Zgjedhjet në Kavajë, PD ka kohë
deri në 4 prill për t’u regjistruar 

Zgjedhjet në Kavajë, PD ka kohë<br />deri në 4 prill për t’u regjistruar 
Partia Demokratike e cila pa deklaruar më parë se do të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme në Kavajë, sikundërse dhe ato të 18 qershorit, ka kohë edhe një javë që të rivlerësojë qëndrimin e saj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje që afati i fundit që një parti politike të regjistrohet për të marrë pjesë në këtë proces të pjesshëm zgjedhjes lokale, është e marta e ardhshme, në 4 prill.

KQZ vendosi edhe për afatet e tjera procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë Kavajë, që do të zhvillohen në datë 07 maj të këtij viti, pas shkarkimit të Elvis Rroshit si i prekur nga ligji i dekriminalizimit.

“Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhorë për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kavajë, jo më vonë se data 4 prill 2017. Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin kërkesën për regjistrimin si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kavajë, jo më vonë se data 8 prill 2017. Për paraqitjen e kandidatit të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin Bashkisë Kavajë, Komiteti Nismëtar duhet të regjistrohet në KZAZ-në nr.42, jo më vonë se data 08 prill 2017”,-thuhet në vendimet e KQZ-së të marra ditën e djeshme.

Referuar të njëjtave materiale, dokumentet e kandidimit paraqiten në KZAZ-në nr.42 që mbulon bashkinë e Kavajës, jo më vonë se data 12 prill 2017. KZAZ-në nr.42, bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja dhe në rast se vëren parregullsi i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 orë. KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 orë nga riparaqitja e tyre. KQZ ka marrë vendim dhe për procesin e numërimit dhe administrimit zgjedhor.

“Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ nr. 42, duhet të sjellin propozimet jo më vonë se data 2 prill 2017.  Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ nr.42 jo më vonë së data 17 prill 2017. KZAZ-ja, merr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, brenda 5 ditëve. Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në Grupin e Numërimit të Votave, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ nr.42, jo më vonë së data 27 prill 2017. KZAZ-ja, merr vendim për emërimin e anëtarëve të Grupit të Numërimit të Votave-ve, brenda 48 orëve”,-thuhet në vendimin e KQZ-së.

Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë, duhet të bëhet jo më vonë se data 22 prill 2017. Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të huaj duhet të bëhet jo më vonë se 72 orë para datës 07 maj 2017. Prefekti i Qarkut Tiranë, i paraqet KQZ-së listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 6 prill 2017.

KQZ, cakton vendin e numërimit të votave jo më vonë se data 10 prill 2017.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)



 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg