Festa shpërtheu para mesnatës pranë selisë së Lëvizjes Vetëvendosje, pasi numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare eci me ritme shumë të shpejta, duke sjellë një pasqyrë të qartë të rezultatit.

Mbështetësve iu drejtua edhe kreu i partisë Albin Kurti, dukshëm i përfshirë nga entuziazmi i fitores. Më pas në një konferencën për mediat, Kurti tha se fitorja është e qytetarëve. Ftoi partitë e opozitës për bashkëpunim dhe theksoi sigurinë se tashmë bllokadat e votimeve në parlament nuk mund të ndodhin.

"Duhet të ecim përpara, pa vonesa. Sapo të certifikohen rezultatet, aq më shpejt do na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë. Na pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë 120 milionë. Pra mbi 1 miliard. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, marrëveshjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve”, ka deklaruar Kurti.

Tha se pret bashkëpunim më të ngushtë edhe me Shqipërinë dhe se sfidat tashmë në parlament janë ato të fondeve të BE për planin e rritjes dhe zgjedhja e presidentit të ri brenda muajit mars.

Nga numërimi i 2.557 kutive të votimit, është Albin Kurti me partinë LVV ka marrë 49.30%. Pas LVV-së renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e drejtuar nga Bedri Hamza me 21.01% dhe në vend të tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kryetar Lumir Abdixhiun, i cili ka arritur të sigurojë 13.59%.

Me thuajse të gjitha votat e numëruara, Vetëvendosje ka fituar 56 mandate në parlament, 8 më shumë sesa në 9 shkurt. Kurti ka rritur mbështetjen me mbi 33 mijë vota, ndërsa mbetet të numërohen ende vota e diasporës dhe ato me kusht.  PDK renditet forcë e dytë me 23 mandate, LDK 15, AAK 6 ndërsa partitë e minoriteteve si gjithnjë 20.

Humbësja e madhe këto zgjedhje cilësohet LDK e Lumir Abdixhikut. Pas daljes së rezultateve ai pranoi humbjen dhe tha se do të analizojë numrat duke mos përjashtuar edhe dorëheqjen e tij.

Foto:Si priten të shpërndahen 120 vendet në Kuvendin e Kosovës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:24
Fitorja e Vetëvendosjes, Albin Kurti: Mirënjohës përjetë qytetarëve!

1767015124_6048506621422572029236520419947709866955281n.jpg

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shprehu sot mirënjohje ndaj qytetarëve për mbështetjen e dhënë gjatë fushatës zgjedhore dhe për pjesëmarrjen në zgjedhjet e djeshme të parakohshme parlamentare.

“Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë. Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. Dhe, u angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj. Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike”, ka shkruar Kurti në Facebook  

Ora 13:38
PDK në opozitë, Hamza: Partia do të reformohet, nuk jam nga ata që u ikin përgjegjësive!

1767012530_bedrihamza.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, doli të hënën në konferencë për shtyp duke mos fshehur zhgënjimin nga rezultatet e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, por edhe premtuar se nuk do t’u ikë përgjegjësive.

“PDK ka pritur rezultat më të mirë. Edhe unë personalisht kam pritur rezultat më të mirë. I nevojitet tjetër rezultat PDK-së, por ne kemi arritur të ruajmë votën dhe elektoratin tonë. Pozita i ka përgjegjësitë e veta, unë nuk jam nga ata që ikin pas përgjegjësive. Këto ditë do t’i kemi takimet me strukturat e partisë, vendimet i marrë në kohë, të analizuara, të peshuara mirë dhe sigurisht nuk vonohem në vendimarrje”, tha Hamza në konferencë.

Kreu i PDK-së njoftoi se partia do të nisë së shpejti konsultime me strukturat e saj për të analizuar rezultatin dhe për të marrë vendime për hapat e ardhshëm politikë.

Hamza vuri theksin te nevoja për stabilitet institucional, duke paralajmëruar kundër krijimit të vakumit politik dhe duke rikujtuar bllokadat institucionale që Kosova ka përjetuar në të shkuarën. Ai konfirmoi se PDK-ja do të jetë opozitë konstruktive dhe do të mbështesë proceset shtetërore që janë në interes të vendit.

“Ne do të jemi opozitë dhe do ta japim kontributin tonë. Marrëveshjet ndërkombëtare do t’i votojmë, sepse edhe në të kaluarën i kemi votuar,” deklaroi Hamza.  Ai tha se PDK së shpejti do të reformohet përmes zgjedhjeve të brendshme, një proces që ka munguar që nga viti 2019.

Ora 13:08
Spiropali uron Kurtin për fitoren: Shqipëria dhe Kosova ecin krah për krah

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka uruar qytetarët e Kosovës për mbajtjen me sukses të zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Spiropali uroi për fitoren në këto zgjedhje Kryeministrin Albin Kurti, si dhe të gjithë spektrin politik për standardet e arritura në fushatë. Ministrja e Jashtme shkruan se Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku krah për krah, me një zemër, një zë dhe në rrugë europiane.

“Urime popullit të Kosovës për zgjedhjet e zhvilluara me maturi, qetësi dhe përgjegjësi qytetare, një shprehje e pjekurisë demokratike që na bën krenarë. Përgëzime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e arritur dhe besimin e marrë nga qytetarët, si dhe të gjithë spektrit politik për fushatën e standardet e arritura. Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku krah për krah, me një zemër, një zë dhe në rrugë europiane, sepse ajo që na bashkon është me e madhe se çdo kufi”, shkruan Spriopali.

Ora 11:33
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, Begaj uron Kurtin: Qytetarët shprehën vullnetin e tyre demokratik për institucionet e reja që do të qeverisin vendin

Foto: Bajram Begaj dhe Albin Kurti

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, duke uruar kryeministrin Albin Kurti për procesin demokratik.

Në një reagim publik, Begaj theksoi se qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre për institucione të reja qeverisëse, duke shprehur besimin se kjo votë do të shndërrohet në përgjegjësi institucionale dhe do t’i hapë rrugë një të ardhmeje më të drejtë, të begatë dhe evropiane për vendin.

“Urime Kosovë! Urime Albin Kurti! Qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre demokratik për institucione të reja që do të qeverisin vendin.

Uroj dhe besoj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një të ardhme të begatë, të drejtë dhe evropiane”,shkroi Begaj në X.

Ora 10:52
Rama uron Kurtin për fitoren në zgjedhje: Uroj që mandati të kthehet në sukses për Kosovën dhe marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve tona

Kryeministri Edi Rama ka uruar Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet parlamentare të Kosovës me një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e  9 shkurtit.

Kreu i qeverisë shkruan në rrjetet e tij sociale se kjo është një fitore domethënëse për Kurtin. Më tej Rama uron që ky mandat të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona.

“E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona. Gëzuar”, shkruan Rama.

Ora 09:44
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, analisti: Fitorja e Kurtit u shkaktua nga shterpësia e opozitës

Dje në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm me 49.30% të votave.

Në lidhje me këtë situatë analisti Melazim Koçi tha në ‘Shtypi i ditës dhe Ju’ se ajo që ndikoi në këtë rezultat ishte pikërisht për shkak të opozitës dhe votave të Diasporës

“Fitorja është bindëse dhe e shkaktuar nga dy faktorë: një shterpësia totale e opozitës dhe tjetra vota e diasporës. Sipas disa vlerësimeve kanë ardhur 400 mijë mërgimtarë e konfirmuar edhe nga pikat e kalimit kufitar. S’di ta them pse diaspora anon më shumë nga Kurti por, ka ndikuar në fitoren Kurtit. Nga ana tjetër opozita ka bërë gabime politike të pafalshme. Kjo është opozitë pa ide nuk dijnë sesi ta luftojnë popoulizmin e Kurtit”, tha Koçi.

Ndër të tjera analisti komentoi edhe qetësinë e Kurtit në këto zgjedhje.

“Në fjalimin e tij mbrëmë ishte shumë i qetë, nuk shfaqi triumf, por i ofroi opozitës një bashkëpunim, ishte një Albin Kurti pa nota euforie. Kjo është ajo që i duhet Kosovës më së shumti”, shtoi ai teksa nënvizoin se Kurti do ta formojë  qeverinë pa problem.