Zgjedhjet në Kavajë në 7 maj
PD: Bojkot! Rama: Do bëhen!

Zgjedhjet në Kavajë në 7 maj<br />PD: Bojkot! Rama: Do bëhen!
TIRANE-Partia Demokratike përgatit bojkotin e zgjedhjeve të përgjithshme.

Hapin e parë e hedh me deklaratën se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 7 Maj në Kavajë, datë që u dekretua sot nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Sipas PD, nuk ka zgjedhje me kryeministër Edi Ramën.

Deklarata është pritur me keqardhje nga kryeministri që thekson se, nuk do të lejojë që krizën e saj PD ta shtrijë në gjithë vendin. Kryeministri deklaroi se jo vetëm që zgjedhjet do të bëhen, por edhe Reforma në Drejtësi, procesi i së cilës është bllokuar pas nisjes së protestës me çadër së PD-së.

Dekreti, zgjedhjet lokale në Kavajë në 7 maj
Presidenti Bujar Nishani nuk ka vonuar, por pa kaluar 24 orë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ia hiqte mundësine Elvis Rroshit për të qenë kryebashkiak, ka dekretuar datën e zgjedhjeve lokale në Kavajë. Nishani dekretoi sot datën 7 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në bashkinë Kavajë.
Dekreti i kreut të shtetit Bujar Nishani vjen një ditë pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 29 dhjetor 2016, për t'i hequr mandatin ish-kryebashkiakut socialist Elvis Rroshi. 

Rroshi u prek nga ligji i Dekriminalizimit pasi nuk deklaroi në formular një dënim në Itali. 

Zgjedhjet e pjesshme të Kavajës zhvillohen pak më shumë se një muaj nga zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. 

Bashkia e Kavajës bëhet e treta që shkon në zgjedhje të pjesshme vendore pas Dibrës dhe Kolonjës, votuesit e të cilave një vit më parë zgjodhën kryetarët e rinj pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2015.  

D E K R E T
PËR
CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KRYETAR BASHKIE, BASHKIA KAVAJË, QARKU TIRANË
 
     Në mbështetje të nenit 92, gërma “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 10, paragrafi 3 të ligjit nr.10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i  Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,
 
                                           
                                               D e k r e t o j
 
                                                  Neni 1
 
Caktimin e datës 7 Maj 2017, për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të   bashkisë Kavajë, qarku Tiranë.
 
                                                  Neni 2
 
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
 
 
Nr. Dekreti 10098
Tiranë më 24.03.2017
                                                       
Paloka: Me Ramën s'ka zgjedhje as në 18 qershor
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka u shpreh se nuk do ketë zgjedhje as në 7 maj dhe as në 18 qershor me Edi Ramën kryeministër.
Kushti i PD mbetet dorëheqja e kreut të qeverisë dhe krijimi i qeverisë teknike.

"Zgjedhje me opozitën e përjashtur Rama nuk do të zhvillojë. Me bandat e krimit, paratë e drogës ta harrojë që mund të ketë zgjedhje në Shqipëri. Sot nuk është më koha për të pyetur Ramën, është i përjashtuar nga qytetarët shqiptarë dhe çdo vendim që do merret, do të merret pa Ramën. Zgjedhje me Edi Ramën, me bandën, paratë e pista të drogës dhe me kriminelë në Shqipëri nuk do të ketë, në Kavajë apo cilëndo zonë tjetër të Shqipërisë", u shpreh Paloka. 

Ai tha se Nishani zbatoi detyrimin kushtetues por pavarësisht kësaj, PD nuk do bëhet pjesë e këtyre zgjedhjeve. 

"Presidenti ka zbatuar detyrimin e tij kushtetues por ju jeni në dijeni të vendimit që ka marrë jo vetëm PD por gjithë opozita, nuk ndryshon asgjë nga ai vendim. Vendimi i opozitës është i parevokueshëm dhe nuk është thjesht vendim i disa partive politike të bëra bashkë por një vendim i marrë nga qytetarët me 18 shkurt. Ajo që jemi të vendosur është se asgjë nuk ndryshon në qëndrimin tonë deri ditën që Rama do të detyrohet të pranojë qeverinë teknike. Zgjedhje të tjera pa kushtet që do të përcaktojë qeveria teknike nuk do të ketë në Shqipëri", tha Paloka. 

Kushti i PD për t'u bërë pjesë e proceseve zgjedhore në 7 maj dhe 18 qershor lidhet me krijimin e qeverisë teknike duke e parë këtë si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këtë shkak, demokratët kanë nisur edhe protestën prej një muaji përpara Kryeministrisë.  

Rama: Zgjedhjet do bëhen, kriza e PD jo e vendit
Menjëherë ka reaguar në rrjetin social, kryeministri Edi Rama që ka deklaruar se zgjedhjet jo vetëm që do të behn, por nuk do të lejojë që kriza e PD, të bëhet kriza e vendit.
“PD nuk hyn ne zgjedhje në Kavajë? Keqardhje për PD, po kriza e saj s'është e s'do bëhet kriza e vendit! Zgjedhjet do bëhen Drejtësia do bëhet👍”

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg