Kryeministri Edi Rama ka uruar sot liderin hungarez Peter Magyar për fitoren në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara të dielën në Hungari, duke e cilësuar atë si fillimin e një kapitulli të ri për vendin.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama shprehet se mezi pret të bashkëpunojë me kryeministrin e ri për të çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Urime të ngrohta Peter Magyar për fitoren vërtet mbresëlënëse. I uroj kryeministrit të ri të Hungarisë çdo sukses në përpjekjen e madhe për të hapur një kapitull të ri për vendin e tij dhe mezi pres të punojmë së bashku për t’i afruar edhe më shumë dy vendet tona”, shkruan Rama.

Në të njëjtin reagim, kreu i qeverisë shqiptare ka ndalur edhe te raporti me ish-kryeministrin Viktor Orbán, për të cilin shpreh vlerësim.

“Ka qenë kënaqësi të punoja me kryeministrin Orban dhe të shihja Shqipërinë dhe Hungarinë të afrohen gjithnjë e më shumë. I uroj mikut tim Viktor gjithë të mirat në këtë kapitull të ri të jetës së tij”, thekson Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:27
Ministria e Jashtme uron Kryeministrin e ri hungarez: Thellojmë dialogun dhe partneritetin, Hungaria mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka uruar sot Péter Magyar dhe Partinë Tisza për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Hungari, duke e cilësuar rezultatin si një mandat të fortë të dhënë nga qytetarët hungarezë. Përmes një postimi në rrjetin social X, diplomacia shqiptare shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në këtë moment të ri politik për Budapestin dhe nga ana tjetër thekson gjithashtu rolin e rëndësishëm që Hungaria ka luajtur në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Jashtme 

"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë përgëzon Péter Magyar dhe Partinë Tisza për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme dhe për mandatin e fortë që u është besuar nga populli hungarez. Ne presim që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësinë e sinqertë midis dy vendeve dhe popujve tanë, dhe për të thelluar dialogun dhe partneritetin tonë, duke përfshirë përkrahjen e rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për të cilën Hungaria ka qenë një mbështetëse e palëkundur, si dhe kontributin tonë të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë Evropën"