Zgjedhjet, Pakti rrezikon Bashën
s’ka justifikim për humbjen

Zgjedhjet, Pakti rrezikon Bashën<br />s’ka justifikim për humbjen
Pozitat e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike janë më të pasigurta dhe më të brishta se kurrë më parë.

Pakti i guximshëm politik PS-PD, në presionin dhe kujdesin e Perëndimit, vë në pikëpyetje fatin politik të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pas zgjedhjeve të 25 Qershorit.

Nëse deri para daljes nga çadra e ngujimit, Lulzim Basha kishte ngritur një alibi të madhe për të justifikuar çdo rezultat zgjedhor, me firmosjen e marrëveshjes politike, Basha ka shteruar çdo mundësi për të justifikuar një humbje të mundshme në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit.

Secila nga partitë e mëdha do të luftojë deri në fund për të maksimalizuar numrin e mandateve, por zgjedhjet e 25 Qershorit, nuk ka asnjë dyshim se, do të përcaktojnë një humbës dhe një fitues. Me zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës, Lulzim Basha, në rast humbjeje, do të jetë i çarmatosur përballë disa prej kundërshtarëve në partitë, të cilët mund t’i kërkojnë dorëheqjen. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, opozita dhe mazhoranca, sipas marrëveshjes Rama-Basha, do të jenë bashkëpërgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve dhe sigurisht edhe për standardet e procesit. Madje, si për ironi, opozita, e votuar për t’i bërë oponencë shumicës, do të ketë përgjegjësinë kryesore, pasi që nga dje drejton disa nga ministritë më të rëndësishme, përfshirë edhe ministrinë e Brendshme, e cila ka rol të rëndësishëm në zgjedhje. Për rrjedhojë, për herë të parë, pritet që pala humbëse të zhvishet nga çdo pretendim për ligjshmërinë e zgjedhjeve.

Paralajmërimi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë pas jetësimit të marrëveshjes me Edi Ramën me votë në Parlament, ka shkruar se ndryshimet në qeveri dhe KQZ, do t’u japin mundësi qytetarëve që të zgjedhin lirisht qeverinë që duan. Në këtë kuadër, Basha dha një mesazh të qartë se nuk do të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve. “Puna e ndershme dhe kurajoze e ministrave teknikë, drejtimi i paanshëm i KQZ-së, kufizimi i shpenzimeve zgjedhore dhe masat e tjera që po ndërmarrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do u japin qytetarëve mundësinë dhe garancitë që të zgjedhin lirisht qeverinë që ata duan t’i drejtojë. Koha e maskarenjve po mbaron. Tani është koha për Republikën e Re, republikën e lirisë dhe demokracisë së vërtetë”, tha Basha në rrjetin social Faceboook.

Zgjedhje të lira
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mendon se me zbatimin e marrëveshjes politike është hedhur një hap i rëndësishëm drejt zgjedhjeve të lira. “Mbrëmë u hodh një hap i rëndësishëm drejt zgjedhjeve të lira dhe Republikës së Re: Kuvendi shpalli ligjërisht krim serioz çdo lloj përpjekjeje apo veprimi që kufizon apo cenon vullnetin e lirë dhe votën e lirë të qytetarëve. Dënime të rënda i presin tani, matrapazët e zinj të blerjes së votës, kriminelët e rrugës dhe ata në poste shtetërore që kërcënojnë apo detyrojnë me forcë qytetarët të votojnë kundër vullnetit të tyre, komisionerët, numëruesit dhe punonjësit zgjedhorë që manipulojnë votimin dhe numërimin e votave. Policët dhe ushtarakët të cilët në vend që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhunojnë të drejtën e shenjtë të votës, punonjësit e shtetit që paratë dhe pasuritë që u takojnë qytetarëve i vënë në shërbim të partisë. Me forcën dhe vendosmërinë që treguam 90 ditët e qëndresës sonë historike, ne do bëhemi barrierë ndaj kriminelëve zgjedhorë që ata të mos guxojnë të dhunojnë lirinë e votës, sepse do të humbasin lirinë e tyre”, shkruan Basha.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira në Lojërat Olimpike, VAR anulon golin e Argjentinës pas katër orësh! Maroku fiton 1-2, dhunë në fushë nga tifozët

VIDEO/ Çudira në Lojërat Olimpike, VAR anulon golin e Argjentinës pas katër orësh! Maroku fiton 1-2, dhunë në fushë nga tifozët