Asambleja e Ligës Serie A u mblodh sot për të vendosur kandidatin e saj në garën e 22 qershorit ku do të zgjidhet numri një i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). Në asamblenë e sotme plot 18 ekipe të Serie A ishin pro kandidimit të Giovanni Malago, i cili nuk ka mbështetjen e Lazios dhe Veronës.

Siç dihet pesha e Serie A në votimin që do të bëhet më 22 qershor është “vetëm” 18%, por influenca e klubeve të kampionatit kryesor të futbollit në Itali është edhe më e madhe dhe për këtë motiv mendohet se Giovanni Malago do të jetë presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit.

Detyra e re do të jetë mjaft e vështirë për 67-vjeçarin, i cili ka qenë presidenti i Komitetit Olimpik Italian prej 19 shkurtit të 2013 deri më 26 qershor të 2025-ës.

Kreu i Ligës Serie A, Ezio Simonelli tha se ai ka mbështetjen e tyre dhe tanimë topi është në anën e Giovanni Malago.

"Malago është një person i kalibrit më të lartë, në këtë pikë topi është në fushën e tij. Ai do të duhet të kryejë verifikimet e tij të duhura dhe më pas të formalizojë kandidaturën e tij", tha Ezio Simonelli.

Kujtojmë se pas dështimit për herë të tretë radhazi për të marrë pjesë në Kupën e Botës (humbja me 11 metërsha kundër Bosnje Hercegovinës), kreu i FIGC, Gabriele Gravina, trajneri Gennaro Gattuso dhe shefi i delegacionit të kombëtares italiane të futbollit, Gianluigi Buffon, dhanë dorëheqjen.