Zgjedhjet parlamentare të 2017-s
struktura e PS-së nis organizimin

Zgjedhjet parlamentare të 2017-s<br />struktura e PS-së nis organizimin
Kryeministri Edi Rama mblodhi dje deputetët e qarkut të Vlorës e Gjirokastrës, por dhe drejtuesit vendorë të Partisë Socialiste, për të diskutuar mbi organizimin e ri të kësaj force politike. Gjatë këtij takimi në Vlorë, ku ishte i pranishëm edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, është diskutuar mbi organizimin e strukturave mbi bazë rajonesh, por dhe ngritjen e grupeve të punës për të koordinuar veprimtarinë e çdo strukture të partisë, nga baza në qendër. Grupi i punës për Rajonin e Jugut do të drejtohet nga deputeti Koço Kokëdhima.

Takimi

Rama ka prezantuar organizimin e ri të partisë pikërisht nga Vlora, ku edhe është mandatuar si deputet. Mësohet se gjatë takimit të zhvilluar dje, ku ishin të pranishëm deputetët Koço Kokëdhima, Andrea Marto, Mira Shehu, Dashamir Kamberi, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, drejtuesit e rinj vendorë të zgjedhur nën siglën e PS-së, por edhe kryetarët e strukturave socialiste, është diskutuar mbi organizimin e partisë në bazë rajonesh. Sipas një vendimi të marrë tashmë, do të jenë gjithsej 6 rajone në gjithë vendin, ndërkohë që ka nisur puna për zyrtarizimin e Rajonit të Jugut, që përfshin qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës.

Për të koordinuar gjithë aktivitetin në këtë rajon është ngritur dhe një grup pune, që do të drejtohet nga deputeti i Vlorës, Koço Kokëdhima, dhe ka në përbërje edhe deputetët e tjerë të këtyre dy qarqeve, si dhe drejtuesit vendorë. Ky grup pune do të drejtojë reformën organizative dhe politike për përtëritjen dhe zgjerimin e radhëve të Partisë Socialiste në muajt e ardhshëm, me qëllim që të garantohet suksesi i saj në zgjedhjet e vitit 2017. Ndërkohë që aktiviteti i djeshëm i Vlorës do të pasohet nga takime të tjera për të bërë të mundur organizimin edhe të 5 rajoneve të tjera, përkatësisht rajonit që do të ketë në përbërje qarqet Fier dhe Lushnjë, puna për të cilin do të drejtohet nga Blendi Klosi, rajoni me qarqet Tiranë dhe Durrës, që do të drejtohet nga Saimir Tahiri, rajoni i qarqeve Elbasan dhe Korçë që do të drejtohet nga Taulant Balla, në një kohë që Ditmir Bushati do të koordinojë punën në rajonin që do të ketë në përbërje qarkun e Kukësit dhe të Dibrës.

Organizimi i ri i partisë synon të krijojë garanci për rezultate edhe më të mira në zgjedhjet e vitit 2017. Që në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së të mbajtur më 18 korrik të këtij viti, kryeministri Edi Rama përcaktoi dy nga synimet kryesore të partisë, arritjen e numrit të 150 mijë anëtarëve dhe zgjedhjet në të gjitha nivelet e PS-së. “Dy drejtimet kryesore janë hapja e re e PS-së, përmes një fushatë anëtarësimesh, për përmbushjen e një objektivi që PS në 25-vjetorin e saj të jetë forca e 150 mijë anëtarëve dhe së dyti, hapja e një procesi zgjedhor në të gjitha nivelet e Partisë Socialiste për ripërtëritjen e forcave. Po ecim me sukses në këto dy drejtime, duke hedhur themelet e fitores së ardhshme. PS-ja duhet të angazhojë të gjitha forcat, që çdo shqiptar të mos e gjejë të mbyllur rrugën”, ka deklaruar më herët Rama.

Zgjedhjet në parti dhe organizimi i strukturave

Me ndarjen e re administrativo- territoriale, Partia Socialiste i është futur një procesi riorganizimi të strukturave dhe për pasojë edhe mbajtjen e zgjedhjeve për drejtuesit e rinj. Sipas vendimeve të marra gjatë Asamblesë së mbajtur më 18 korrik, janë vendosur procedura, por dhe afate konkrete, për zgjedhjen e çdo strukture apo drejtuesi vendor. Kështu Asambleja ka vendosur që në periudhën shtator-dhjetor të këtij viti të organizojë zgjedhjet në Partinë Socialiste, me qëllim riorganizimin e strukturave dhe përshtatjen e tyre me reformën e re territoriale. Për strukturat e partisë në vend do të caktohet një delegat për 100 anëtarë partie, ndërsa për ato në emigracion 1 delegat për 200 anëtarë. Nga 10 shtatori deri më 10 nëntor 2015 do të mblidhen organizatat socialiste në 61 bashkitë e vendit për të zgjedhur kryetarin dhe sekretarin. Ndërsa më 21 nëntor 2015 do të organizohen mbledhje për të zgjedhur delegatët e Kongresit Kombëtar. Deri më 31 tetor 2015 duhet të jenë dërguar listat me numrin dhe emrat e delegatëve për secilën bashki. Deri më 5 dhjetor 2015 duhet të jenë zgjedhur kryetarët e Partisë Socialiste në 61 njësitë vendore, ndërsa deri më 15 dhjetor duhet të jetë bërë konstituimi i secilës strukturë me sekretarë dhe koordinatorë. Në lidhje me strukturat e partisë në emigracion duhet të jetë bërë konstituimi i anëtarësisë me jo më pak se 10 të tillë. /Marrë nga "Shekulli"/

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Reperi i famshëm dhunon barbarisht ish-partneren në hotel

Reperi i famshëm dhunon barbarisht ish-partneren në hotel