Mes krizës, pakënaqësisë dhe deziluzionit, Italia po shkon në zgjedhje.

Në këtë mënyrë i fotografon media e huaj zgjedhjet italiane që, që nga Britania e Madhe deri në SHBA, kanë dominuar shtypin kryesor botëror, i shqetësuar nga një rikthim i Berlusconit dhe nga galopi populist i Beppe Grillos, por mbi të gjitha nga një rezultat elektoral që mund ta lejë vendin në një paqartësi akoma më të madhe.

Në Britaninë e Madhe, edicioni i së dielës ''The Observer'' i gazetës ''The Guardian'', ka titullin ''Italia voton në paqartësi''.
''Mundësia e një qeverie të dobët dhe galopi i ish-komikut populist (Grillo) janë shqetësuese'', shkruan ''The Observer''.
''A janë këto zgjedhje sipari i fundit Silvio Berlusconit?'', pyet ''Daily Telegraph'', sipas të cilit kavalieri ka humbur shkëlqimin e dikurshëm.

BBC-ja, me titullin ''Zgjedhjet italiane si çelës për rimëkëmbjen ekonomike'', thekson frikën e eurozonës për perspektivën e një parlamenti të bllokuar.

Në Francë, gazeta ''Le Figaro'' risjell ''rikthimin e përjetshëm të kavalierit'', ndërkohë që në një artikull tjetër vë në dukje ''boom''-in e Beppe Grillos që e konsideron ''sëmundja e re e italianëve''.

Edhe ''Le Parisien'' i kushton një artikull Grillos, që e quan ''Coluchi italian'' duke e krahasuar me mikun e tij transalpin, i cili me provokacionet e tij u paraqit në zgjedhjet presidenciale të 1981-i.

''Pesë kandidatë, pesë stile të ndryshme'', titullon ''Le Monde'', që pyet ''kush do ta drejtojë Italinë? Teknokrati Monti, i përhershmi kavalier, komiku antisistem Grillo apo kandidati normal Bersani?''.

''Le Nouvel Observateur'' mban titullin ''Farsa e fundit e Silvio Berlusconit'' duke nënvizuar se ''kavalieri mund të bëjë surpriza''.

''Po rimarrim në dorë vendin'' titullon duke iu referuar fjalëve të Grillos, gazeta ekononike gjermane ''Handesblatt'', që shton se analistët i frikësohen një gjendjeje impasi.

''Der Spiegel'' ka titullin ''Finale çmendurie'' duke theksuar se ''Itali ka përjetuar një nga fushatat më të çmendura elektorale, ku ''edhe qentë kanë patur një rol'' dhe ku ''ka dominuar kaosi dhe demagogjia''.

''Kjo fushatë ka qenë e papranueshme po të kemi parasysh situatën në Evropë'', shkruan gazeta gjermane.

''Ju jeni e keqja'', shkruan në një editorial ''Die Welt'', që shton se ''gjithë Evropa i frikësohet riktihimit të Berlusconit. Alternativat janë modeste: komiku Grillo dhe shumë pak karizmatiku Bersani. Italianë të dëshpëruar''.

Në Spanjë ''El Pais'' ka titullin ''Italia zgjedh mes ndryshimit të qetë të qendrës së majtë dhe kaosit''.

''Italia voton në paqartësi'' është titulli i ''El Mundo''.

Përtej oqeanit, ''New York Times'' shkruan se ''me inat dhe pa iluzione, italianët votojnë''.
Për gazetën tjetër amerikane ''Washington Post'', vota në Itali ''mund të përcaktojë të ardhmen e një kombi në krizë''.

''Zgjedhjet në Itali kanë rëndësi për të gjithë Evropën'' shkruan gazeta izraelite ''Maariv''.

''Yediot Ahronot'' në një artikull me titull ''Italia voton, Evropa e shqetësuar'' paralajmëron se, nëse Grillo merr më shumë se 20 për qind të votave, politika italiane mund të përfshihet nga kaosi''


(sg/atsh/shqiptarja.com)