Zgjedhjet e 6 marsit, Logu: Nën logon e PD-së nuk kandidojnë mbështetësit e Berishës! Përçarja që i bëri demokratëve do reflektohet tek vota! Ja bashkitë që synojmë të fitojmë

TIRANË- Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, PD-ja zyrtare vijon të theksojë se nën logon e saj nuk do të kandidojnë mbështetësit e Berishës, ndryshe nga çfarë pretendon i ashtuquajturi Komision i Rithemelimit se do të kandidojnë nën siglën e PD-së. Përfaqësuesi Ligjor i PD-së, Marash Logu tha në 'Studio Live' me gazetarin Arbër Hitaj se po punohet për përzgjedhjen e kandidaturave dhe afati për vendosjen e tyre është 31 janari. Sipas tij po punohet për figura të forta që do të bëjnë bashkë të gjithë opozitarët.

“Në zgjedhjet e 6 marsit 2022 do ketë vetëm një kandidat me këtë logo e PD-së, nuk do ketë dy-tre kandidatë, kështu që në këto zgjedhje jemi të përgatitur për të zgjedhur kandidaturat më të mira të mundshme që bashkojnë demokratët, opozitarët, por mbi të gjitha qytetarët”, u shpreh Logu në Report Tv.

Nga 6 bashki që do të futen në zgjedhje, Logu tha se Partia Demokratike synon që të fitojë 3 prej tyre, Vorën, Shkodrën dhe Dibrën, duke llogaritur që janë bastione të djathta.

“Ne synojmë të marrim rezultat opitmal në të gjitha bashkitë. Shkodra Dibra janë bashki të fituara në 25 prill, edhe Vora ka votuar tradicionalisht për PD. Kemi angazhim serioz për të qenë fitues”, vijoi ai.

Këto zgjedhje, sipas kryeredaktorit të gazetës ‘Standard’, Gëzim Saliu janë ‘fushëbeteja’ e parë e Bashës dhe Berishës pasi do të masin vlerën e tyre përmes votave. Sipas tij, Basha është kapur në befasi dhe i papërgatitur në këto zgjedhje, ndryshe nga Berisha, që sipas tij mund të bëjë koalicion edhe me aleatët.

“Surprizë vendimi i presidentit! Vendimi i shpallur ka kapur në befasi pjesën e PD-së, Basha është kapur më shumë në befasi e shoh më të papërgatitur, tek foltorja shoh frymë më pozitive. PD e Bashës nuk ka folur për koalicion, foltorja dhe aleatët mund të kenë kandidat të përbashkët. Janë një përballje mes dy PD, prova e parë në fushëbetejë. Mazhoranca një tang në sulm që sulmon gjatë gjithë kohës. Në PD loja do jetë Basha-Berisha”, tha Saliu.

Kriza në Partinë Demokratike mes Bashës dhe Berishës do të ndikojë ne elektorat sipas Saliut, sepse qytetarët që nuk e duan kryedemokratin nuk do të votojnë as për kandidatin e propozuar nga ai. Kjo u pohua edhe nga Logu, i cili tha se nxjerrja e dy kandidatëve do të dëmtojë rezultatin e PD-së duke rrezikuar edhe fitoren.

“Pala e zotit Basha pretendon që nuk ka krizë në PD, nëse nuk njeh 5 mijë e ca delegatë, janë demokratë që i shohim në foltore si mund të mohosh që ata nuk ekzistojnë. Pala tjetër apo ajo pjesë e demokratëve nuk e mbështesin kandidatin që ju përfaqësoni, sepse e cilësojnë Bashën e shkarkuar dhe ata do votojnë kandidatin e sjellë nga foltorja”, tha Saliu.

“Kushdo që përpiqet të nxjerrë kandidat që pretendon që janë të PD por pa logon e PD, dëmton fushatën dhe angazhimin tonë serioz. Nxjerrja e dy kandidatëve dëmton rezultatin dhe fitoren e kandidatit të PD”, tha Logu në Report Tv.

Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki, përkatësisht në Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Lushnje, Vorë dhe Dibër.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë