Rezultatet e para të zgjedhjeve në Holandë: Partia sovraniste e Wilders, për habi, nuk është në krye. Sipas sondazheve të para të daljes nga kutitë, të shpërndara nga mediat kombëtare, partia liberal-europianiste ka dalë e para me 27 mandate, duke lënë pas të djathtën ekstreme të Geert Wilders, e cila do të kishte 25 mandate. Tani fillon enigma e koalicioneve.
Në zgjedhjet e parakohshme, të cilat u zhvilluan pas rrëzimit të qeverisë në qershor votuan 13 milionë holandezë. Siç ndodh tradicionalisht në Holandë, do të duhen muaj për të formuar një qeveri. Por rezultatet e para të sondazheve të mbrëmshme, të orës 21:00 dhe 22:00, mjaftojnë për të thënë kush është humbësi: Geert Wilders.
Partia e parë është ajo e “socio-liberalëve” të qendrës dhe qendrës-së-majta, D66, me 27 vende në parlament. Nëse rezultatet përfundimtare do të konfirmojnë këto shifra, do t’i takojë liderit të tyre, Rob Jetten, të udhëheqë negociatat për formimin e qeverisë. Nëse ia del, Jetten do të bëhet gjithashtu kryeministri i parë haptazi homoseksual në historinë e Holandës.
Partia për Lirinë (PVV), e cila sipas statutit ka vetëm një anëtar zyrtar vetë Geert Wilders, mbetet e dyta, por humbet plot dymbëdhjetë vende në Dhomën e Ulët të Hagës: një të tretën e 37 mandateve që vetëm dy vjet më parë, në nëntor 2023, i mundësuan nisjen e një shumice parlamentare, dhe që në qershor 2025 i dhanë edhe mundësinë t’i “hiqte prizën”. Shumë nuk ia kanë falur këtë veprim, madje edhe kryeministri i zgjedhur prej tij, Dick Schoof që mbetet në detyrë për çështjet e përditshme deri në formimin e qeverisë së re e quajti “të papërgjegjshëm”.
Në vendin e tretë renditen liberalët e qendrës-djathtë të VVD-së, të udhëhequr prej dy vitesh nga Dilan Yesilgöz, me origjinë turke, e konsideruar pasuese politike e Mark Rutte-s. Ata kanë marrë 23 vende — më shumë se sa pritej. Partia përballet jo vetëm me lodhjen e përgjithshme të elektoratit pas 14 viteve të qeverisjes së Rutte-s (në detyrë nga viti 2010 deri në 2024, aktualisht sekretar i përgjithshëm i NATO-s), por edhe me kritikat ndaj Yesilgöz: për disa, sepse bashkëqeverisi me Wilders (ndonëse kishte thënë se nuk do ta bënte kurrë); për të tjerë, sepse tani e ka përjashtuar shumë prerë një aleancë të mundshme me të.
Në vendin e katërt, me 20 vende, qëndron “E Majta e Gjelbër” e ish-komisionerit europian Frans Timmermans, ku socialistët kishin kandiduar në një biletë të përbashkët me ekologjistët. Një aleancë që rezultoi disi humbëse, krahasuar me pritshmëritë dhe me vitin 2023, kur zuri vendin e dytë. Që atëherë ka humbur 5 mandate gjë që e shtyu Timmermans të njoftonte dorëheqjen.
Pothuaj menjëherë pas tyre janë kristiano-demokratët (CDA), që për shumëkënd priteshin të dilnin partia e parë, por përfunduan me “vetëm” 19 mandate. Për të pasur shumicën në Dhomën e Ulët, nevojiten 76 nga 150 vendet. Dhe këtu falë sistemit proporcional të pastër, ku çdo 0.76 % e votave përkthehet në një mandat fillojnë negociatat e gjata.
Skenarët e mundshëm të koalicioneve
D66 bashkë me socialistët dhe kristiano-demokratët. Do të mungonin rreth dhjetë deputetë, që do të duhej të gjendeshin në të majtë të spektrit politik, ndërkohë që gjithë “shumica e heshtur” që votoi për PVV dhe VVD — partitë e dytë dhe të treta më të mëdha do të mbetej në opozitë.
Nëse brenda D66 fiton krahu centrist, për të formuar qeverinë mund të ftohen liberalët e VVD-së, kristiano-demokratët e CDA-së dhe ndonjë parti e vogël e së djathtës ekstreme (si Ja21, që performoi shumë mirë).
Koalicioni i madh (të ashtuquajturat “marrëveshje të gjera”): rreth D66-së fituese do të bashkoheshin njëkohësisht e majta dhe forcat popullore të Yesilgöz-it, si dhe CDA. Yesilgöz dhe partia e saj e kanë përjashtuar këtë mundësi, por disa analistë vërejnë se edhe me Wilders, në vitin 2023, kishin thënë të njëjtën gjë dhe më pas ndryshuan mendje.
Komente










Pooo, hajt ishalla nese ekziston allahi ai ka per tu bere kryeminister.
Përgjigju