Zgjedhjet parlamentare, Serbia kërkon që të ngrihen qendra votimi në komunat me shumicë serbe në Kosovë

Zgjedhjet parlamentare, Serbia kërkon që të ngrihen qendra votimi në komunat me shumicë serbe në Kosovë

Foto ilustruese

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se pret që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, me autoritetin që kanë, t’i mundësojnë popullit serb në Kosovë të votojë në zgjedhjet e Serbisë, të cilat do të mbahen në muajin prill.

Në një bisedë me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Bocan Harchenko, Petkoviç tha se në Kosovë vazhdon “fushata e presionit dhe represionit kundër popullit serb”.

Sipas tij, autoritetet në Kosovë përpiqen haptazi “të rrezikojnë dhe shfuqizojnë” të gjitha të drejtat politike dhe civile të serbëve.

Petkoviç tha se për Beogradin, mbështetja dhe ndihma e Rusisë për çështjen e Kosovës janë të një rëndësie të madhe, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, duke u thirrur në një njoftim të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Beogradi, tha Petkoviç, është i vendosur që në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të përpiqet të gjejë zgjidhje kompromisi, por edhe të mbrojë interesat e serbëve.

Më 16 janar, Serbia ka organizuar një referendum për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë dhe kjo ka qenë hera e parë që në mjediset me shumicë serbe në Kosovë nuk është hapur asnjë vendvotim.

Ky ka qenë vendim i Qeverisë së Kosovës, me arsyetimin se hapja e vendvotimeve në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Qytetarët serbë kanë mundur ta ushtrojnë të drejtën e votës me postë ose përmes Zyrës Ndërlidhëse me Serbinë.

Vendimi i Qeverisë është mbështetur edhe nga Kuvendi i Kosovës më 15 janar, përkundër thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që serbëve në Kosovë t’iu mundësohet të votojnë në referendumin e organizuar nga Serbia.

Më 3 prill, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje - partisë në pushtet në Kosovë - kanë thënë më herët se votimi i serbëve të Kosovës në zgjedhjet serbe të 3 prillit, “do të duhej të bëhej në të njëjtën mënyrë sikurse në rastin e referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese”.

Si ka qenë praktika më herët?

Vetëm pak muaj pasi Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, Serbia ka organizuar zgjedhjet parlamentare në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

Në këto zgjedhje, të cilat janë mbajtur më 11 maj, 2008, të drejtën e votës në vendvotimet në Kosovë e kanë shfrytëzuar rreth 90 mijë qytetarë të Serbisë, kanë treguar të dhënat e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës janë mbajtur edhe në vitin 2012, 2014, 2016.

Zgjedhjet e fundit parlamentare serbe në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor, 2020.

Në këto të fundit, fletëvotimet i ka mbledhur misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Kjo praktikë e mbledhjes së votave është krijuar në vitin 2017 dhe deri më tani ajo ka pasur lejen e autoriteteve të Kosovës.

Krerët e institucioneve të Kosovës gjatë takimit me zyrtarë të Quint-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, votat nga Kosova janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë - dy qytete kufitare të Serbisë.

Me metodën e “mbledhjes së votave” në Kosovë janë mbajtur edhe zgjedhjet presidenciale të Serbisë në vitin 2017.

Serbia ka organizuar zgjedhjet e saj presidenciale në Kosovë edhe në vitin 2012.

Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë nuk janë organizuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, pasi procesi i decentralizimit ka filluar në të njëjtin vit, bazuar në planin e Martti Ahtisaarit.

Ky plan është dokumenti mbi bazën e të cilit Kosova ka shpallur pavarësinë.

Thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare

Javën e kaluar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë bërë thirrje që të mundësohet ushtrimi i së drejtës së votës në Kosovë.

Dy diplomatët kanë qëndruar për vizitë zyrtare në Prishtinë dhe në Beograd.

Lajçak ka thënë se ka standarde dhe praktika evropiane, që i lejojnë njerëzit të votojnë, kur jetojnë diku tjetër.

“Duhet të gjenden modalitete. U përket të dyja palëve, ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja do të ndihmojnë”, ka thënë ai.

Escobar ka thënë se qëndrim i SHBA-së është që të gjithë në rajon, duhet të votojnë në zgjedhjet demokratike, në të cilat kanë të drejtën e votës./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen