Ambasadori i OSBE-së Raunig dhe BE-së Ettore Sequi nënvizuan rëndësinë e realizimit të reformës zgjedhore deri në mesin e vitit 2014, ndërsa kërkojnë nga Parlamenti të plotësojë vendet bosh në KQZ/
Në takim morën pjesë edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, Oerd Bylykbashi i PD-së, dhe ekspertë të zgjedhjeve. Kjo konferencë u organizua nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë dhe është zhvilluar në ambientet e hotel “Tirana”.
Meta ka deklaruar se, politika duhet që të arrijë një konsensus në lidhje me reformën territoriale, që kur të vijnë zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme të ketë një ndarje të re.
OSBE: NDRYSHIMET NE KODIN ZGJEDHOR DERI NE MESIN E 2014
Ambasadori i OSBE-së tha se është e rëndësishme që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të bëhen brenda mesit të vitit 2014 dhe në procesi i reformës të bazohet në konsultime të gjera gjithëpërfshirëse.
“Inkurajojmë autoritetet që të trajtojnë rekomandimet në raportin e OSBE/ODIHR dhe rekomandimet e papërmbushura. Kjo reformë të bëhet në kohë dhe në mënyrë profesionale. Zgjedhjet lokale mbahen pas 18 muajsh. Është shumë e rëndësishme të bëhet një ndryshim i Kodit Zgjedhor deri rreth mesit të vitit 2014. Është shumë e rëndësishme që procesi i reformës të bazohet në konsultime të gjëra, gjithëpërfshirëse: Partitë. Institucionet shtetërore dhe shoqëria civile”- tha ambasadori i OSBE-së Florian Rauning.
Ato shtoi se është e nevojshme që partitë të zbatojnë ligjin dhe parlamenti të plotësojë vendet vakante në KQZ.
"Zgjedhjet e lira dhe demokratike do të jenë vetëm atëherë kur partitë politike të zbatojnë ligjin në mënyrë të paanshme e në mirëbesim. Duhet që drejtuesit politik të punojnë së bashku për një klimë besimi reciprok. Partitë duhet të përkushtohen të respektojnë shtetin e së drejtës që të garantojnë profesionalizimin e institucioneve. Kjo është e rëndësishme. Në lidhje me trajtimin e KQZ që vepron me numrin e reduktuar të anëtarësh që nga mesi i prillit 2013, Kuvendi të përmbushë detyrimin ligjor të plotësojë vendet bosh në KQZ."- nënvizoi Rauning.
Rauning foli dhe për hapjen e një shkolle për trajnimin e komisionerëve zgjedhorë.
“Administrimi i zgjedhjeve është përmirësuar vazhdimisht, sidoqoftë të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ka ende fusha ku duhet të veprohet. Sidomos trajnimi i komisionerëve zgjedhor të të gjithë niveleve është thelbësore. OSBE po punon nga afër me KQZ për të krijuar një shkollë për trajnimin e komisionerëve. Do u mundësonte administratorëve zgjedhorë të niveleve të mesme të ulëta të zgjeronin njohuritë dhe të përmirësonin profesionalizimin. Mirëpresim përfshirjen e shoqërisë civile në këtë proces shqyrtimi dhe besojmë se kjo veprimtari të nisë mbarë” Fjala e ambasadorit të OSBE
SEQUI: REFORMA ZGJEDHORE SHUME E RENDESISHME PER BE
Ambasadori i BE-së Ettore Sequi i pranishëm në këtë aktivitet kërkoi që të merren parasysh të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR
“Kjo që po diskutojmë sot është shumë e rëndësishme për BE. Është mjaft e rëndësishme që përpjekjet sa i takon zgjedhjeve të vazhdojnë.”
META: NUK ËSHTË FAJI I SISTEMIT, POR I POLITIKËS
Duke folur në takimin për reformën zgjedhore, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar se, për zhvillimin e zgjedhjeve nuk është faji i sistemit por i politikës, që nuk arrin në konsensus. Meta ka theksuar, se klasa politike shqiptare duhet të arrijë në nivelin që tregoi populli gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Zgjedhjet e fundit janë një arritje pozitive e vendit të konfirmuara edhe nga raportet e ndërkombëtarëve. Në rradhë të parë është populli ai i cili duhet të falenderohet për zgjedhjet e 23 qershorit. Në rradhë të dytë, dua të theksoj edhe rolin e rëndësishëm të OSBE-ODHIRit dhe së fundi do përmendja edhe rolin e politikës shqiptare”, tha Meta.
Sipas kryetarit të Kuvendit, “duhet të punojmë që zgjedhjet e ardhshme të jenë më të mirë dhe më të ndershme. Të rregullojmë edhe rolin e politikës pasi shpesh kjo e fundit politizon procesin. Pavarësia e institucioneve nga politika, do të sjellë edhe një ndershmëri më të madhe”.
“Duhet një konsensus mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me reformën territoriale, pasi ne jemi një vendi i vogël me më shumë se 400 njësi administrative. Kjo reformë që është pranuar nga të gjithë forcat politike, të bëhet dhe ti paraprijë zgjedhjeve vendore dhe atyre parlamentare. Kjo reformë duhet që të bëhet që ti paraprijë edhe ndryshimit të kodit zgjedhor nëse do ketë konsensus. Nuk është faji i sistemit të zgjedhjeve pasi çdo sistem është bazuar në një përvojë europiane, por është faji i moskonsensusit mes forcave politike. Tjetër pozicion mbahet kur fitohen zgjedhjet e tjetër kur i humb ato”, theksoi Meta gjatë fjalës së tij.
“Besoj që klasa politike do të ngrihet në nivelin e popullit që votoi në datën 23 qershor”, përfundoi fjalën e tij, kryetari i Kuvendir, Ilir Meta.
CELIBASHI: KA ARRITJE, POR KEMI ENDE RRUGE PER TE BERE
Edhe për ministrin e Marrëdhënieve me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, gjatë këtyre viteve janë bërë shumë arritje në përgatitjen dhe procesin zgjedhor, por ka ende punë për të bërë.
“Procesi zgjedhor duhet të jetë teknik dhe i barazlarguar nga politika. Kemi vullnetin për të dëgjuar dhe punuar me të gjithë faktorët për një reformë zgjedhore jetëgjatë. Shumë arritje janë bërë në përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor, por ka ende punë në drejtim të kësaj gjëje. Kjo është vënë re edhe në raportet e ndërkombëtarëve”, tha Celibashi. Sipas tij, “për herë të parë është bërë një kalim i pushtetit sipas Kushtetutës, këtu kam parasysh vitin 2005 dhe vitin 2013”.
(Ne foto: Konferenca e reformes zgjedhore)
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)