Zgjedhjet në FRPD-në e Rithemelimit/ Evi Kokalari tregon bisedën me Berishën: I thash përsërit garën, ke bërë masakër

Evi Kokalari ka treguar bisedën që ka bërë Sali Berisha për zgjedhjet në FRPD. Ajo ka thënë se i ka kërkuar Berishës që zgjedhjet në FRPD të përsëriten dhe të përjashtohen ata që kanë bërë manipulime.

“Berisha duhet të dalë tani dhe të thotë që kjo që ka ndodhur me forumin rinor nuk është mirë dhe do e zgjidhim. Përsërit garën dhe të gjithë ata që kanë manipuluar të merren masa. Duhet të përjashtohet nga partia kushdo që ka bërë manipulime. I kam thënë privatisht dhe po i them publikisht Berishës”, u shpreh Kokalari për mediat.

Ajo edhe një herë ka thënë se në zgjedhjet për kreun e ri të FRPD është bërë një masakër. Kujtojmë që zgjedhjet për kreun e FRPD u mbajtën dy ditë më parë dhe fitues u shpall Besart Xhaferri, por Kokalari është shprehur e zhgënjyer për këtë rezultat.

Kokalari denoncoi manipulimin e zgjedhjeve në FRPD dje duke deklaruar largimin nga partia.  Ajo shkroi s’mund të merret me atë kategori njerëzish.

 “Sot ju vratë rininë dhe çdo shpresë që ata kishin në një parti të rithemeluar. Turp kryesisë që e lejoj këtë masakër zgjedhore. Unë nuk merrem më me këtë nivel njerëzish. Qofshi të gjithë mirë”, shkruan Kokalari.

Denoncimet dje për zgjedhjet në FRPD ishin të shumta. Isapo-zgjedhuri në krye të forumit Rinor të PD, Besart Xhaferi  mund të mos e mbyllë mandatin e tij në krye të të rinjve demokratë.  Sipas statutit të vetë PD, në forumin rinor bëhen pjesë të rinjtë nga 15-35 vjeç. Xhaferi është 32 vjeç dhe në përfundim të mandatit 4 vjeçar ai do të ishte 36 vjeç, pra do ta ushtronte mandatin në shkelje të statutit. Ndërkohë, në rrjetet sociale menjëherë pasi Xhaferi u shpall fitues kanë nisur denoncimet për parregullsi në procesin zgjedhor.  Në rrjetet sociale qarkullojnë disa foto, ku duket se 1 votues ka votuar më shumë se një herë, ka votues që nuk janë anëtarë sipas statutit etj. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:25
‘PD ka nevojë për standarde të reja’, kandidatja për kreun e FRPD denoncon procesin: Gara nuk plotësoi as kërkesat minimale, kishte parregullsi

Barbara Doda, një prej kandidateve për kreu e FRPD-së, ka denoncuar procesin e votimit në zgjedhjet që u mbajtën dy ditë më parë. Teksa ka falënderuar çdo të rinj në takimet e zhvilluara në bazë, Doda shkruan procesi i votimit nuk plotësoi as kërkesat minimale, pasi u shoqërua me parregullsi të shumta në listat e anëtareve, si edhe fryrjen e numrit të votave.

Doda shkruan se ishte një garë e padrejtë dhe në momentin që e kupton, kërkoi për zgjidhje në çdo derë të PD-së, por nuk e gjeti atë.

Ajo thekson se Partia Demokratike ka nevojë për standarde të reja që të ndryshojë, ndërsa thotë se zgjedhjet në FRPD duhet të shërbejnë si një mësim që ky proces zgjedhjeje nuk duhet të përsëritet më.

Deklarata e plotë:

Dua t’ju falenderoj nga zemra të gjithëve ju që më keni mbështetur gjatë këtyre javëve. Kam pasur mundësinë të njoh nga afër shumë prej jush dhe jam më e bindur se kurrë se rinia në Shqipëri meriton shumë më shumë se çfarë i ofrohet deri më sot. I kam parë nga afër talentet tuaja dhe u jam mirënjohëse për kohën që më keni dedikuar jo thjesht mua, por këtij procesi për të cilin aq shumë kishte nevojë Forumi. Sot jam më e bindur se kurrë se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë e ndritur nëse ajo u takon ju. Besoj fort se çdo ide dhe fjalë që kam ndarë me ju gjatë fushatës duhet të jetë rruga e duhur për Forumin dhe për PD-në. Nëse Forumi nuk ndryshon, nëse ai nuk reflekton më të mirën e asaj që ka ky vend, nuk do të ndryshojë as PD, e nuk do të ndryshojë as vetë Shqipëria. Fatkeqësisht sot nuk besoj se shumë prej këtyre pritshmërive u plotësuan. Përtej rezultatit final, i cili mund të kishte qene i ngjashëm edhe me një garë model, shumë prej parimeve dhe standardeve të cilave u besova deri në fund, qoftë edhe naivisht, nuk u plotësuan. Gara për Forumin nuk plotësoi as kërkesat minimale për të qenë e tillë, sidomos ditën e votimit ku parregullsitë me listat e anëtarëve dhe numrin e votave janë të shumta.

Por përtej kësaj, e kishim kuptuar pothuajse të gjithë lojën që po luanim, një lojë e padrejtë dhe e pandershme, pa rregulla dhe standarte. Dua t’ju them që në moment që e kuptova, refuzova tërësisht të bëhesha palë e një proçesi që do dëmtonte strukturat dhe degët e FRPD-së. Tërhoqa 0 formularë për anëtarësime dhe nuk dërgova asnjë person në grupet e punës, që për mua ishin tërësisht të njëanshme. Për këtë gjë më besoni që së bashku me kandidatët e tjerë kemi trokituar në çdo derë të PD-së dhe nuk na u dha zgjidhje. Na kanë pyetur shpesh nëpër degët e FRPD-së, përse rrinim në garë, përse bëheshim pjesë e një proçesi të tillë. Por le te dihet sot, se ka të rinj në PD që do i dalin për zot, ka të rinj në PD që s’kanë frikë nga e vërteta, ka të rinj në PD që duan vërtetë ta ndryshojnë e ta bëjnë fituese atë, pavarësisht kostove.

Por që të ndryshojë, Partia Demokratike ka nevojë për standarde të reja. Ka nevojë për garë të vërtetë ku listat, komisionerët, numëruesit janë ta garantuar me kohë. Ka nevojë të plotësojë ato standarde që me të drejtë i kërkojmë Edi Ramës sa here dalim në zgjedhje përballë tij. E ardhmja e afërt na detyron të kemi zgjedhje të reja brenda nesh. Le të jetë gara e Forumit një mësim se si NUK duhet bërë ky proces. Primaret e ardhme të PD duhet të jenë një garë model jo vetëm për të rivendosur besimin e thyer në procesin e zgjedhjeve por edhe për të tërhequr pas nesh elitën e shoqërisë. Unë sot jam e sigurtë që ka plot njerëz që i kanë sytë dhe shpresat e tyre nga Partia Demokratike. Por e di po aq mire se koha kalon shpejt dhe mundësitë për të bindur këtë pjesë të shoqërisë po zvogëlohen. Qoftë gara e Forumit një kapitull i fundit në historinë e Partisë sonë. Faleminderit dhe njëherë anëtarëve të Forumit dhe Partisë. Kjo është shtëpia jonë, dhe të ardhmen e saj duhet ta përcaktojmë ne!

Ora 17:13
Skandali me zgjedhjet në FRPD, kreu i komisionit të votimit dhe numërimit në Shkodër: Jemi gati t’i vëmë në dispozicion pamjet për këtë njollosje

1664810089_1b9f2acfea5242bdbb1f5b67e7b7de1c675x450.jpeg

Lidhur me zgjedhjet në FRPD kreu i komisionit të votimit dhe numërimit në Shkodër, Fatjon Mani ka reaguar pas denoncimeve për manipulimin e votave. Fatjon Mani tha se kjo është një metodë për të për të njollosur forumin ndërsa shtoi se janë të gatshëm të vënë në dispozicion çdo pamje filmike.

‘Unë jam Fatjon Mani, kryetar i Komisionit të Votimit dhe Numërimit në Shkodër. Në lidhje me një material audio që po qarkullon në rrjetet sociale mbi një të ashtuquajtur manipulim të procesit zgjedhor gjatë zgjedhjeve të FRPD, dua të sqarojmë të rinjtë e Forumit dhe opinionin publik si më poshtë:

Në qendrën e votimit në qytetin e Shkodrës, vëzhguesi i një prej kandidatëve në garë, më është ofruar duke më thënë disa fjali të pakuptimta.  Sot në rrjete sociale qarkulloi një regjistrim audio në të cilin dëgjohej dikush që thoshte një emër i cili duhej futur në listë nga fundi.

Pretendimi që shoqëronte audion, ishte se bëhej fjalë për një manipulim në qendrën e votimit në qytetin e Shkodrës. Komisioni vendor i zgjedhjeve ka bërë kqyrjen e kamerave të qendrës së votimit dhe ka pamje të vëzhguesit të njërit prej kandidatëve për kreun e FRPD, që regjistron veten duke folur me mua. Që do të thotë se pamjet filmike të qendrës së votimit dhe zëri në materialin audio i përkasin pikërisht vëzhguesit të njërit prej kandidatëve, të cilit për etikë nuk po ia përmendim emrin. Me sa duket, i njëjti person, e ka shpërndarë audion me pretendimin se po manipluohen votat në Shkodër.

Me përgjegjësi të plotë individuale dhe politike deklaroj se kjo është një përpjekje për të njollosur procesin në qendrën e votimit në Shkodër, ku nuk është bërë absolutisht asnjë përpjekje për të manipuluar votimin. Ne zotërojmë të gjitha pamjet filmike dhe jemi gati t’i vëmë në dispozicion të medias apo të çdo ankimuesi.

Siç kam bërë publike edhe në një deklaratë të para dy orëve dua të ritheksoj edhe njëherë thirrjen se procesi i ankimimve është i hapur. Jemi të gatshëm të marrim, në rrugë zyrtare, cdo ankesë për shkelje të pretenduar të procesit zgjedhor, dhe t’i adresojmë në mënyrë transparente dhe të paanshme.

Të gjithë kandidatët që mund të kenë ankimime janë të inkurajuar t’i paraqesin. Brenda dy ditëve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të FRPDSH ose Sekretarit të Përgjithshëm.

Ju bëj thirrje antarëve të forumit, kandidatëve, komsionerëve dhe vëzhguesve të raportojnë cdo shkelje e cila mund të hedhë dyshime mbi procesin.’- tha Fatjon Mani.

Ora 15:02
Mes akuzave për manipulim FRPD shpall rezultatin e zgjedhjeve! Muçollari i ‘Rithemelimit’: 2 ditë kohë për ankesat zyrtare

Mes akuzave për manipulim të zgjedhjeve brenda Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Komisioni i Rithemelimit ka shpallur fitues Besart Xhaferri. Anëtari i Kryesisë së PD së Berishës, Grigels Muçollari tha se tashmë kandidatët kanë 2 ditë kohë për ankesat zyrtare.

Të shtunën janë zhvilluar zgjedhjet për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Procesi zgjedhor është administruar në 62 qendra votimi në të gjithë vendin dhe në të kanë marrë pjesë 186 komisionerë.  Të gjashtë kandidatët në garë janë përfaqësuar edhe nga 287 vëzhgues  Vlen të theksohet se i gjithë procesi është administruar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike.  Gjitshatu gjatë procesit të votimit, dhe deri në tani, nuk ka patur asnjë ankesë nga vëzhguesit apo kandidatët në rrugë zyrtare.  Sa i takon pjesëmarrjes dhe elementëve të saj, në votime kanë marrë pjesë 9470 votues dhe 73 vota janë gjetur të pavlefshme. Në emër të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dua të falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në votime, komisionet dhe vëzhguesit që kanë siguruar një proces demokratik për secilin kandidat dhe, sigurisht kandidatët që kanë dhuruar një garë të fortë dhe entuziaste. Dua të theksoj se për herë të parë kanë marrë pjesë në garë 6 kandidatë të cilët e kanë çuar deri në fund procesin pa u tërhequr nga gara. Si dhe faktin se në çdo qendër votimi ka patur së paku një vëzhgues të kandidatëve. Më poshtë po ju paraqes vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të FRPDSH për rezutatet i cili sapo mu vu në dispozicion.:  Znj.Alesia Balliu186 vota; ArnoldKariqi 1683 vota; ArtionBarjamaj 528 vota; Znj.Barbara Doda 452vota; Z.BesartXhaferi 5256 vota dje Maringlend Doçi 1292 vota.  Në bazë të këtij rezultati, fitues i zgjedhjeve dhe kryetar i ri i Forumit Rinor të Partisë Demokratike shpallet z. Besart Xhaferri. Siç parashikohet në rregullore pas shpalljes së vendimit për fituesit kandidatët në garë kanë dy ditë kohë të paraqesin zyrtarisht ankesat e tyre pranë Komisionit zgjedhor të Forumit Rinor”, tha Muçollari.

 

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë