Zgjedhjet lokale, Vasili zbardh
emrat e 15 kandidatëve të LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar 15 kandidaturat për kryetar të Bashkive në zgjedhjet e 21 qershorit, të cilat do t’ia paraqesë tryezës së koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane.

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, nënkryetari i LSI-së,  Petrit Vasili gjatë një konference për shtyp bëri edhe prezantimin e 15 emrave, të cilat do t’i paraqiten tryezës së koalicionit zgjedhjet e 21 qershorit. Sipas  Vasili, këto 15 kandidatura kanë ardhur pas një diskutimi me Kryesinë e LSI-së por edhe pas konsultave të shumta me bazën e LSI-së.

“Kryesia e LSI-së sapo përfundoi mbledhjen e saj e cila lidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjedhjet e 21 qershorit, përgatitjet intensive për fushatat e 21 qershorit dhe për pasjen e një fushate e cila garanton fitoren dhe konkurrimin dinjitoz në të 61 bashkitë e vendit, dhe njëkohësisht vendosi e diskutoi për të bërë dhe propozimet përkatëse tavolinës së koalicionit lidhur me bashkitë e mëposhtme ku kandidaturat të cilat unë do t’i bëj publike janë tashmë të dakordësuara nga Kryesia e partisë, nga baza e LSI ku diskutimet kanë qenë të gjera, dhe njëkohësisht dhe nga mjaft faktorë të terë të shoqërisë civile për të pasur pra zgjidhjen dhe zgjedhjen më të mirë për konkurrimin në këto njësi vendore”, - tha Vasili.

Nënkryetari i LSI Vasili pohoi në fjalën e tij se mbledhja e kryesisë së LSI-së vendosi edhe respektimin e përpiktë të kuotës gjinore 50% në listat për Këshillat Bashkiak, por edhe respektimin e 30% të kandidaturave që të vijnë nga Lëvizja Rinore për Integrim.

“Një normë tjetër e rëndësishme e cila u përcaktua në mbledhjen e Kryesisë e cila sapo u mbyll, do të jetë përveç respektimit, jo vetëm të detyrimit ligjor, por për ne ka qenë i kahershëm një detyrim që LSI e ka marrë për përfaqësimin 50 për qind me 50 për qind për barazinë gjinore, por njëkohësisht u rikujtua dhe u shpërnda udhëzimi i kryesisë për respektimin e kuotës prej 30 për qind të përfaqësimit të Lëvizjes Rinore për Integrim në të gjitha listat për këshillat bashkiake në të 61 bashkitë e vendit”,- tha Vasili.

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se Kryesia e LSI-së ka vendosur edhe miratimin e kalendarit elektoral përbën edhe një shtrirje të plotë në të gjitha njësitë vendore për të garantuar jo vetëm fitoren e zgjedhjeve por edhe forcimin e pushtetit vendor.

Kandidatët e LSI për zgjedhjet lokale të 21 qershorit
Lezhë – Vikor Tusha
Gjirokastër –  Zamira Rami
Berat – Petrit Sina
Kukës – Hasan Halili
Pogradec – Diana Mile
Përrenjas – Miranda Rira
Kuçovë – Selfo Kapllani
Bulqizë – Milaim Damazi
Cerrik – Altin Toska
Selenice – Kasëm Cene
Vorë – Luan Sallaku
Mallakastër  – Shyqyri Kapllani
Skrapar – Nesim Spahiu
Delvinë – Rigels Balili
Kolonjë – Arben Malo 

Meta: Do respektohet vota e qytetarit e barazia gjinore
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, njëherësh kryetar i LSI-së ka siguruar se në zgjedhjet lokale të 21 qershorit do të respektohet vota e qytetarit. Nga mbledhja e kryesisë së LSI-së, Meta theksoi se vota e qytetarit është më e rëndësishme se rezultati, ndaj këto zgjedhje do të jenë pozitive për të gjithë.

"Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme sepse do demostrojmë vullnetin e kësaj mazhorance për të respektuar votën e qytetarëve shqiptarë. Nisur që nga respektimi i pavarësisë së KQZ. Garantojmë një trasparencë maksimale, dëshmojmë se respekti i çdo vote është më i rëndësishëm se rezultati. Nga ky process do fitojnë të gjithë forcat politike. Duhet të distancohemi nga çdo fenomen negativ që cënon zgjedhjet e lira por dhe të denoncojnë çdo abuzim me votën e qytetarëve", theksoi Meta.  

Në fjalën e tij, Meta e ka vënë theksin tek risia që sipas tij sjell mbajtja e zgjedhjeve lokale me reformën e re administrativo-territoriale, e cila sipas tij do ta shkëpusë pushtetin vendor nga vartësia politike. 

meta

“Reforma territoriale do të sjellë një qetësi të re dhe shërbim më të mirë ndaj qytetarëve. Për herë të parë pushteti vendor do të jetë real, konkret dhe krijues për t'i sjellë zhvillim komuniteteve”, ka deklaruar Meta.  Një tjetër risi sipas numrit dy të mazhorancës do të jetë barazia gjinore, e cila sipas tij do të jetë e pranishme në çdo këshill bashkiakë. 

“Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme sepse do tregojnë vullnetin e mazhorancës për të respektuar votën e qytetarit. Vota e qytetarit është më e rëndësishme se rezultati, ndaj këto zgjedhje do të jenë pozitive për të gjithë”, ka thënë Meta. Kryetari i Kuvendit ka saktësuar se, në kuadër të koalicionit me PS kandidatët janë të përbashkët.



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave