingut elektoral se më 14 maj do të jetë dita kur do të ndahen nga Rama-Dako-Sako.

‘Durrësi në Duart Tuaj nënkupton më shumë gjelbërim më pak zhurmë e trafik! Ndryshim duhet bërë dhe të përmbyllet procesi i rindërtimit brenda vitit 2024. Ndryshimi i madh do të nisë nga Durrësi. Së bashku do të bëjmë gjithçka për ndryshimin dhe rikthimin e Durrësit në polin më të rëndësishëm në vend. 14 maji është dita që na ndan nga Rama-Dako-Sako. 14 maji është dita që na bashkon me çdo sipërmarrës të drejtë në Durrës. Do të bëjmë gjithçka që të mbështesim sektorin e Turizmit në Durrës.’- tha Cara.

Ora 14:17
Koalicioni Berisha-Meta çelin fushatën, Boçi: Beteja jonë në Elbasan është për qytetarët

 

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta në zgjedhjet vendore të 14 majit për Elbasanin, Luçiano Boçi u shpreh se qytetarët janë zemëruar dhe kërkojnë ndryshimin. 

‘Faleminderit që jeni në këtë hapje madhështore që flet qartë për fitoren tonë. Të marrim në duar fatet tona dhe të nisim betejën tonë të jetës. Beteja që kemi para nuk është si betejat e dikurshme. Beteja jonë është një betejë thelbësore vlerash! Beteja jonë nuk ka kurrfarë egoje personale, pasi ajo është një betejë e pastër për qytetarët. Ju ftoj të luftojmë më pasion betejën tonë! Ajo që më ka sjellë para Elbasanit është kërkesa e tyre për ndryshim! Besimi nuk ka qenë kurrë kaq i lëkundër dhe i brishtë. Elbasanasit janë të zemrëuar nga ajo që nuk përmirësohet kurrë në jetën e përditshme.'- tha Boçi.

Ora 13:55
FOTOLAJM/ Po ngjitej në podium, Floriana Garo pengohet në stadiumin ‘Air Albania’

Zëdhënësja e Rithemelimit Floriana Garo ka pësuar një incident në nisjen e fushatës së koalicionit Berisha-Meta, ku edhe po prezanton kandidatët.

Teksa po ngjitej në podiumin në ‘Air Albania’, për të bërë prezantimin, Floriana Garo ka pasur një “incident”.

Garo është penguar teksa po ngjiste shkallët e podiumit.

Ora 13:48
Berisha ‘non grata’ rikthen kujtimet e vjetra me amerikanët! Shfaq dokumentarin, e ‘fshin’ çdo gjurmë të partisë së Metës

1681559366_30280010151211998599909873652871n.jpg

Në çelje të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit, koalicioni Meta-Berisha ka prezantuar një dokumentar! Dokumentari fshinte çdo gjurmë të Partisë së Lirisë, partia ku Sali Berisha ka gjetur strehë që të regjistrohet në zgjedhje, tregohej historiku i periudhës së ‘lavdishme’ PD-së.

Madje Sali Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA kishte rizgjuar edhe kujtimet me amerikanët, ku shfaqte në video momentin e takimit me Hilary Clinton si dhe presidenti George Bush.

‘Këto ishin ditët më të mira për shqiptarët kudo që jetonin! PD ishte një shkallë që po e ngjiste Shqipërinë lart në aspiratat e Europiane. PS nuk ka arritur kurrë fitore që ti përafrohen demokratëve.’- thuhej në dokumentar.

Rikthimi i Berishës, në dokumentar cilësohej si shpëtimtari i PD-së.

‘Rithemelimi shpëtoi PD-në nga kthetrat e atyre që e kishin projektuar si një parti kukull. PD arriti të shpëtonte opozitën.’- thuhej në të.

Në pamje nuk mungonin edhe momente kur Berisha kishte konsiderata për Lulzim Bashën, të cilin tashmë e quan si peng të Ramës.

M.Q./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mino: 15/04/2023 21:12

    Kjo Garo me duket sikur e kishte mendjen tek cari ne ate moment.

    Përgjigju
  • Kavajsi: 15/04/2023 17:05

    Edhe unë ja mbështes "mendimin" komentuesve të mëposhtëm. Nuk janë avjonë; janë mushkonja!

    Përgjigju
  • Askushi: 15/04/2023 16:44

    Roje po uturakun amon a ja mban ja mar me vete plakut mere

    Përgjigju
  • Democratic: 15/04/2023 16:36

    Ky truproja vetem hije i ben se grushtin qe ja futen nuk e ndali dot. Shyqyr thuaj qe nuk kishte pisqolle se e vriste krejt te ishte per keta breçanet e kuliçnat qe per turpin e tij i mban afer. Rama ik

    Përgjigju
  • Hasan Pordha: 15/04/2023 15:07

    O Niku ketyre as faqja nuk ju skuqet as turp skane ate qe e peshtyne prape e lepijne.

    Përgjigju
  • Niku: 15/04/2023 13:11

    Po keta sikur e shanin Air Albania... apo ku kane turp keta lloj langosh,,,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim