Partia Demokratike ka dorëzuar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet e pjesshme të mbajtura më 3 nëntor në qytetin e Korçës. Nëpërmjet deputetit Oerd Bylykbashi, kërkesa ka shkuar në KQZ për të marrë zgjdhje.
“U faktua me filmim e me zë. Bazuar mbi këto prova kërkuam që KQZ si organ kompetent, të shpallë të pavlefshëm zgjedhjet dhe t’i përsërsië sepse asnjë zgjedhje nuk mund të jetë legjitime kur themeli i votës cënohet përmes blerjes së saj. Shresojmë që KQZ të japë përgjigjen e merituar këtij dhunimi të rëndë të një të drejte kushtetuese”- tha Bylykbashi pas dorëzimit të kërkesës në KQZ. Bylykbashi shtoi se PD do të kërkojë me forcë që të jepet drejtësi për këtë “proces të korruptuar” siç tha Bylykbashi. Për këtë proces ai akuzoi kryeministrin Rama, dhe Ilir Metën, të cilën e quajti bashkëkryeministër. “Do kërkojmë me forcë që kjo e drejtë të vihet në vend dhe t’i japë të drejtë një procesi të korruptuar dhe një sinjali të fortë kundër një sekreti të madh politik siç është korrupsioni me blerjen e votës me para të pista.”, tha Bylykbashi.
Kërkesa
Referuar kërkesës, PD i ka kërkuar KQZ që të bëjë këqyrjen e materialit filmik të depozituar si provë, dhe pas përpunimit të informacionit të shpallë të pavlefshme rezultatet. “Natyrisht, për falsifikimin e rezultatit zgjedhor, organizatorët dhe ekzekutorët e blerjes masive të votës do të përgjigjen penalisht por ajo cka ne si subjekt zgjedhor i kërkojmë KQZ, si organi më i lartë i cili organizon dhe drejton zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë është që pasi të këqyrë materialin filmik të depozituar si provë dhe pasi të kryejë verifikimet përkatëse duke përpunuar informacionin që ajo zotëron, përfshirë dhe atë të inspektorëve të saj në terren, të shpallë të pavlefshme zgjedhjet e manipuluara të zhvilluara ne dt. 03.11.2013 për kryetar bashkie Korcë dhe të urdhërojë ripërsëritjen e tyre”, thuhet në kërkesën dorëzuar KQZ-së.
PD DREJT KOLEGJIT
Komisioni Qendror Zgjedhor nuk do të mund të shqyrtojë kërkesën e dorëzuar nga Partia Demokratike, për pavlefshmëri zgjedhje, sepse ajo nuk ka kuorumin e nevojshëm për të marrë vendim. Referuar precedenteve të zgjedhjeve të 23 qershorit, kur KQZ ishte e paaftë, për shkak të kuorumit, të merrete vendime, ato drejtoheshin në Kolegjin Zgjedhor. Të njëjtin fat do të ketë edhe kjo kërkesë. Në pamundësi që KQZ të marr vendim, Partia Demokratike do t’i duhet që ti drejtohet Kolegjit Zgjedhor. Në nenin 24 të Kodit Zgjedhor kërkohet “... të votojnë pro, jo më pak se 5 anëtarë në rastet për pranimin e ankimeve kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore si dhe kërkesat për deklarimin e pavlefshem të zgjedhjeve në një atë disa qendra votimi”.
PR KËRKON PAVLEFSHMËRI NË KORÇË
Ashtu si Partia Demokratike edhe aleatja e saj, Partia Republikane ka reaguar dje lidhur me skandalin e blerjes së votave në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Korçës. Sipas PR, Partia Socialiste shpërbleu me 20 mijë lekë votuesit. PR e ka cilësuar blerjen e votave një akt imoral që e bën rezultatin e zgjedhjeve të pa ligjshëm, dhe atentat ndaj demokracisë. Sipas kësaj partie, partitë e djathta denoncuan fenomenin edhe në 23 qershor, dhe heshtja e organeve përgjegjëse ka inkurajuar blerjen e votës.
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)