Ismail Mahilaj, 90 vjeç ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës në qendrën e votimit nr.4440/1, Vlorë.

Për mediat ai shprehet se qytetarët duhet të votojnë, pasi vetëm kështu funksionon shteti.

“Jam 90-vjeç. Kam votuar gjithmonë, jam korrekt. S’ka kuptim po nuk votove. Shteti funksionon duke votuar”, tha i moshuari, Ismail Mahilaj.

Ndërkohë edhe Sabia, një qytetare 86-vjeçare nga Burreli, ka ushtruar sot të drejtën e saj të votës në qendrën e votimit nr. 0929/01, e vendosur në Pallatin e Kulturës.

Për shkak të moshës së thyer dhe problemeve shëndetësore, veçanërisht vështirësive në shikim, ajo u shoqërua nga nipi i saj për të realizuar procesin e votimit.

Pavarësisht lodhjes dhe sfidave që vijnë me moshën, Sabia tha se e konsideron votën një detyrim qytetar dhe shprehu dëshirën që zëri i saj të dëgjohet edhe në këtë proces zgjedhor.

"Nga këto zgjedhje presim, vetëm mirësi, të bëhet mirë çdo gjë", tha ajo.