Në degën e Partisë Demokratike në Pogradec po mbahen zgjedhjet për kryetarin, një garë që zhvillohet mes dy emrave të njohur në strukturat lokale. Njëri nga kandidatët është Kasëm Galla, i cili ka drejtuar degën e PD-së në Pogradec gjatë viteve 2019–2021 dhe aktualisht njihet edhe si një nga biznesmenët e zonës.
Në garë është gjithashtu edhe Oligert Muçllari, aktualisht drejtues i komanduar i degës pas procesit të primareve. Me profesion ekonomist, Muçllari kandidon për herë të parë për drejtimin e degës së Partisë Demokratike në qytet.
Sipas të dhënave, dega e PD në Pogradec numëron rreth 1800 anëtarë, ndërsa në procesin e fundit zgjedhor morën pjesë mbi 600 prej tyre. Gara pritet të tregojë edhe nivelin e mobilizimit të anëtarësisë
Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, tha për mediat se procesi ka shkuar ‘përgjithësisht qetë’ me përjashtim të disa problematikave të vogla , të cilat sipas tij lidhen kryesisht me mungesën e ndonjë emri në listë.
“Kjo vjen për shkak të mungesës së rinovimit të teserave të anëtarësisë. Janë problematika të vogla që nuk e prishin atmosferën e qetë që e ka karakterizuar deri tani procesin. Duket një pjesëmarrje e konsiderueshme për një ditë pushimi, në një fundjavë të gjatë. Kemi besim që do të rritet pjesëmarrja. Gara ka dy kandidatë, dy personalitete të rëndësishme të PD-së. Ka pasur interes jo vetëm për të mbështetur këto dy figura, por edhe për të shprehur demokratët vullnetin që çdo lloj problematike apo ndasie që mund të ketë pasur kjo degë dhe degë të tjera të PD-së, të tejkalohet nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent. Jam besimplotë që do të ketë një pjesëmarrje të krahasueshme me atë të primareve’ tha Kaso.
Lajmi kryesor:
Gara për kryetarët e rinj/ Mbahen zgjedhje në degët e PD në Shkodër dhe Pogradec, kush janë kandidatët











