Deputetja Fatjona Dhimitri gjatë interpelancës në Kuvend pyeti ministren e Arsimit Besa Shahini nëse është konsultuar me Komitetin Teknik për masat anti-COVID për rrezikshmërinë e zgjedhjeve në universitete.
Deputetja opozitare u shpreh se nëse do të ketë vatra të reja infeksionesh nga zgjedhjet e 30 korrikut në universitete atëherë do të përfundojë në SPAK.
"Nëse do të ketë vatra COCVID nga votimet që do të bëhet, përfundimin e keni te SPAK-u. A jeni konsultuar me komitetin teknik për rrezikshmërinë e zgjedhjeve në universitete" tha Dhimitri.
Shahini tha se roli i ministrisë për zgjedhjet e autoriteteve dhe organeve drejtuese në universitete është minimal dhe se datën 30 korrik për zgjedhjet e kërkuan vetë universitetet.
"Shteti ka për detyrë të sigurojë autonominë e universiteteve, rrjedhimisht të respektojë faktin që këto institucione do të zhvillojnë vetë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Roli gati ceremonial i caktimit të datës së zgjedhjeve i është deleguar Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë nga vetë IAL-të përmes rregulloreve të zgjedhjeve. Edhe caktimi i datës 30 korrik është kërkesë e vetë IAL-ve.
Në fund të qershorit, rektorët e universiteteve publike më shprehën pamundësinë për të vijuar normalisht punën në IAL, pasi mandatet e tyre u kishin skaduar. Këtë na e konfirmuan edhe studentët e shumtë që nuk merrnin shërbimet e duhura për shkak të skadimit të mandateve të udhëheqësve.
Duke marrë parasysh që deri më 7 gusht vijon procesi mësimor dhe ai i provimeve, si dhe është liruar transporti publik, rektorët më kërkuan të caktoj datën 30 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në tashmë kemi nisur një punë kolosale në kuadër të “Paktit për Universitetin” në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë dhe jetës studentore, por e gjithë kjo punë nuk do të japë rezultatet e duhura nëse IAL-të nuk reflektojnë të njëjtin vullnet për shërbime të mira ndaj studentëve, dhe nëse në krye të IAL-ve nuk kemi njerëz me integritet të lartë akademik.
E kemi tejkaluar tashmë fazën kur PD lejonte hapjen e universiteteve “kioska” që jepnin diploma fallco dhe prodhonin doktorantë për 6 muaj. Këto janë mbyllur nga qeverisja e PS-së dhe janë vendosur standarde në përfitim të gradave shkencore.
Por, ka ende shumë punë për t’u bërë. Prandaj, meqë jemi edhe një javë para zgjedhjeve në universitete, u bëj thirrje të gjithë zgjedhësve - pedagogëve dhe studentëve - që të votojnë kandidatët më të mirë, në mënyrë që IAL-të të drejtohen nga drejtues me integritet, të zellshëm dhe të kenë vizion të udhëheqin me institucione që ende nuk janë reformuar plotësisht" tha ajo.
Lajmi kryesor: