Për të dytën herë brenda një viti, Kosova zhvillon sot zgjedhjet parlamentare. Pas dështimit të formimit të qeverisë nga Partia Vetëvendosje me në krye kryeministrin në detyrë Albin Kurti, dhe të tjera partive, Kosova mban sot zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në zgjedhje marrin pjesë 22 subjekte politike, 18 janë parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Partitë kryesore që garojnë janë Lëvizja Vetëvendosje, VV, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nga radhët e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Qendrat e votimit janë hapur tashmë që prej orës 07:00 për tu mbyllur në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtë vote, në këto zgjedhje sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues. Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime.

Që prej 9 shkurtit, Kosova ndodhet në bllokim institucional pasi asnjë parti nuk arriti të formonte qeverinë.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:08
Zgjedhjet e parakohshme/ Lista Serbe nis votimin kolektiv në Mitrovicën e Veriut

Foto: Zllatan Ellek

Pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, kanë dalë për të votuar në mënyrë kolektive nga qendra e Mitrovicës së Veriut, në krye me kryetarin e partisë, Zllatan Ellek.

Votimi kolektiv është bërë një praktikë e zakonshme sa herë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje.

Në garë për dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, përveç Listës Serbe, janë regjistruar edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiçit dhe Lidhja Kosovare e Goran Marinkoviçit.