Qytetarët me të drejtë vote të Komunës së Prizrenit, këtë të diel, për të katërtën herë brenda këtij viti janë rikthyer në qendrat e votimit për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

Ndërsa kane votuar në sytë e qytetarëve reflektohet lodhja nga kthimi i përsëritur drejt të njëjtit proces. Për shumë prej tyre, dalja katër herë brenda një viti për të votuar shihet si tregues i mosmarrëveshjes së thellë politike, i mungesës së kompromisit dhe i zvarritjes së çështjeve që, sipas tyre, duhej të ishin prioritare për vendin, zhvillimi ekonomik, stabiliteti politik dhe përmirësimi i jetës së përditshme.

“Presim diçka më të mirë për të ardhmen e rinisë dhe popullit tonë. Nuk janë normale 4 zgjedhje brenda 1 viti sepse duhet të merret një vendim dhe të bëhet një paqe për vendin tonë. Mendojmë se vitin e ardhshëm nuk do të ketë një krizë politike në Kosovë”, tha një qytetare për gazetarin e Report Tv Benet Beqiri.

Në Prizren shpresojnë që këto zgjedhje të mos sjellin vetëm një rezultat të ri, por një vetëdijesim të ri politik, ku partitë të mos përsërisin bllokimet e muajve të kaluar. Sipas qytetarëve, Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale që i jep fund ciklit të zgjedhjeve të shpeshta dhe i kthehet punëve të vendit.

“Duhet të lirohemi nga inatet, nga gjërat e këqija, duhet të kryejmë me sukses çdo punë që fillojmë”, tha një qytetar.

Ndër ata që votojnë sot janë edhe emigrantë që janë kthyer enkas nga diaspora, shumë prej të cilëve theksojnë se pas këtyre zgjedhjeve presin më shumë angazhim institucional për komunitetin e tyre.

“Kemi ardhur për pushime për vitin e ri dhe po shfrytëzojmë rastin për të votuar. Kosova duhet të eci përpara. Presim shumë nga partitë tona, situata duhet të ndryshojë. Kjo është e dëmshme për vendin tonë, duhet të ndryshojë njëherë e përgjithmonë”, tha kosovari që jeton në Austri.

Përveç Prizrenit, procesi zgjedhor po zhvillohet edhe në Suharekë, Malishevë, Dragash dhe Mamushë, komuna te regjionit te Prizrenit.

Një veçanti e kësaj dite votimi është se në Prizren dhe Mamushë fletëvotimet janë të shtypura edhe në gjuhën turke, duke respektuar karakterin shumë gjuhësor të këtyre dy komunave.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit shënohen si zgjedhje të jashtëzakonshme, të thirrura për të zgjidhur bllokimin institucional më shumë se nëntëmujor pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kur asnjë parti politike nuk arriti të siguronte shumicën për formimin e qeverisë. Kështu, viti 2025 mbetet një vit i shënuar nga votimet dhe kërkimi për kompromis politik.

Filloi me zgjedhjet e rregullta më 9 shkurt, vazhdoi me dy raunde të zgjedhjeve lokale më 12 tetor dhe 9 nëntor, dhe po mbyllet sërish në kutitë e votimit më 28 dhjetor, një vit që shpresohej të sillte zgjidhje, por që ende mban pezull pritjet.


Lajmi kryesor:

Në 9 muaj 'Vetëvendosja' dështoi të krijonte qeverinë, sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë! Kurti: Jemi këtu pasi u refuzua koalicioni që unë kam ofruar